Është në interes të Kosovës të përmbyllet dialogu me Serbinë

03 janar 2020 | 09:17

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh edhe zëvendëskryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se viti 2020 do të varet shumë prej vendimeve të cilat do të merren në Kosovë.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është në interes të Kosovës që të përmbyllet dialogu me Serbinë, të ngrehet flamuri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe të përmbyllet shtetndërtimi i Kosovës. Sipas Hoxhajt, Kosova nuk është në vitin ’99 dhe as partnerët tanë nuk janë në vitin ’99.

“As Kosova nuk është në vitin 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë, as konteksti global nuk është i njëjtë sikurse ka qenë në vitin 2008”, ka thënë Hoxhaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, në cilësinë e zëvendëskryeministrit në detyrë, sa ka arritur qeveria, në të cilën edhe PDK-ja ishte pjesë e saj, t’i përmbushë prioritetet për vitin që po lëmë?

Hoxhaj: Gjatë këtij viti janë kryer disa prej prioriteteve që i kemi pasur para vetes si Qeveri e Kosovës, ato të cilat kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve. Një pjesë e vendimeve natyrisht që kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike apo sociale në Kosovë. Marrë në tërësi, viti 2019 ka qenë më shumë vit i stagnimit dhe i një ambienti stagnues sa i takon vendimmarrjes në qeveri për shkak se kishim dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, pastaj zgjedhje të parakohshme dhe pothuajse gjysma e vitit ka shkuar në një situatë politike të jashtëzakonshme të mbajtjes së zgjedhjeve, të numërimit të votave, të përsëritjes së numërimit të votave, të një certifikimi të vonshëm të rezultatit zgjedhor, si dhe kemi një situatë ku thuajse pas tre muajsh kemi arritur ta konstituojmë Kuvendin e Kosovës, por nuk e dimë si do të jetë e ardhmja e mandatit të ri qeverisës të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Epoka e re”: A keni pritur këtë vit një qeveri në dorëheqje?

Hoxhaj: Nuk kemi pritur se do të ketë dorëheqje të kryeministrit Haradinaj, përkundër situatës jo të mirë në raport të tij me ftesën që mori për intervistë nga Gjykata Speciale. Z. Haradinaj e ka pasur mbështetjen e plotë që ta vazhdojë mandatin e kryeministrit dhe ne nuk kemi menduar që viti 2019 do të jetë një vit ku mund të ketë dorëheqje të kryeministrit dhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme dhe ta konsumojë pothuajse tërë vitin një proces i ri elektoral i parakohshëm.

“Epoka e re”: Sa keni qenë i kënaqur me punën e ministrave të PDK-së?

Hoxhaj: Veçanërisht ministrat e PDK-së kanë bërë një punë të mirë, por nuk dua t’i përjashtoj edhe kolegët e tjerë, mirëpo çdo qeveri matet jo vetëm në atë çfarë bën në kuptimin e asaj prej punëve të cilat janë të domosdoshme që duhet të përfundojnë, por qeveritë matën prej temave të mëdha nacionale. Mendoj se vendimi që kemi marrë si Qeveri e Kosovës që ta transformojmë FSK-në në një ushtri të plotë, një proces i cili ka qenë jetik për Kosovën dhe i cili është stërzgjatur ka qenë një vendim i mirëfilltë, pastaj mënyra se si kemi bërë përpjekje që të ballafaqohemi me Serbinë, që ta ndjekim një politikë të ballafaqimit me vendosjen e taksës ka qenë një rrugë e duhur, por mbajtja e saj në fuqi pa e përkthyer në një mbështetje të mirëfilltë ndërkombëtare është kthyer në disfavor. Dhe, po ashtu, mungesa e një politike aktive tonën që ta përmbyllim temën e liberalizimit të vizave e lë këtë temë edhe më tutje në tavolinë, ndërsa sektorë të ndryshëm i kanë kryer punët që do të duhej të bëheshin sipas planifikimit.

“Epoka e re”: Si PDK, a keni qenë të kënaqur me partnerët e koalicionit qeverisës?

Hoxhaj: Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë me z. Haradinaj. Ai e ka pasur mbështetjen tonë politike, por mes partnerëve të koalicionit në vitin 2019 ka qenë një lloj rivaliteti i brendshëm, ku shpeshherë nuk e kemi ditur se realisht kush është në qeveri dhe kush është në opozitë. Unë nuk dua që t’i shoh institucionet e vendit në një frymë të tillë, ku rivaliteti shpesh shndërrohet në një situatë të komplikimit të tejskajshëm të situatave politike. Fakti që nuk kemi mbërritur që ta çojmë mandatin deri në fund, përkundër ftesës së Gjykatës Speciale dhe faktit që të tre partnerët e koalicionit janë me këtë rezultat zgjedhor dhe kemi mbetur në opozitë, janë parametra matës që gjërat nuk kanë shkuar mirë siç është dashur të shkonin.

“Epoka e re”: Ky rivalitet u bë se kush e bëri ushtrinë dhe kush e vendosi taksën ndaj Serbisë?

Hoxhaj: Jo, është bërë më shumë me perceptimin e kryeministrit Haradinaj, se mund të marrë më shumë mbështetje elektorale, gjë që u pa se është e kundërta. Kjo është parë më shumë me një frymë e cila e ka përfshirë Kosovën, Ballkanin dhe Evropën, pra në nivel global u pa një lloj populizmi, ku njerëzit mund të kënaqen me tituj të fuqishëm në media apo me postime në rrjetet sociale. Ne kur kemi shkuar në vitin 2017 në zgjedhje kemi deklaruar se do ta bëjmë një qeveri të vendimeve të mëdha, meqë qeveria e z. Mustafa ishte bllokuar në vendimmarrje, sidomos sa i takon demarkacionit. Mendoj se disa punë janë kryer, por nuk kam ndonjë vlerësim superlativ, sepse pritjet tona kanë qenë krejt të tjera.

“Epoka e re”: Çfarë ndodhi me liberalizimin e vizave?

Hoxhaj: Nuk mendoj se liberalizimi i vizave ndërlidhet me mospunën tonë. Mendoj se si qeveri dhe fakti që edhe partnerët e koalicionit dhe ata që kanë kundërshtuar ratifikimin dhe, po ashtu, ata që e kanë shpikur si temë, në fund e kanë votuar. Çdokush duhet ta dijë se ne si Kosovë kemi plotësuar çdo standard të mundshëm për liberalizimin e vizave.

 

“Epoka e re”: Liberalizimi nuk ka pasur ndërlidhje me taksën?

Hoxhaj: Absolutisht jo, mirëpo mënyra se si BE-ja e ka trajtuar Kosovën dhe mënyra se si disa shtete anëtare e kanë trajtuar Kosovën ka qenë e padrejtë dhe ka dëmtuar edhe kredibilitetin e BE-së në Kosovë. Prandaj ne i kemi kryer të gjitha punët që janë vlerësuar prej Komisionit Evropian. Parlamenti Evropian ka miratuar raportin dhe mandej vendimmarrja është bllokuar te shtetet anëtare, më shumë për shkak të politikave të tyre të brendshme populiste dhe më shumë për shkak të mosinteresit që të merren me tema serioze në Ballkan, por nuk mund të fajësohet askush në Kosovë në vitin 2019 për atë që Kosova nuk i ka përmbushur standardet për liberalizim.

“Epoka e re”: Nuk ka qenë mirë as politika e jashtme.

Hoxhaj: Kosova në këta dy vjet nuk ka pasur politikë të jashtme. Politika e jashtme nuk bëhet me deklarata. Politika e jashtme bëhet me veprime konkrete në nivel rajonal, në nivel evropian dhe në nivel global. Vetëm fakti se si Tirana dhe kryeministri Rama janë sjell gjatë kohëve të fundit në raport me minishengenin dhe mungesa e komunikimit në mes të dy Ministrive të Jashtme, mungesa e komunikimit mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit Haradinaj dhe shkuarja e tij në Novi Sad, ku ne nuk kemi pasur asnjë informatë, shkuarja e tij në Ohër ku ne kemi marrë një lloj ftese, por pa kuptuar se cilat janë qëllimet e një termi të tillë apo qëllimi politik si minishengen. Po ashtu, edhe ftesa për presidentin pa një komunikim paraprak serioz, sepse në diplomaci nuk ke nevojë të prodhosh tituj, fillimisht flet zyrtarisht. Kjo tregon se ne kemi problem edhe në nivel rajonal me politikën tonë të jashtme. Minishengeni, si termi më i ri, tregu i përbashkët rajonal si term pak më i vjetër dhe unioni doganor, po ashtu si term më i vjetër, e kanë një histori dhe historia e tyre është që fillimisht politika serbe me ambicie që ta dominojë rajonin, e ka shpikur idenë e unionit doganor në shkurt të 2016-s. Diçka që unë e kam kundërshtuar i pari dhe haptas pas disa dokumenteve jozyrtare që kanë qarkulluar nga diplomatët serbë në Bruksel dhe disa qendra evropiane. Mandej ideja që të plasohet një treg i përbashkët rajonal që ne e kemi kundërshtuar dhe së fundi minishengeni janë në kontinuitet i cili ka karakterizuar politikën rajonale të Serbisë në tre-katër vjetët e fundit dhe mospjesëmarrja jonë ka qenë e drejtë. Ne në asnjë mënyrë nuk duhet ta ndajmë sovranitetin tonë me një shtet si Serbia që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, me Bosnjën e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Së këndejmi, kur kemi parasysh se vetë Serbia në tetor të 2019-s ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me komunitetin euroaziatik që udhëhiqet prej Rusisë, ku të gjitha shtetet e këtij komuniteti euroaziatik kanë marrëveshje të tregtisë së lirë me Serbinë. Ne, po ashtu, nuk duam ta ndajmë një sovranitet tonin me një kundërshtar strategjik të Kosovës në nivel global sikurse është Rusia. Prandaj, qëndrimet tona kanë qenë të matura. Mund të them se ne kemi bërë disa analiza në 2016-n, 2017-n, por edhe në 2019-n, se cila është kostoja ekonomike dhe cili është dëmi politik nëse Kosova i bashkohet një iniciative të tillë që është kryekëput kundër interesave të Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan.

“Epoka e re”: Po thirrja e Ramës që Kosova duhet të ishte pjesë e tavolinës?

Hoxhaj: Unë nuk dua që të flas se çfarë duhet të bëjë kryeministri i Shqipërisë. Unë i shoh shqiptarët kudo në rajon si faktorë në ngritje dhe në ardhje. Pra, nuk duhet të krijoj situata ku ne kemi mospajtime Tiranë dhe Prishtinë. Kur ne e zhvillojmë këtë bisedë unë edhe më tutje jam zëvendëskryeministër i Kosovës. Përshkrimi im i punës, në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjeve në fuqi dhe mandatit qytetar që kam marrë, është që t’i mbroj interesat e shtetit tim. Prandaj, mendoj se unioni doganor, tregu i përbashkët rajonal dhe minishengeni janë e njëjta gjë dhe janë në kundërshtim me çdo gjë çfarë ka ndjekur Kosova në politikën e saj rajonale. A kemi mundur që ne të jemi më aktivë?! Mendoj se po. Mendoj se është dashur që të bisedohet me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe duhet të bisedohet me Malin e Zi para se të mbahej samiti, meqë neve na duhen këto tri shtete për të pasur një lloj trekëndëshi rajonal që mbështet interesin tonë në rajon. Sikurse duhet të bisedohet edhe me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë se a është vërtet në interes të Evropës dhe a është në interes të ShBA-së që një treg i tillë të jetë zgjatje e Rusisë në Ballkan dhe një treg i tillë të jetë zgjatje dhe bërje e Serbisë, njëlloj faktori më të rëndësishëm edhe politik edhe ekonomik në Ballkan. Ne nuk duhet t’i shohim këto gjëra me naivitet, por duhet të krijohen partneritete, aleanca dhe duhet të veprohet në baza ditore që të ushtrohet politika e jashtme dhe të ketë një mendim të plotë gjeopolitik rajonal.

“Epoka e re”: Mesazhi juaj për 2020-n?

Hoxhaj: Mendoj se viti 2020 do të varet shumë prej vendimeve të cilat do të merren në Kosovë, se sa ne do të arrijmë të projektojmë politikë të jashtme. Janë disa tema të rëndësishme që janë në tavolinë, që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Unë e di që tema e dialogut me Serbinë nuk është një temë popullore; e di që Serbia po sillet edhe në 2019-n sikurse qe sjell në 1999-n; e di që presidenti serb, Vuçiq, e ka një gjuhë, diskurs politik me qëllime të njëjta sikurse që e ka pasur në vitin ’99 kur ka qenë ministër për Informim i Millosheviqit. Por, përkundër kësaj, politika dhe bërja e politikës në demokraci është një kontekst kompleks. Mendoj se është në interes të Kosovës që ta përmbyllim dialogun me Serbinë, ta ngrehim flamurin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës sepse as Kosova nuk është në ’99-n dhe as partnerët tanë nuk janë në vitin 1999, as Kosova nuk është në vitin 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë, as konteksti global nuk është i njëjtë sikurse ka qenë në vitin 2008. Ne nuk do të duhej në pafundësi, për shkak të mungesës së vullnetit dhe mungesës së besimit, të mos e marrim temën e dialogut mbi supet tona dhe si një elitë politike dhe shtetërore duhet ta përmbyllim këtë proces. Mendoj se tek pasi të ulemi në tavolinë ne mund ta dimë nëse marrëveshja është e favorshme për Kosovën dhe nëse përmbush interesat strategjike të Kosovës, por nuk duhet t’i themi jo tavolinës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Kosovës në futboll, Bernard Challandes në intervistë për…