Escobari: Serbët të jetojnë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit, qeverinë do ta mbajmë përgjegjëse për këtë
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë ka shkuar për vizitë në Manastirin e Deçanit, një ditë pas qeveria i ka thënë Agjencisë Kadastrale t’ia regjistrojnë pronën manastirit.
Ai ka vizituar edhe Komunën e Pejës ku ka takuar kryetarin Gazmend Muhaxheri, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave nga Gorazhdeci, si dhe me të rinjtë nga komuniteti shqiptar, serb dhe boshnjak në këtë komunë.
Escobari ka thënë se ka parë që njerëzit po vuajnë dhe se po kanë vështirësi reale për marrjen e pensioneve të tyre. Për jetesën e serbëve në Kosovë, ai ka thënë se do ta mbajnë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës.
“Desha të vi në këtë vend për të dëgjuar storiet nga dora e parë që kanë njerëzit mbi ndikimin që është duke pasur vendimi i BQK-së. Është e vështirë që të dëgjohen këto storie dhe të mos lëvizet. Këtu është një komunitet që përnjëmend janë duke vuajtur. Ka njerëz të cilët po përballen me vështirësi reale të mungesës së opsioneve për marrjen e pensioneve. Kështu që, unë dua vërtet që të punoj ëme qeverinë me shpresën që të gjejmë një zgjidhje të menjëhershme”.
Escobari në një prononcim për mediumin lokal në gjuhën serbe “Radio Gorazhdevac”, ka thënë se serbët në Kosovë dhe të gjithë që jetojnë këtu duhet ta ndiejnë mbështetjen e ShBA-së.
“Për komunitetin këtu, unë dua që këta të ndiejnë dhe të dinë se qeveria amerikane do që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte të sigurisë dhe dinjitetit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Dhe për Qeverinë e Kosovës – ata kanë përgjegjësinë që kjo të ndodhë dhe ne do ta mbajmë përgjegjëse për këtë”, ka thënë ai, duke shtuar se marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi duhet të zbatohet dhe tha se për këtë do të vazhdohet të punohet.
“Ndërkohë, në terma afatgjatë, ne duhet të punojmë fort për të zbatuar marrëveshjen historike për normalizim që e arritëm në mars të vitit të kaluar. Kështu që, ne do të vazhdojmë të punojmë, por ndërkohë mendoj që të gjithë njerëzit e Kosovës mund të llogarisin në mbështetjen amerikane, përfshirë shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë që jetojnë në këtë vend. Shpresoj që e ndiejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, ka thënë Escobari.