Është e padrejtë kërkesa që t’ia japim 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit

01 qershor 2019 | 10:23

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, e ka quajtur “vetëvrasje” për këtë komunë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është i padrejtë ky vendim sepse e ngulfat zhvillimin ekonomik të Komunës së Deçanit.

Ramosaj ka shprehur gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhje në mes të komunës dhe Manastirit pa iu nënshtruar vendimit të Kushtetueses.

Sipas tij, është e drejtë natyrore e popullit t’i shfrytëzojë potencialet dhe resurset që Zoti ia ka dhënë Deçanit.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për një zgjidhje të përbashkët e cila do t’i kënaqte të dyja palët.

“Epoka e re”: Kryetar, Komuna e Deçanit nuk po pranon ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit. Pse po hezitoni?
Ramosaj: Sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 19 majti të vitit 2016 është i padrejtë për të vetmen arsye se e ngulfat zhvillimin ekonomik të Komunës së Deçanit, që do të thotë se shuhet shpresa e qytetarëve për të jetuar në këtë vend. Manastiri i Deçanit nuk ka të drejtë për t’i pasur 24 hektarë.

“Epoka e re”: Deri kur do të vazhdojë kjo gjendje meqë vendimet e gjykatës duhen zbatuar?
Ramosaj: Në çdo takim kemi shprehur gatishmërinë për të bërë një zgjidhje të përbashkët pa iu nënshtruar vendimit të Gjykatës Kushtetuese sepse gjeneza e këtij vendimi daton në vitin 1992, kur shqiptarët në Deçan, sidomos punëtorët që kanë punuar në ato ndërmarrje, janë larguar dhunshëm prej punës. Një ndërmarrje e dhunshme, po ashtu dhuratën e parë ia ka bërë Manastirit. Në kontestin e vitit 1992 në Deçan ka pasur demonstrata, njerëz të vdekur, të plagosur dhe nxënës të helmuar. Manastiri ka gabuar kur ka pranuar këtë dhuratë në ato kushte. Madje ka vazhduar edhe në vitin 1997 kur, dikur në tetor, Kuvendi i Serbisë ia bëri dhuratë 24 hektarë tokë Manastirit. Në vitin 1999, administrata e dhunshme e Serbisë, e cila ka bërë gjenocid në Kosovë, nuk e ka bartur këtë tokë nga Manastiri. Kurse në periudhën pas çlirimit, në kohën kur Kosova administrohej nga UNMIK-u, që është bërë çmos që ky vendim të hyjë në fuqi prej Gjykatës Komunale në Gjykatë të Qarkut e deri në Gjykatën Supreme në dhomën e posaçme për çështje që kanë të bëjnë me AKP-në si trashëgimtare e AKM-së, pra që të merret vendim absurd.

“Epoka e re”: Ju po thoni se keni gatishmëri për të gjetur një zgjidhje pa e përfillur këtë vendim. Cila është ajo?
Ramosaj: Është një logjikë shumë e thjeshtë. Populli ynë ka një histori me plot vuajtje dhe tragjedi. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi bashkëjetuar me manastirin dhe e kemi respektuar atë. Tani një manastir që është i mbrojtur nga UNESCO, i cili prezanton kulturën dhe fenë, nuk duhet t’ia vrasë shpresën një komune të tërë duke ia pamundësuar zhvillimin ekonomik. Dëshirojmë që t’i kemi në shfrytëzim potencialet dhe resurset që i ka Komuna e Deçanit. Kjo komunë e ka vetëm një sektor të sigurt të zhvillimit ekonomik dhe ai është turizmi. Po flasim për kapacitete shumë të mëdha. Nuk ka qasje në dy vendbanime sipër Manastirit. Nuk lejohet ndërtimi i rrugës, rryma, ndërtimi i shtratit të lumit, shfrytëzimi i pushimores, shfrytëzimi i Hotelit ‘Iliria’, shfrytëzimi i kampit ‘Garibaldi’ dhe një serë asetesh të tjera të rëndësishme ekonomike të kësaj komune.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej kësaj, ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zbatimin e vendimit. Ky presion a mund t’ju zmbrapsë?
Ramosaj: Jo, në asnjë rrethanë. E kemi për obligim t’u shpjegojmë ndërkombëtarëve në mënyrë që e drejta të dalë në shesh, sepse deri më tani pala tjetër ka bërë propagandë saqë kanë filluar t’i bindin ndërkombëtarët edhe me argumente të rrejshme. Mirëpo me çdokënd që jemi takuar dhe që ia kemi treguar ecurinë e ngjarjes e ka kuptuar realitetin.

“Epoka e re”: Cilat janë rrugët që do t’i ndiqni për të pasur sukses në këtë drejtim?
Ramosaj: Para disa ditësh kemi mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ku është formuar një këshill organizativ, që më 6 qershor të mbahet një protestë, e cila ka pasur për objektivë që ta ftojë Manastirin dhe ambasadat për t’u angazhuar për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët që do t’i kënaqte të dyja palët. Por nga institucionet qendrore na është kërkuar ta shtyjmë protestën për një datë të pacaktuar. Ne jemi pajtuar me këtë kërkesë me qëllim që të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Mendoj se duhet ta bëjmë një zgjidhje, sepse është e domosdoshme. Është e papranueshme të kërkohet nga qytetarët e Deçanit që të mos kenë koncept të saktë të zhvillimit ekonomik, që praktikisht i bie që qytetarët e Deçanit duhet të largohen prej kësaj komune.

“Epoka e re”: Prisni reflektim nga Manastiri?
Ramosaj: Dua të besoj dhe shpresoj që edhe Manastiri duhet të jetë pjesë e konceptit tonë zhvillimor sepse, pavarësisht prej të gjithave, Manastiri dhe qytetarët do të qëndrojnë aty. Prandaj, është tepër e nevojshme të jetojmë në një harmoni duke e respektuar njëri-tjetrin dhe duke ia arsyetuar nevojat njëri-tjetrit.

“Epoka e re”: Në rast se nuk arrini të merreni vesh, kjo çështje mund të procedohet në ndonjë gjykatë ndërkombëtare?
Ramosaj: Nuk e besoj, sepse është një vendim i gjykatës i paankimuar në këtë rast dhe Kosova nuk ka subjektivitet ligjor që t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, që është e vetmja që i trajton këto çështje. Besoj në një zgjidhje, sepse është e drejtë natyrore e këtij populli t’i shfrytëzojë potencialet dhe resurset që Zoti ia ka dhënë këtij qyteti.

“Epoka e re”: Sa të jeni ju kryetar vendimi nuk do të zbatohet?
Ramosaj: Jo, absolutisht. Në asnjë rrethanë nuk do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse në një farë mënyre është ‘vetëvrasje’. Është i padrejtë presioni dhe kërkesa që t’i japim 24 hektarë tokë Manastirit. Nuk bëhet fjalë vetëm për 24 hektarë, mirëpo për një varg pasojash. Është zona e veçantë e mbrojtur, ndërtimi i rrugës që është arteria kryesore e zhvillimit, trajtimi i lumit, trajtimi i pronave private, trajtimi i pushimores, kampi, hoteli, baseni olimpik, si dhe trajtimi i fshatrave sipër Manastirit që nuk kanë as rrymë e as ujë.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Llapit ka arritur marrëveshje edhe me Behar Maliqin,…