Është e mundur të rezistohet
Nga: Silvio Berlusconi (parathënia e botimit në italisht e librit Rrno vetëm për me tregue të Zef Pllumit)
Ky libër i françeskanit shqiptar At Zef Pllumi është zbulesa e një bote të panjohur, por që na përket nga afër. Është e përlyer me gjak dhe lot, ku shihet si urrejtja është në gjendje për më të keqen, përtej çdo imagjinate. Por, në fund është e pafuqishme; nuk arrin ta ndalojë dashurinë e jetuar deri në heroizëm. Nuk arrin të shuajë dëshirën për liri që ndjehet në faqet e këtij libri.
Sa varre duhet akoma të gërmojmë në kujtesën e popujve, për të gjetur të gjitha viktimat e komunizmit? Ky vëllim shumë domethënës që në titull; “Rrno vetëm për me tregue”, me thjeshtësinë e tij u jep zë të vdekurve, në vazhdën e të madhit Aleksandr Solzhenicyn. At Zef Pllumi thyen vitet e heshtjes dhe të vdekjes në kampet e internimit shqiptar me kurajën e atyre që e duan lirinë dhe luftojnë në emër të saj.
Ai hap zemrën tonë, zbrazëtinë tashmë të njohur, e rimbush me mallëngjim dhe indinjatë po pastaj – si të gjitha gjërat e vërteta – na prin drejt ndërtimit të diçkaje, udhëheq për të ngritur mirësinë dhe të drejtën. E vërteta është se dashuria është shumë më e fortë se urrejtja. Ky libër jo vetëm që duhet të jetë në të gjitha bibliotekat dhe të bëhet film, por duhet madje të rekomandohet për t’u lexuar në të gjitha shkollat italiane, në mënyrë që të rinjtë të arrijnë të kuptojnë disa të vërteta historike: çfarë është komunizmi që shihet në këtë vepër, si e merr pushtetin dhe si e administron në mënyrë të tmerrshme; çfarë vuajtjesh ka hequr populli shqiptar, në çfarë humnere gënjeshtrash dhe dhune ka qenë i zhytur; por edhe sa të fortë kanë qenë gratë dhe burrat që nuk e kanë ulur kurrë kokën, pavarësisht nga torturat që duruan mbi kurriz.