Është ndarë nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare, Nysret Krasniqi (1 nëntor 1963-18 shkurt 2020)
Pas një sëmundjeje të rëndë, sot në orët e hershme, në spitalin universitar të Zürich-ut, është ndarë nga jeta veprimtari i çështjes kombëtar, Nysret Krasniqi.
Nysret Krasniqi i takon gjeneratës së artë të veprimtarëve të përkushtuar për lirinë e Kosovës. Ishte gjeneratë e rinisë së Pranverës ‘81, duke qenë aktiv në të gjitha proceset çlirimtare nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar.
Ishte aktiv në rezistencën klandestine. Ka drejtuar organizimin e demonstratave të punëtorëve të Kombinatit “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ku ishte i punësuar si gjeodet. Nysreti i takon qarkut të veprimtarëve dhe bashkëpunëtorëve të heroit Afrim Zhitia.
Shkaku i përndjekjës politike në vitin 1989 ka qenë i detyruar të emigroj në Zvicër.
Veprimtaria patriotike e Nysret Krasniqit vazhdon edhe në mërgim, duke qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet në dobi të lirisë dhe çlirimit të Kosovës që ka organizuar mërgata në Zvicër dhe Europë.
Shembulli unikat i Nysret Krysniqit: kurrë asgjë nuk mori nga Kosova. Edhe pse ishte veteran i luftës çlirimtare, nuk aplikoi për statusin e veteranit, sepse i dukej se po i bëhej barrë buxhetit të Kosovës.
Nysreti ishte familjar. La pas vetës bashkëshorten dhe katër fëmijë.