Escobari takohet me Dodikun, i cili dje tha se i dërguari i ShBA-së “ka ardhur kot”

08 nëntor 2021 | 12:43

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar me anëtarin serb të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Milorad Dodik, pas takimeve me anëtarët tjerë të Presidencës së BeH, Zheljko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, raporton gazeta boshnjake, “Avaz”.

Në prag të vizitës së tij në Bosnjë e Hercegovinë, Escobari ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” se së pari do të bisedonte me ambasadorin e ShBA-së në BeH, Eric Nelson në Sarajevë përpara se të shpallte sanksionet e mundshme, pa specifikuar se për çfarë sanksione bëhet fjalë.

“Është në tavolinë. Por unë dua t’u them njerëzve të BeH se nuk do të ketë luftë të re. Ne, komuniteti ndërkombëtar, partnerët tanë në Evropë, duam të sigurohemi që angazhimi ynë për paqen dhe sigurinë për njerëzit e rajonit të jetë i ndërsjellë. Sa i përket dobësimit të institucioneve qendrore, arsyeja është korrupsioni. Dodik dëshiron ta mbrojë pushtetin dhe paratë e tij. Kërkoj nga njerëzit që të mos bien pre e kësaj”, ka thënë Escobari.

Sot gjatë ditës, Dodiku do të flasë në ndërtesën e qeverisë së Republika Srpskas në Lukavicë.

Pas takimit me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, kryetari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, ka thënë se mesazhet e të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin ishin se nuk do të ketë luftë dhe se Marrëveshja e Dejtonit ishte dhe mbetet burimi i politikës amerikane atje.

Dje, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë a se i dërguari i ShBA-së, Gabriel Escobar “ka ardhur kot”, nëse mendon se ai është shkaktari i krizës në Bosnjë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Malishevës,…