Është mërzitur liria

04 nëntor 2024 | 13:59

Ragip Gjoshi

Me rastin e katërvjetorit të arrestimit të ish-kreut të UÇK-së

Nën qiellin e Kosovës

Mbi malet plisbardha

Ditën dhe natën

Tituj bombastik

Rrapëllimë dyersh

Përplasje rrëqethëse

Lirisë i vihen prangat…

Poeti këngën nuk e ndalon

Çdo natë sheh një ëndërr të bukur

E çdo ag bashkëbisedon me trimat

Atyre ua çelë derën nëpër vargje

Kënga për guximin kumbon si një kitarë

Kafazi i burgut të zi mban brenda lirinë

Trimat asnjëherë të ngrysur në vështrim

Liria është mërzitur nga gënjeshtrat…

Zogjtë pa liri s’fluturojnë dot

Mbi male ishin do zogj në flatrim

Tej malesh erëra e rrebeshe frynë

Frymë e pafundme e mendjeve të errëta

Liria ka emër, pa zogj vonohet pranvera

Lulet kanë çelë në zemrat e trimave

Ato zemra që veç për Kosovën jetojnë…

Zogjtë pas drynave e dyerve të hekurta

U shkrinë për dritë-e mbahen në errësirë

Psherëtinë e s’rënkojnë- atdheu të shpëtojë

Liria këtu bëhet me krahë për qiejt e dëlirë…

Burgu e terri nuk është  për shenjtor

Atdheu është altar për trimat me fletë

Ju që pagëzuat lirinë, i keni lënë emër

Liria ka emër- të pashlyer që në themel

Kurrë mos u shofshin këto gjurmë

Hyjnor- dëshmitarë për tiraninë

Krenar që luftuan për lirinë …

Ngritjen e kështjellës ua ndalën

Lajmi trandi bashkëluftëtarët në varre

Dhe emra e të rënëve kërkohen atje…

Patkonjtë e mbramë hidhen

Kali i Trojës vërdallet

Nëpër ëndrra kalëron

Deri n’Hagë hingëllimë e tij…

Poeti me buzët e thara

Mërmëritë ngadalë

Siç mërmëritet nëpër poezi:

Ngreheni kokën lart

Të shihemi sy më sy

Shiheni fytyrën në pasqyrë

Ju keni ruajtur fytyrën

Pa njollë jeni në Pasqyrë

Jeni shumë njerëzorë

Jeni krenarë përherë…

Veç një si brengë shndritëse keni

Ju qëndron atje pas shtatë drynave

Njëqind jetë t’iu ketë falë nëna

Ju ia falni Kosovës të tana

Të jetojë Kosova përjetë !

 

Drenicë, më 4 nëntor 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka…