“Është një kurth”, pse po lulëzon konspiracioni për Euron dixhitale në Europë

31 gusht 2023 | 21:16

Një teori konspirative po përhapet në të gjithë Europën. Nuk ka të bëjë me hardhucat në formë njeri, masonët apo Covid-in. Por për mikroçipat që implantohen nën lëkurë me synimin për t’i mbajtur njerëzit nën monitorim është paralajmërimi i Marc Friedrich, ekspert financash dhe një nga autorët më të shitur.

Nuk është thjesht një teori që ka ngjitur, por ka marrë trajtën e një paralajmërimi shqetësues, madje në Amsterdam janë mbajtur edhe mitingje publike për ta kundërshtuar një projekt të tillë.

Nga nis? Një version dixhital i euros – “cash” i ruajtur dhe i përdorur për pagesa nga smartfonët pritet të prezantohet nga Banka Qendrore Europiane deri në vitin 2026. Versioni dixhital i monedhës europiane do të zëvendësojë blerjet e bëra me kartë krediti ose transferta bankare ose edhe ato me para kesh. Në fakt, vetëm rreth një e treta e njerëzve në Evropë kanë dëgjuar për këtë projekt dhe shumë më pak se aq e kuptojnë.

Friedrich thotë se ky është një kurth dhe videot e tij në Youtube kanë grumbulluar më shumë se 350 000 abonentë. Për të, kjo nuk është një teori konspirative, por vetë frika se ku po shkon bota.

Është mjeti i përsosur për mbikëqyrjen dhe një diktaturë dixhitale.

Në këtë pikë duhet bërë e qartë se plani i BQE-së nuk përfshin vendosjen e çipave nën lëkurën e njerëzve.

Por është fakt se shumica e njerëzve që besuan në teoritë konspirative që shoqëruan pandeminë, besojnë edhe te kjo. Pyetja është pse.

Një studim i botuar në revistën shkencore “Plos One” tetorin e kaluar sugjeroi që konspiracioni që lidhet me COVID-in u hapi derën edhe teorive të tjera të kësaj natyre. Shoqërimi me individë që ndajnë të njëjtin mendim i shton gjasat që një njeri të marrë informacion edhe mbi teori të tjera konspirative.

Kjo ilustrohet nga komentet e shikuesve në videot e Friedrich-ut në YouTube: “Nëse nuk ju duhen sytë për të parë TANI, do t’ju duhen për të qarë më vonë”.

“Euroja dixhitale është një përshtatje ideale për njerëzit që kanë frikë se ata që drejtojnë kanë qëllime keqdashëse”, thotë për Politico.eu Javier Granados Samayoa, student postdoktoral në Qendrën e Politikave Publike Annenberg të Universitetit të Pensilvanisë dhe autori kryesor i studimit.

“Bankierët janë përfaqësimi i përsosur i njerëzve që kanë pushtet mbi ju dhe ju nuk e dini vërtet se çfarë po ndodh,” tha ai. “Këto lloj tregimesh përputhen me shqetësimet e përgjithshme të teoricienëve të konspiracionit”.

Peter Ditto, profesor i shkencës psikologjike në Universitetin e Kalifornisë dhe specialist mendimin konspirativ politik, thotë se trazirat e viteve të fundit kanë kontribuar në një epokë të re të teorive të vjetra. Edhe pandemia e COVID, kriza financiare, presidenca e SHBA-së te Donald Trump, Brexit dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë përmbysur shumë siguri të vjetra.

“Kur njerëzit mendojnë se po jetojnë në kohë “politikisht kaotike”, teoritë e konspiracionit lulëzojnë”, tha ai – dhe veçanërisht kur ata tashmë janë dyshues për motivet e fshehta të medias, qeverive dhe gjykatave.

Kjo e bën më të lehtë të besohet se ka “elita globale që po përpiqen të krijojnë një monedhë dixhitale në mënyrë që të mos ketë më para reale në botë”.

Ndërsa ligji për futjen e euros dixhitale pritet të prezantohet në muajt e ardhshëm, ata që janë angazhuar në hartimin e tij thonë se një nga përfitimet e saj është të konsolidojë një alternativë të mbështetur nga shteti, përballë kriptovalutave dhe planeve të Big Tech për të prezantuar paratë e tyre.

Ndër shqetësimet më të mëdha të njerëzve – e refuzuar nga qeveritë dhe bankat qendrore – është se monedhat dixhitale do të lejojnë shtetin të kufizojë atë që njerëzit mund të blejnë. Në Evropë, këto akuza shpesh lidhen me mishin ose karburantin, si një mënyrë për të kontrolluar obezitetin ose ndryshimin e klimës. Në SHBA, politikanët populistë argumentojnë se disa sektorëve të shoqërisë do t’u bëhet e pamundur blerja e armëve.

Ron DeSantis, ish-rivali i Donald Trump, është një prej tyre. “Ata do të ndalojnë blerjet e padëshiruara si karburantet dhe municionet”, tha ai gjatë një debati.

Në momentin që ju u jepni atyre fuqinë për ta bërë këtë, ata do të imponojnë një sistem krediti social në këtë vend. Është një kërcënim masiv për lirinë amerikane.

Edhe në Britani, Nigel Farage, një nga arkitektët e largimit të Britanisë nga BE, bën një lidhje të ngjashme.

“Dua ndryshime kulturore brenda bankave dhe ndryshime ligjore dhe nuk dua që paratë të dalin nga sistemi në një shtytje drejt monedhës dixhitale”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një modele e njohur në rrjet për rutinat e stërvitjes…