Është e ulët të mohohen sukseset e Kosovës nga nihilistët
Një lajm i mirë, në kohën e pandemisë globale, ka ardhur për Kosovën nga jashtë.
Kosova në raportin e fundit të Indeksimit të Sundimit të Ligjit të saponxjerrë prej organizatës prestigjioze World Justice Project, prej 128 vendeve të matura për performancën e sundimit të ligjit, Kosovën e ka vendosur në vendin e 54-t. Ky raport e ka lumturuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilistë në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendin ynë.
Deklarata e tij:
Një lajm i mirë për Kosovën është renditja e favorshme e Kosovës në raportin e fundit të Indeksimit të Sundimit të Ligjit të saponxjerrë prej organizatës prestigjioze World Justice Project. Ky raport mat performancën e sundimit të ligjit në 128 vende dhe e vendos Kosovën në vendin e 54-t. Ajo që vlen të përmendet është se Kosova renditet e dyta mes vendeve të rajonit të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, duke lënë pas vende të tjera që kanë më shumë vite ekzistencë si shtet dhe e kanë nisur më herët tranzicionin demokratik.
Pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të rindërtimit prej shkatërrimeve të luftës, shtetndërtimit dhe pengesave në arenën ndërkombëtare, Kosova ka mundur të arrijë shumë në shumë pak kohë për sa i përket sundimit të ligjit. Ky indikator vlen veçanërisht si demantim ndaj atyre zërave nihilistë në Kosovë, që mohojnë çdo arritje e progres që ka bërë vendin ynë, e nuk humbasin rast për ta njollosur e dëmtuar pa të drejtë reputacionin e shtetit tonë. Nuk ka dyshim që Kosova ka ende rrugë të gjatë për të bërë në sundimin e ligjit, mund të eci përpara edhe më shumë në luftën kundër korrupsionit, megjithatë është e ulët që të mohohen sukseset e deritanishme që me aq sakrificë i kemi mundësuar. K. V.
/Epoka e re/