Escobar: Themelimi i Asociacionit një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të zbatojnë detyrimet që i kanë arritur në dialog, ku një prej tyre siç pohon është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që është e nevojshme themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili e bën formimin një obligim ligjor të detyrueshëm për Kosovën”, ka deklaruar ai në një intervistë për Tanjug.
I pyetur nëse ka aktivitete diplomatike amerikane për këtë çështje, Escobar thotë se ka “një partneritet të plotë me kolegët nga BE-ja”.
Ai mbështet propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Shton se detajet e propozimit janë duke u diskutuar në kuadër të dialogut të BE-së.
“Ne e mbështesim fuqishëm. Supozoj se pas bisedimeve mes dy qeverive do të fillojë një angazhim më i madh me publikun”, thekson ai.
Escobar nuk planifikon ndonjë vizitë së shpejti në Prishtinë ose Beograd.