Escobari: Ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për anëtarësim në KiE
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Gjatë një bisede me gazetarë, Escobari ka thënë se çështja e Asociacionit dhe e disa çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetet, që nuk janë përmbushur, kanë qenë kërkesa të vazhdueshme. “Ka shqetësime që Kosova mund të mos ketë votat për Këshillin e Evropës”, ka thënë Escobari.
Ai ka thënë se ShBA-ja nuk ka votë në këtë organizatë evropiane për të drejtat e njeriut, por qëndrimi i amerikan është që Kosova duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Gjatë kësaj bisede virtuale me gazetarë, Escobari që në fund të këtij muaji përfundon mandatin e tij, ka thënë se i vjen keq që gjatë mandatit të tij nuk është zbatuar marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, vitin e kaluar.
Ai ka fajësuar të dyja shtetet për dështim të përmbushjes së zotimeve të tyre që dalin nga kjo marrëveshje dhe aneksi për zbatimin e saj.