Escobari thotë se Vuçiqi e ka siguruar që do t’i bind serbët të marrin pjesë në zgjedhje
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë.
“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat (komunale), Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth (këtyre) ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”.
“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë pa parakushte”, ka thënë Escobari.
Duke folur nga Beogradi, Escobari ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar se do ta shfrytëzojë ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhje.
Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.
“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, ka thënë emisari amerikan. /REL