Escobari: S’ka afat për Kurtin, të premten i raportojë Shtëpisë së Bardhë, pastaj marrim disa vendime
Qeverisë së Kosovës nuk i është vendosur afat për t’i kthyer përgjigje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me kërkesat e tyre për deeskalimin e situatës në veri. Kjo është konfirmuar para gazetarëve në Beograd nga emisari amerikan, Gabriel Escobar, megjithëse, ai ka thënë se të premten do t’i raportojë Shtëpisë së Bardhë dhe aty do të merren disa vendime për të ecur përpara.
Pas takimit që patën ai dhe emisari evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak, Escobarit i është drejtuar gazetarëve serbë, ku është pyetur për shumë çështje.
Shumica e deklaratave të tij, ishin veçse të ditura, pasi që janë tema që i ka përmendur edhe më herët.
Çështja kryesore për të cilën Escobar është pyetur në këtë konferencë për medie, ishte ajo rreth raportimeve për një afat të vendosur ndaj Qeverisë së Kosovës.
Escobari ka konfirmuar se nuk kanë vendosur afat, por po ashtu tha se deri më tani nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria në lidhje me planin për deeskalimin e situatës.
“Mendoj që diskutimet mes Kosovës dhe BE-së do të vazhdojnë, kështu që nuk e di që nëse ka pasur një përgjigje konkrete nga Kosova, shpresoj që Qeveria të njohë atë që po duam të arrijmë…”, ka thënë ai.
Emisari amerikan e ka përmendur se do të pyetet të premten nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me atë që po ndodhë në krejt këtë situatë, dhe në bazë të raportit të tij, do të ndërmerren disa hapa, ndonëse nuk ka treguar se për çfarë bëhet fjalë.
“Nuk kam vendosur afat. Ajo që më është kërkuar në Prishtinë, ka qenë se cilët janë hapat e ardhshëm. Unë dhe z. Lajçak thamë se pas kësaj vizite, jam duke u pyetur të premten nga Shtëpia e Bardhë se çfarë po ndodhë, duhet të raportoj nëse ka progres, ai duhet të raportojë po ashtu. Nuk është afat, por ky është hapi i ardhshëm për mua, dhe bazuar në raportin tim, do të marrim disa vendime për të ecur përpara”, ka thënë ai.