“Është si të luash me ruletën ruse”, çfarë është kokaina rozë që po përhapet frikshëm në Europë
Një koktejl drogash sintetike e njohur si kokaina rozë është kthyer në shqetësim të madh në Spanjë, Britani dhe gjetkë.
Në fillim të këtij muaji, autoritetet spanjolle sekuestruan sasinë më të madhe të drogës sintetike në historinë e tyre, ku përfshihej kokaina rozë dhe një milion pilula ekstazi.
Operacioni u fokusua në rrjetet e trafikut të drogës në Ibiza dhe Malaga.
Kjo substancë e rrezikshme lidhet me rritjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga droga.
Pavarësisht emrit, kokaina rozë nuk përmban domosdoshmërish kokainë.
Zakonisht është një përzierje e disa substancave të tjera, si MDMA, ketamina dhe 2C-B. MDMA, e njohur gjerësisht si ekstazi, është një stimulues me veti psikodelike, ndërsa ketamina është një anestetik i fuqishëm që ka efekte qetësuese dhe halucinogjene. Drogat 2C klasifikohen si psikedelikë, por mund të kenë edhe efekte stimuluese.
Kokaina rozë, që zakonisht gjendet në formë pluhuri ose pilule, njihet për ngjyrën e saj të fortë, e krijuar posaçërisht për të tërhequr vizualisht. Ajo ngjyroset me ngjyrues ushqimore dhe ndonjëherë i hidhet aromë luleshtrydhe ose aromatizues të tjerë.
Forma origjinale psikodelike e drogës daton në vitin 1974 dhe u sintetizua për herë të parë nga biokimisti amerikan Alexander Shulgin. Por varianti modern u shfaq rreth vitit 2010 në Kolumbi dhe është një imitim.
Droga fitoi popullaritet në festat në Amerikën Latine dhe tani është përhapur në Evropë.
Kjo drogë, përveç “kokaina rozë” njihet edhe me emrat si “tuci” tek “venus” dhe “eros”.
Kokaina rozë e ditëve të sotme është një përzierje e paparashikueshme substancash dhe pikërisht këtu qëndron pjesa më e madhe e rrezikut të saj. Përdoruesit shpesh presin një stimulues të ngjashëm me kokainën, por përfshirja e ketaminës mund të shkaktojë rreziqe serioze për shëndetin.
Abuzimi me ketaminën, e cila njihet gjerësisht si drogë diskotekash, mund të shkaktojë humbje të vetëdijes ose vështirësi në frymëmarrje. Kjo, nga ana tjetër, rrit rreziqet e mundshme të kokainës rozë.
Pamja e saj estetike dhe statusi i saj si një “drogë sintetike” kanë kontribuar që kjo drogë të tërheq veçanërisht të rinjtë dhe përdoruesit e rinj.
Ekspertët e krahasojnë përdorimin e kokainës rozë me lojën e ruletës ruse, duke nënvizuar natyrën e saj të paparashikueshme dhe të rrezikshme.
Droga është përhapur përtej Ibizas në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka prova se ka fituar terren në Skoci, në disa zona të Uellsit dhe Anglisë. Përtej Atlantikut, Nju Jorku ka parë gjithashtu një rritje të përdorimit.
Autoritetet shëndetësore në të gjithë Evropën janë të alarmuar. Kokaina rozë është e vështirë të zbulohet përmes testeve standarde të drogës. Ajo shitet për rreth 100 dollarë për gram në Spanjë dhe shpesh tregtohet si një produkt i nivelit të lartë.
Popullariteti në rritje i kokainës rozë është një alarm i fortë në peizazhin gjithnjë në ndryshim të drogave të paligjshme, ku estetika, tendencat e mediave sociale dhe sjellja e rrezikshme mund të kombinohen për të krijuar kërcënime të reja.
*Autori Joseph Janes është profesor i Kriminologjisë, Universiteti Swansea, MB
*Ky artikull u botua në The Conversation