Escobari: Sfidoj të gjithë të më tregojnë se kur kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë ndaj Serbisë

20 qershor 2023 | 15:35

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Escobar u pyet për akuzat se ShBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën.

Por, zyrtari amerikan tha se për 15 vjet, çdo gjë që ka bërë Uashingtoni ka qenë në favor të Kosovës, duke filluar nga pranimi i pavarësisë, fushata për njohjet e Kosovës, pranimi i zgjedhjeve të fundit në veri.

“Sfidoj të gjithë të më tregojnë se kur kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë ndaj Serbisë. Çfarë po kërkojmë nga Kosova është koordinimi i ngushtë dhe të pranojë obligimet ndërkombëtare. Nuk mendoj se kjo mund të përkthehet se ne jemi të ashpër me Kosovën. Mendoj se është e kundërta”, ka deklaruar Escobar.

Ky diskutim vjen dy javë pasi Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.

Ata i paraqitën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe…