‘Është fakt, jo opinion’, Kurti thotë se shqiptarët në Kosovë nuk krahasohen me ata në Gjermani dhe Zvicër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për deklaratën e tij në diasporë lidhur me faktin se mërgimtarët janë më patriotë e më punëtorë.
Në fillim, ai ka thënë se nuk ka deklaruar bash ashtu. Në fund të fjalës, e konfirmoi, duke thënë se është fakt e jo opinion.
Madje, Kurti ka thënë se shqiptarët në Kosovë, “asnjëri prej nesh”, nuk mund të krahasohet me shqiptarët në Zvicër dhe Gjermani.
“Unë nuk kam deklaruar ashtu. Ajo që kam thënë është se prej shqiptarëve më të devotshëm, e më patriotik, e më të zotë, i gjej në diasporën tonë. Regjistrimi na nxori 1.6 milion, i kemi mbi 1 milion jashtë, sikur të ishit në takime sikur unë me studentë shqiptarë, do ta kuptonit se për çka po flas. Ne kemi nevojë ta kthejmë trurin në Kosovë, meqenëse disa prej ekspertëve më të zotë nuk i kemi në vendin tonë. Nuk kam thënë që ata janë në kundërshtim me vendin tonë, por janë burim i pashfrytëzuar për vendin tonë. Nuk janë vetëm remitencat, por profesionalizmi i të gjithë atyre. E vlerësoj kontributin e tyre për financimin e luftës çlirimtare. Prej batalionit Atlantiku, e deri te dëshmorët e heronjtë e kombit një ndër më emblematikët Fehmi Lladrovci. Shikoni me vëmendje çfarë kam thënë, kam shprehur konsideratën time më të lartë për patriotizmin dhe profesionalizmin e zellin që kanë bashkatdhetarët tanë. Nuk është e çuditshme që ekonomitë më të fuqishme janë aty ku ka diasporë shqiptarë. Nuk mund të krahasohemi asnjëri prej neve me punën që ata bëjnë në Gjermani e Zvicër, se shikoni ku janë Gjermania e Zvicra sot. Është çështje faktike, jo e opinionit”, ka thënë Kurti.