Është iluzion që për dy orë të nënshkruhet një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë
Ambasada Amerikane në Kosovë, edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, kanë kërkuar nga të gjitha partitë në Kosovë, ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mbrëmë i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, për “Rtv Ora” nuk shprehet i suprizuar nga deklaratat e Grenellit, duke mirëkuptuar përpjekjen e ShBA-së për të marrë një sukses në politikën e jashtme në kohë fushate.
Por për Abazin është jashtë çdo lloj logjike të mendosh që një konflikt i vjetër mes serbëve dhe shqiptarëve të zgjidhet brenda dy orëve, në një kohë kur edhe Serbia nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga qëndrimet e saj.
“Të gjitha raportet me shtetet njohëse dhe në këtë rast me një shtet aleat strategjik për Kosovën dhe shqiptarët janë shumë të rëndësishme. Në anën tjetër, tendenca e Thaçit për të nënshkruar një marrëveshje të shpejtë me Serbinë dhe kjo shpejtësi, si duket, vazhdon për më shumë se 7-8 vjet vetëm për përfitimet e tij, prandaj dhe ka sjellë një keqorientim dhe keqinformim edhe në fazën e një fushate elektorale në ShBA.
Kjo që ka bërë Grenelli sot nuk është befasi sepse deklaratat e tij kanë qenë edhe në kohën kur tentonte me çdo kusht heqjen e tarifës dhe reciprocitetin. Unë e kuptoj se përbrenda përkufizimit të një suksesi të mundshëm të politikës së jashtme amerikane po tentohet të arrihet një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.
Në anën tjetër, mendoj se nuk duhet ta injorojmë shumicën e njerëzve që kanë punuar mbi 20 vjet në Kosovë e që e njohin shumë mirë se sa komplekse janë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan dhe do të ishte një iluzion që për dy orë të nënshkruhet një marrëveshje që do të sjellë paqe dhe stabilitet, zhvillim dhe harmoni në Ballkan, duke ditur se Serbia nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga pozicioni i saj dhe qëllimet që dikur ka tentuar t’i realizojë përmes tankeve dhe paramilitarëve, sot tenton përmes lobimit të fuqishëm nëpër qendra të rëndësishme botërore në Amerikë dhe Evropë”, ka shprehur mendimin Abazi. /Ora News.tv/