Escobari: ShBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n
Zëvendësndihmësi i sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, ka bërë me dije se ShBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n.
Ai ka thënë se edhe Kosova ka raporte të shkëlqyera me NATO-n.
Diplomati i ShBA-së ka vlerësuar se Kosova ka raporte të shkëlqyera edhe me ShBA-të në aspektin e sigurisë.
“SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë në theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në“, ka thënë Escobar në një deklaratë për gazetën “Reporteri.net”.
Duke folur rreth kërcënimeve të Aleksandër Vuçiqit për Kosovën, diplomati amerikan ka thënë se ShBA-ja beson se shtetet aleate janë të lira të zgjedhin aleancat e sigurisë.
“ShBA-ja beson se të gjitha shtetet janë të lira për të përcaktuar vetë politikën e jashtme dhe të zgjedhin aleancat e veta të sigurisë. Asnjë shtet nuk duhet të pretendojë veto ndaj orientimeve strategjike të fqinjëve të vet“, ka deklaruar Escobari.