Escobari: Asociacioni është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë
I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të enjten se do të dëshironte që komuniteti serb të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë, si dhe që serbët të marrin pjesë në të gjitha institucionet e Kosovës.
Pas një takimi me përfaqësuesit e opozitës proevropiane, Escobari u tha gazetarëve në Beograd se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe është e qartë se ky është një detyrim i përcaktuar në dokumente të shumta.
Gjithashtu, sipas tij nuk pritet të nënshkruhet marrëveshja në Ohër, por do të ishte i kënaqur me një marrëveshje për të ecur përpara, shkruan “Danas”.
Ai ka thënë se propozimi evropian për një marrëveshje normalizimi paraqet një nga mundësitë më të mira për rajonin për të ecur përpara.
Escobari u ka bërë thirrje palëve që të jenë shumë serioze në kërkimin e një marrëveshjeje, të gjejnë mënyra për të qenë fleksibël, konstruktivë dhe të kenë vizion dhe të përfitojnë nga mundësia që u është ofruar.
Më tutje, ai ka thënë se dëshiron që brenda këtij viti të shihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe mendon se kjo është e mundur.
Escobari ka thënë se qëllimi i vizitës së sotme në kryeqytetin serb është që të bisedojë me liderët politikë në rajon për temën e gjetjes së rrugëve për progres me propozimin e marrëveshjes evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.