Eshtrat e Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit kthehen në Kosovë

20 shtator 2018 | 19:36

Republika e Kosovës ka pranuar nga shteti i Shqipërisë eshtrat e kolonel Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit, të cilët do të rivarrosen nesër në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

Pranim-dorëzimi i trupave u bë sot në pikën kufitare në Vërmicë nën përkujdesjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku me nderime shtetërore arkivolet u futën në Republikën e Kosovës.

Familjarë të Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit dolën sot në kufi me Shqipërinë ku u bë bartja e eshtrave të më të dashurve të tyre.

Bashkë me familjarët, aty dolën edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha.

Kreu i FSK-së me këtë rast tha se është e vështirë të përshkruhet me pak fjalë vepra e Ahmet Krasniqit. “Është një ditë e veçantë, sepse në mënyrë shtetërore në përcjelljen e FSK-së dhe shtetit shqiptar, po bëhet rivarrimi i tyre me nderimet më te mëdha shtetërore dhe ushtarake…Kam pas rast ta njoh Ahmet Krasniqin në Kroaci, ishte një oficer ushtarak i zoti, profesionist i mirë, organizator i mire dhe rrjedh nga një familje patriotike, prandaj është problem që me pak fjalë të përshkruhet i tëre kontributi i tij për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Nesër prej orës 10:00 deri në 12:00 do të ketë homazhe në Parlamentin e Kosovës, në 12:30 do të ketë akademi përkujtimore. Ndërsa në orën 14:00 do të jetë ceremonia e rivarrimit në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

 

Ndryshe, kohë më parë Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për kthimin e eshtrave të Qazim Jakupit dhe Ahmet Krasniqit në vendlindje, përcjell “Kosovapress”. Qazim Jakupi është babai i këngëtares Leonora Jakupi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni legjendar i skuadrës së Romës, Francesko Totti, ka zbuluar…