Escobari thotë se do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në veri
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.
“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë, personalisht, u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por, këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal, sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra, nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.