Ese i vogël për një problem të madh

15 tetor 2024 | 09:15

Nga vrasja koloniale e elefantit te vrasja populiste e zyrtarit

Nëse zyrtari ndjek pasionin e turmës për dhunë, turma mbetet e kënaqur me të. Dhe i shkon prapa e ekzaltuar, me shpresë se në fund do të zhvatë ndonjë gjë, siç zhvatë ajo turma e mjerë copat e mishit të elefantit të vrarë

Milazim KRASNIQI

Nga rileximi i tregimit “Vrasja e elefantit” të Xhorxh Orvellit e kapa edhe këtë mesazh të frikshëm: zyrtari i shtetit mund të nxitet të bëjë veprime të gabueshme, të dëmshme, nën presionin e histerisë së turmës. Në rastin kur turma pret nga ai të jetë i dhunshëm, ai rrezikon të bëjë veprime për të cilat vetë e di se janë të gabueshme e të dëmshme, por i bën për të mos u dukur i dobët në sytë e turmës. Duke u munduar ta “impresionojë” turmën injorante, sakrifikon bindjen e vet.

Nëse është kështu, atëherë mesazhi na zbulon një çështje tjetër edhe më të frikshme: zyrtari që duket i fortë në sytë e turmës, në fakt ka karakter të dobët. Ai nuk drejton, nuk udhëheq, ai udhëhiqet nga disponimi i turmës. Nuk ndjek rezonin dhe ndërgjegjen e vet, po ndjek pasionin revanshist e pervers të turmës.

Shqetësues është fakti se populistët e sotëm janë më shumë robër të kësaj mendësie e kësaj forme të veprimit, sesa narratori në vitin 1936, datë që figuron në fund të tregimit. Populistët e sotëm nuk kanë dilema lidhur pushtetin, si narratori/personazhi. Këta me gjasë janë njerëz me komplekse, me karakter të dobët, prandaj tentojnë ta fshehin dobësinë e vet, pas xhurulldisë dhe egërsisë së turmës.

Përfundimi që nxirret është se turma është e prirur për dhunë dhe pret nga pushtetari akte dhune. Nëse zyrtari ndjek pasionin e turmës për dhunë, turma mbetet e kënaqur me të. Dhe i shkon prapa e ekzaltuar, me shpresë se në fund do të zhvatë ndonjë gjë, siç zhvatë ajo turma e mjerë copat e mishit të elefantit të vrarë.

Tregimi ka shtresa të shumta kuptimesh e mesazhesh. Ky mund m’u imponua nga rileximi i tij, pas shumë vitesh nga leximi i parë. Pse, a thua? Sepse në realitetet e reja, ku ballafaqohemi me histerinë në rritje të turmës, në kërkim të zyrtarëve që tentojnë turmën ta impresionojnë, ne thjesht jemi të rrezikuar nga histeria dhe nga fuqia në rritje e turmës. Në rastin e tregimit, zyrtari vret elefantin për t’i bërë qejfin turmës. Në rastin e triumfit të populizmit, turma e ekzaltuar faktikisht e vret zyrtarin e vet të pëlqyer.

Prandaj, për të kuptuar atë që ndodhë dhe rreziqet që ka njeriu e shoqëria, duhet jo vetëm leximi po edhe rileximi i letërsisë. Natyrisht i asaj letërsie, e cila posedon jo vetëm vlera estetike, po edhe vlera jashtestetike, të cilat dinë të dalin në plan të parë, thjesht për të na ndezë një alarm. Nëse mekanizmi i tij nuk ka dalë jashtë funksionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Televizioni shtetëror iranian ka shfaqur burrin, që dukej të jetë…