Escobari me qëndrim të prerë në Bosnjë: “S’ka ndryshim kufijsh, s’ka luftë dhe asgjë përtej Dejtonit”
Pas takimit me të dërguarin special të presidentit amerikan, Gabriel Escobar, kryesuesi i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH), Zheljko Komshiq, ka thënë se “për Amerikën ndryshimi i kufijve është i papranueshëm”.
“Krizë artificiale”, e ka cilësuar situatën në Bosnje dhe Hercegovinë diplomati amerikan Escobar, ka pohuar Komshiq.
“Asnjë ndryshim kufijsh, e as relacionesh të definuara nga Marrëveshja e Dejtoni nuk janë të pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka pohuar qëndrimin e Escobarit, Zheljko Komshiq.
Sipas tij “Dejtoni ka qenë dhe mbetet baza politikës amerikane”.
Sa i përket marrëdhënies me Serbinë, Komshiq ka thënë se mesazhi amerikan ishte që “Serbia nuk është e interesuar në asnjë lloj konflikti në BeH e as përreth BeH-së”.
“Vlerësimi i ShBA-së është se ideja e Open Balkan është e pranueshme sepse Ballkani Perëndimor si rajon ka normën më të lartë të rritjes në Evropë dhe se ky përfitim duhet të përdoret midis të gjashtë vendeve të rajonit për të rritur tregtinë, për të hequr barrierat, për lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve dhe në këtë kuptim administrata amerikane mbështet”.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është një imperativ jo vetëm për ne, por edhe për BE-në. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pas faktit që Ballkani Perëndimor duhet të hyjë sa më shpejt në proceset integruese, të cilat do të përfundojnë me integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”, ka thënë Komshiq.
Ai ka theksuar se në Ballkan ka kapacitet të madh për rritje ekonomike.
“Ne prekëm gjithashtu çështjen e korrupsionit dhe krimit që po shkatërron të gjithë rajonin dhe BeH-në. Qëndrimi është që prokurorët të bëjnë punën e tyre sipas ligjit, pavarësisht se kë kapin”, ka thënë ai.
Komshiq ka thënë se Escobari nuk ka folur asnjë fjalë për Ligjin zgjedhor dhe nuk ka kërkuar ndonjë lëshim.
Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për zbatimin e vazhdueshëm të Dejtonit.
“Unë mendoj se është një mesazh inkurajues se nuk do të ketë luftë dhe se gjithçka në lidhje me Dejtonin, duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara janë nënshkruese të Dejtonit, nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e tyre”, ka thënë Komshiq.
Ai ka thënë se heqja dorë nga BE-ja do të ishte katastrofike, çfarëdo që po ndodh me BE-në në këtë moment.
“NATO dhe BE, pavarësisht nga zhgënjimet tona aktuale, nuk duhet të jenë baza që ne të heqim dorë nga kjo. Ne duhet të besojmë se kjo është rruga për të dalë nga taverna ballkanike dhe për ta mbyllur atë derë”, ka thënë Komshiq.
I pyetur nëse Escobari ka përmendur sanksionet, Komshiq ka thënë se nuk kishte biseduar me të për këtë.
“Përshtypja ime është se ky është një zyrtar i administratës amerikane që ka mbështetje në nivele më të larta dhe që e thotë shumë qartë. Njeriu përcaktoi qartë drejtimet e veprimeve të tyre në BeH dhe rajon”, ka thënë ai.
Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit i ShBA-së, Gabriel Escobar është për një vizitë pune në BeH dhe të hënën ai zhvilloi takimin e tij të parë në Presidencën e BeH-së me kryetarin e Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq.
Escobari do të takohet veçmas edhe me Sefik Xhaferovic dhe Milorad Dodik.
Diplomati amerikan do të qëndrojë në BeH deri të mërkurën dhe janë planifikuar takime të shumta në parlamentin shtetëror dhe federal, si dhe një udhëtim në Banja Llukë.