ËSHTË NDRYSHE, NUK ËSHTË SI JU!
Shkruan: Bedri Islami
44-vjeçari, i cili pritet të marrë mandatin nga presidenti i Kosovës, për të formuar qeverinë e re të saj, është Albin Kurti. Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, politikani më i votuar në të dytën herë rradhasi, ka kohën e tij për të bërë gjithçka që do të jetë në dobi të shtetit të tij, të cilin herë e ka njohur e herë jo, por që, në mënyrën më të fuqishme të mundur, ka qenë opozitar me një ngrehinë pushtetore që kishte pritur 6 tetorin për të shkuar në shembjen e saj. Nuk është e rëndësishme se sa përqind votuan për vizionin e paraqitur nga ai dhe forca politike që drejton; e rëndësishme është se në të gjithë këtë pasiguri politike që ishte krijuar dhe që, si mendohet, do të thellohet më tej përmes Tribunalit Special, ai ishte i vetmi ku mund të besohej, dhe, megjithë figurën e Vjosa Osmanit, në krahun tjetër të politikës, me të cilën do të bashkëpunojnë, ai përfaqson të vetmen forcë politike në Kosovë, e cila, deri tani, nuk është provuar dhe të vetmin lider politik, emri i të cilit nuk është lidhur me pushtetin dhe aferat e tij.
Tani, koha është e tij dhe vitet që e presin mund të sjellin në qendrën e pushtetit një njeri, tek i cili, si ndodh në politikë, shumë besojnë se do të sjellë një erë të re, e, po ashtu, të tjerë, që presin padurimshëm bjerrjen e kësaj shprese.
Në Tiranë, fitorja e Kurtit, opozitar në të gjitha legjislaturat, ka ngjallur idenë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri, pasi, koha e opozitës për të qenë në pushtet ka një shembull dhe, sipas tij, duhen bërë edhe rotacioni politik. Mediat pranë opozitës e shohin këtë si gjysmën e rrugës së tyre, por ngjashmëritë mes Albin Kurtit dhe liderëve tanë, janë aq të pakta, sa janë edhe ndryshimet.
Albin Kurti është një politikan i lexuar, që njeh më shumë se çdo lider tjetër rrymat dhe filozofitë politike, që ndjek ecuritë e tyre edhe në ditët e sotme, dhe që, edhe në momente të vështira, ka pasur synimin e tij drejt rrjedhës së mendimit politik, filozofik dhe kulturor. Opozitarët në Shqipëri, të cilët kohët e fundit ai i ka takuar dhe me të cilët do të zhgënjehet shumë shpejt, janë , në fakt e kundërta e njeriut që do të drejtojë qeverinë e Kosovës. Përgjithësisht njerëz që janë hasmëruar me librin, të cilët, pasi kanë mësuar disa sllogane, qëndrojnë në drejtimin e partive ose të komanduar nga shefat e mëparshëm, ose partitë e tyre janë partiçka, të cilat , së bashku, nuk kanë votues për një grusht autobuzësh.
Albin Kurti vjen në qeverisjen e vendit pas 22 vite jetë politike. As nuk ia bëri kush dhuratë, si Lulzim Bashës, as nuk ia la bashkëshortja, si Monika Kryemadhit, as nuk ndërtoi një parti hije. Albin Kurti nuk doli një mesnatë nga zyrat e Ramiz Alisë, me porosinë e krijimit të një partie opozitare, as nuk e gjeti të gatshme si Nano, ku militantët janë më të devotshëm se sa liderët, as nuk e krijoi nga zemërimi i ndarjes si ishte fillesa e LSI-së, as nuk e ka të falur si Basha, e as parti të qokave, si janë tani me shumicë në Shqipëri. Për të shkuar drejt pushtetit bëri 22 vite rrugë nga përballja e parë me politikën; në këtë rrugë kishte edhe qasje të nxituara, edhe momente shpërthimi, largime e afrime; do të ketë edhe në të ardhmen ndodhi të tilla, sepse , si çdo gjë tjetër, në forcat politike pulson e drejta dhe ngutja e gabimi, njerëz të kënaqur me vizionin dhe të inatosur me të, por, atë që e ngriti e bëri mundimshëm, herë herë me forcë dhe më shpesh përmes filozofisë së tij politike, e cila, edhe pse duket si e së majtës, në fakt është një e majtë e qendrës, që lë shteg për bashkëpunim me të gjitha forcat politike.
Në ndërtimin e kësaj force politike ai kishte rreth vetes mjaft prej figurave të reja politike, të cilat kishin një fillesë të shkëlqyer atdhetare në trungun e tyre familjar, si Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Albulena Haxhiu e shumë të rinj të tjerë, që u formuan si njerëz të politikës nga rruga që bënë, por përkushtimin e kishin që në fillesë.
Albin Kurti bën pjesë në trupën drejtuese të Lëvizjes Studentore të vitit 1997. Një katërshe drejtuese, ku shquheshin Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli, Dritan Lajçi, Albin Kurti, së bashku me rektorin e Universitetit të Prishtinës, profesorin e shquar dhe atdhetarin e jashtëakonshëm, Ejup Statovci, do të jenë në ballë të demonstruesve. Të katërt kishin të përbashktat dhe të veçantat e tyre, por të të katër, pjesë të një lëvizje klandestine, do të jenë më pas në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në protestën masive ndodh edhe përplasja e parë, çka do të thotë pagëzimi i parë me politikën e ashpër. Mndoni tani liderët e opozitës: Basha erdhi në pushtet pa e ditur ende mirë se cilës parti i takon. Ia falën dhe manipuluan gjithçka që falja të ishte e ligjshme. Më shpejt erdhi në pushtet, se sa mësoi se çfarë është forca politike që e zgjodhi, pas rekomandimit të familjes kryeministrore. Ndërsa krahasimi me liderë të tjerë, Ndoka, Mejdiu, Shehu,Duka, që Berisha e quante dikur “Duka i krimit”, do të ishte i turpshëm.
Opozita në Shqipëri, edhe kur ka qenë në pushtet, edhe tani, kanë pasur, jo vetëm prirjen, por qëllimin, e përfitimit dhe, të gjithë, deri tek Dule, dhjaku i dikurshëm i lobit grek në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, janë sot ndër njerëzit më të pasur. Pronarë vilash dhe pjesë e resorteve, para të cilave blloku i dikurshëm duket si lagje e varfër; me lidhje të fuqishme oligarkie, herë herë edhe pjesë e rrjeteve kriminale, ndërtues të strukturave të mëdha të kultivimit të drogës, në fund të fundit, të gjithë të provuar dhe të gjithë të rrëzuar.
Ardhja në pushtet e opozitës në Shqipëri nuk do të bënte asgjë tjetër, veçse ndërrimin e kalit që tërheq qerren e pushtetit, por destinacioni i qerres do të ishte i njëjtë, ashtu si edhe ka ndodhur. Megjithë kalkulimet e prapshta politike e financiare të Edi Ramës, riardhja e opozitës, e kësaj opozite, nuk do të ishte asgjë tjetër veçse rifillimi i lojës së vjetër.
Kurti, besohet, do të sjellë frymë të re, të cilët këto , as nuk e kanë dhe as kanë ndër mend ta gjejnë.
Disa nga format e përdorura nga Lëvizja VV! Kanë qenë të ngjashme me ato që u përsëritën nga opozita e tashme; por, ndërsa në Prishtinë ata kishin tragjizmin e tyre, në Shqipëri kishin komedinë; nëse atje bëhej fjalë për çështje që [ lidhen me gjithë kombin dhe të ardhmen e tij, si Demarkacioni, që solli humbje të teritorit shqiptar, Asosacioni i Komunave serbe, që sjell rindarje të Kosovës, krijimi i Gjykatës Speciale, që akuzon një luftë çlirimtare dhe aministon krimin serb në Kosovë, në Shqipëri ata ishin tragjikomike; ata mbronin me çdo kusht një kryeprokuror që më pas do të jetë në listën e zezë të Departamentit të Shtetit, hidhnin çizme, dhe ishin çizme të shtrenjta, rrëmbenin kartonët e votimit të depuztetëve, krijonin skena plagosje, çupëlinat e parlamentit vetshpalleshin si Shotë Galica, dhe e gjitha për të ruajtur një korrupsion që e kishte futur në sirtar një shef prokurorie dhe që nuk i nxjerr dot as e tashmja.
Në parlamentin e Kosovës kishte hedhje të gazit tymues, por edhe demaskime të pushtetit, kishte braktisje të seancave, por jo të parlamentit, kishte denoncime të zgjedhjeve, por jo largim prej tyre.
Nëse Albin Kurti do të kishte ikur nga parlamenti dhe nuk do të futej në zgjedhje, ta zëmë , se nuk e do Hashim Thaçin president, dhe nuk e do vërtetë, e kjo është një luftë e shpallur që nga ditët e Rambujesë, pra, nëse do të strukej në zyrat e partisë, të shpejtonte në darkë për të patur orën e supës, të banonte në dy kate të tëra bashke me familjen vjehrrore; të bënte deklarata budallaqe si ato të Palokës, pra, të ikte nga përballja, VV do të shkonte drejt shuarjes dhe dëshira kryeministrore do të strukej në sirtarë.
Natyrisht, as ai nuk është imun ndaj mendimit ndryshe, dhe, një lider i duhur, e pranon këtë mendim. Pa mendimin ndryshe, asnjë forcë politike nuk mund të jetë e hapur, europiane, e vërtetë dhe moderne. Kurti duhet ta pranojë këtë, ashtu si duhet të ketë qartësim të saktë, pa ekuivok dhe serioz ndaj rritjes së ekstremizmit islamik, dukuri që po zë gjithnjë e më shumë hapësirë edhe në politikën shqiptare.
Dua të besoj se qeveritari i parë i Kosovës, që pas disa ditësh do të jetë në zyrën e tij, do e përceptojë vizionin e tij ndryshe nga qeveria e tashme në Shqipëri.
Në fakt, në dy anët e kufirit të përbashkët, kemi dy shefa qeverie që e përdorin fjalën si pak kush dhe kanë egon e tyre politike si pak të tjerë. Janë të gatshëm të përballen, por edhe të shtrijnë dorën, gjithnjë nëse i pari, Rama, e sheh çështjen e Kosovës, edhe përmes syrit të Prishtinës, dhe, i dyti, Kurti, e krijon hapësirën politike për të patur pjesë të atij vizioni që ka shfaqur dikur ndaj shtetit shqiptar, si pjesa më vitale e kombit.
Është koha kur të gjithë do të përpiqen të përfitojnë nga statura e re e shefit të qeverisë së ardhshme të Kosovës dhe, më pas, dikush do të zhgënjehet dhe do të fillojë agresivitetin ndaj tij, e dikush do të lehtësohet.
Do të sulen të përfitojnë arrivistët, në Prishtinë dhe në Tiranë, të mënçurit, në dy anët e kufirit, politikanët e rinj që aspirojnë një vend në sofrën e politikës dhe të vjetrit që nuk shkulen nga kjo sofër; do të ketë përpjekje për ta bërë si veten dhe për të ngritur një statujë fitimtari.
Në fakt, të gjithë, edhe analistët në Shqipëri, edhe përkrahsit e tashëm të Kurtit, që ishin deri para pak muajve kundërshtarët e denigruesit e tij, duhet të dinë dy gjëra: në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë mrekulli e jashtëzakonshme. Ka ndodhur një ndryshim, të cilin, shefi i ardhshëm i qeverisë e ka në dorë, ose ta kthejë në një mrekulli të shumëpritur, ose të bjerë në batakun e humbjes së shpresës.
Dhe e dyta, është koha të kuptojnë se ai, Kurti, është ndryshe, nuk është si ju, megjithëse të gjithë do të përpiqen ta bëjnë njërin nga ata.