Është shmangur një aksident i rëndë ajror mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut
Një aksident i rëndë ajror për pak sa nuk ka ndodhur më datë 8 Maj të këtij viti, kur si pasojë e një gabimi të autoriteteve të kontrollit të komunikacionit ajror në vend, dy avionë kanë rrezikuar të përplasen mes veti.
Bëhet fjalë për një aeroplan të kompanisë Turkish Airlines i tipit Airbuss 330-200 që udhëtonte nga Atlanta për në Stamboll dhe një aeroplani tip Boing 737 – 7k2 i kompanisë Transavia, me relacion Telv Aviv – Amsterdam.
Incidenti ka ndodhur kur për shkak të përllogaritjeve të gabuara nga një punonjës në Kontrollin e Fluturimeve të Maqedonisë së Veriut, aeroplani me 335 pasagjerë që ka udhëtuar nga Atlanta – SHBA, pasi ka arritur në hapësirën ajrore sipër Liqenit të Dojranit, për pak sa nuk është përplasur me aeroplanin që ka ardhur në drejtim të kundërt dhe me 149 udhëtarë në bord.
Derisa aeroplani i Turkish Airlines ka udhëtuar qetë në rreth 9 mijë metra lartësi, në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut ka hyrë nga Mali i Zi dhe ka qënë në komunikim të vazhdueshëm me komandën e radarëve të RMV-së. Ndërsa aeroplani përballë tij, që sapo ka hyrë në hapësirën e Maqedonisë së Veriut, sipër Dojranit ka kërkuar të ngrihet në lartësi më të lartë, ndërsa kontrollori pa i bërë mirë llogaritjet ka lejuar këtë lëvizje të aeroplanit të Transavias, informon Lideri Ekonomik, transmeton in7.
Në momentet kur aeroplani i Transavias është ngjitur sipër, në lartësinë prej rreth 8800 metrash është shmangur përplasja me aeroplanin e Turkish Airlines dhe kjo për shkak të shkathtësisë së dy pilotëve të cilët e kanë vërejtur mundësinë e përplsjes dhe kanë manovruar për tu larguar nga njëri tjetri.
Aeroplanët kanë lëvizur drejt njëri – tjetrit me shpejtësi prej rreth 750 km/h, ku rrezikohej jeta e të paktën 480 udhëtarëve në të dyja bordet.