Është mirë ta shikojmë Vjosën si vajzë instagrami
Shkruan: Mero Baze
Nuk mendoj se Vjosa Osmani ka bërë ndonjë dëm ndaj Shqipërisë me gjestin e saj si vajzë instagrami. Në fund të fundit, ka plot njerëz që kanë vërejtje për stilin e veshjes së Edi Ramës, apo pamjen e tij.
Po ashtu edhe ajo ka të drejtat e saj të vërë veten në qendër të fotove. Nuk është ndonjë mëkat i madh që e ka prerë Edi Ramën dhe ka lënë Vuçiqin me të tjerë. E di që e ka bërë me shumë vetëdije këtë, se nuk e duron dot, por nuk u mërzit askush për këtë. Sidomos Edi Rama. Ai nuk është mërzitur as me ne që i kemi botuar fotot lakuriq, e jo me Vjosën, që se ka botuar fare.
Problemi është tek gëzimi që ka ngjallur tek gjithë enturazhi qeveritar i Kosovës ky gjest. Ky është ai moment, që dhe nëse e shfajësojmë si vajzë instagrami, që do të bjerë në sy se ka heq kaçurrelat dhe i ka shtrirë flokët, apo që është dobësuar, gëzimi i papërmbajtur i qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të saj, pa llogaritur militantët, i kanë prishur punë ndoshta motivit personal femëror që ka shtyrë Vjosën tek ai gjest.
Madje ata janë të parët që e kanë kuptuar këtë, se askush në Tiranë nuk i ka parë postimet e Vjosës dhe aq më tepër të konstatonte mungesën e Ramës në krah të saj. Poston aq shumë foto Edi Rama sa të lodh me të gjithë ata që janë aty.
Shpërthimi i urrejtjes ndaj kryeministrit të Shqipërisë, nga mbështetësit e saj dhe të Albinit, është një problem që dëmton Kosovën dhe jo Shqipërinë apo Edi Ramën. Dëmton Kosovën, pasi në vend të prodhoheshin lajme për prioritetin kryesor të Kancelarit Scholz për Kosovën, që është paqja afatgjate me Serbinë, portalet u mbushën me lajme për prioritetin kryesor të Vjosa Osmanit, që është nxitja e urrejtjes ndaj Edi Ramës dhe Shqipërisë.
Kjo e bën joserioze gjithë situatën, pasi Perëndimi është i shqetësuar për armiqësinë e Kosovës me Serbinë dhe zbulon se prioritet është armiqësia e njerëzve në pushtet në Kosovë, me Shqipërinë.
Dhe në fakt kjo është armiqësia reale, e cila fshihet dhe pastaj vetë lexohet nga po ajo vetë në detaje të tilla banale, që dhe kur nuk i shikojmë ne, duartrokasin idiotë të rëndësishëm të qeverisë së Kosovës dhe na e bëjnë me dije.
Tani merreni me mend nëse sekretarja e Kancelarit Scholz, nesër në mëngjes i çon reagimet e shtypit për darkën në Selanik dhe do të reshtoj si ngjarje kryesore që Vjosa Osmani e paska prerë nga foton e Edi Ramës në krah të saj. Mendo çfarë hallesh ka kancelari i Gjermanisë për Kosovën, çfarë prioritetesh ka caktuar në axhendën e tij dhe çfarë hallesh ka presidentja e Kosovës.
Kaq është i gjithë dëmi që ka bërë Vjosa.
As e ka fyer Edi Ramën, as Shqipërinë, dhe as ka shkaktuar ndonjë shqetësim këtej kufirit. Maksimumi ka nxitur ndonjë batutë.
Pushtetin e Kosovës e ka bërë qesharak, pasi ka treguar që ata që e drejtojnë sot Kosovën, në rastin më të mirë më shfajësues, siç unë dua të jem në anën e Vjosës këtë radhë, na tregon që ka Presidente një vajzë që kujdeset të dalë mirë në foto me njerëz të rëndësishëm dhe të tjerët i heq se i prishin foton.
Në rastin më të keq, që është dhe i vërteti, ashtu siç e interpretoi dhe një zëvendës i Albin Kurtit, na tregon që Presidentja e Kosovës ka në axhendë urrejtjen ndaj Shqipërisë, në vend të detyrimit për një marrëveshje me Serbinë për të cilën po investohet BE dhe SHBA.
Dhe s’ka më keq kur nuk të marrin më seriozisht pas gjesteve të tilla.
Shpresoj që dikush t’ia shpjegojë kancelarit Scholz, me ngjyra showbizz-i këtë episod. Ti thotë se Vjosa ka pasur merak se kanë qenë fotot e para pas operacionit në stomak si dhe pas frizurës së re të flokëve. Të paktën do ta shikojë si diçka njerëzore, për një njeri që ka qenë i frustruar nga fiziku i vet dhe jo si një njeri që është e frustruar nga kryeministri i Shqipërisë.
Madje ti thotë se ajo edhe pasaportën e parë diplomatike si Presidente ja ka lëshuar rrobaqepësit të saj, qe i qep fustanet. Ky është një argument për të ardhmen e saj në botën e instagramit.
Se përndryshe, njeri është dhe Kancelari gjerman, nxehet dhe thotë “scheisse”, ç’punë kam unë me këta idotë. Ndaj është mirë ta paraqesim Vjosën në këtë rast si vajzë instagrami dhe jo si njeri që urren Shqipërinë. Së paku me versionin e parë na shkakton humor, edhe pse e dimë të vërtetën.