Escobari: Asociacionit s’mund t’i ikë njëanshëm një parti apo individ
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gabriel Escobar, ka komentuar deklaratën e tij në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku rreth një muaj më parë tha se nëse ai nuk formohet nga qeveria, atëherë do të gjenden partnerë alternativë.
Escobari ka thënë se asociacionit nuk mund t’i ikë një parti a individ njëanshëm, teksa ka shtuar se i njëjti e obligon edhe Kosovën edhe Serbinë, por edhe Bashkimin Evropian (BE).
Më tutje, Escobari ka thënë se çështjen e formimit të asociacionit po e diskutojnë edhe me anëtarë të shoqërisë civile, grupe multietnike e organizata hulumtuese që sipas tij kanë punuar shumë për të parë se si mund të funksionojë asociacioni në mënyrë që nuk e rrezikon funksionalitetin e Kosovës.
“Këta janë partnerët nga të cilët do të filloj të kërkoj që të na ndihmojnë t’i krijojmë disa ide dhe t’i lehtësojnë disa nga frikësimet që njerëzit mund t’i kenë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, është shprehur Escobari.