ESKADRONËT E VDEKJES, KRONIKË E KOMUNIKIMEVE DISINFORMUESE, SHTYLLË E SË VËRTETËS NË PROCESIN E DREJTËSISË TRANZICIONALE

10 janar 2025 | 16:23

Nga Dr. Valbona Emini Pllaha

E vërteta që nuk thuhet tretet dhe shuhet”

Abstrakt

Eskadronët e vdekjes me autor Bardhyl Mahmutin është një roman historik, kronikë që flet të vërtetën dhe shërben si mburojë ndaj komunikimeve disinformuese, një kontribut i rëndësishëm në proceset e realizimit të drejtësisë tranzicionale. Kronika e një kasaphane të pajis me njohje të thellë dhe të detajuar për gjenocidin që përjetoi Kosova në vitet ‘98-’99 dhe përmes situatave të përshkruara qartësisht na sjell në vëmendje se rruga e drejtësisë është plot pengesa dhe peripeci. Po ashtu, duke përballëvënë komunikatat zyrtare serbe të publikuara me rrëfimet reale të dëshmuara, fjalën e lirë dhe rreziqet që vijnë prej saj autori na fton në reflektim dhe gjykim kritik të ngjarjeve për të cilat shpesh e vërteta është fshehur, devijuar dhe manipuluar.

I qasemi “Eskadronëve të vdekjes” për të kuptuar rëndësinë e dokumentimeve, shkrimeve në formën e kronikave dhe dëshmive me besimin se vepra të tilla i shërbejnë jo vetëm proceseve të drejtësisë por edhe ndërtimit të kujtesës kolektive mbi themelet e së vërtetës, si një element i domosdoshëm në parandalimin e përsëritjeve të ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Kronika e një kasaphane i ofron lexuesit një dritare njohjeje nga disa këndvështrime, madje edhe përmes optikës së palës armike që mund të shërbejë si “Kalë Troje” në proceset e drejtësisë tranzicionale kryesisht në shtyllën e parë kryesore të saj “njohja e së vërtetës”.

Fjalë kyçe: Disinformim, dëshmi, njohja e së vërtetës, kujtesa kolektive, gjenocid, drejtësi tranzicionale

E drejta për të njohur të vërtetën si një ndër shtyllat kryesore të drejtësisë tranzicionale

Verba volant, scripta manent është postulati që kam zgjedhur të hap këtë studim duke dashur të theksoj rëndësinë e shkrimeve që dokumentojnë ngjarjet konfliktuale, si domosdoshmëri për popujt që përjetojnë mizori masive të shkaktuara nga udhëheqës diktatorialë apo shtete të drejtuara nga interesa politike, ekonomike, etnike, sociale, gjeopolitike etj. Në këtë fokus e kemi renditur veprën e Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes: kronikë e një kasaphane” si një ndër veprat me vlerë Scripta Manent pasi mendojmë që do t’i shërbejë zbardhjes së çështjeve që lidhen kryesisht me ngjarjet e ndodhura në Kosovë në vitet 1998-1999, duke veçuar rëndësinë e njohjes së të vërtetës, parandalimin e zhbërjes dhe trasformimin e saj, si një element thelbësor në procesin e drejtësisë tranzicionale. Kur flasim për drejtësi tranzicionale[1] duhet të kemi parasysh se ky term është shfaqur për të përshkruar një shoqëri që merret me abuzimet e të drejtave të njeriut në të kaluarën, trajton mizoritë dhe ju qaset abuzimeve jo vetëm me mjete juridike por dhe ato jojuridike.

Për të treguar rëndësinë dhe rolin e kësaj vepre dhe veprave të ngjashme në procesin e drejtësisë, është me rëndësi të fokusohemi në studimin objektiv të rrëfimit, renditjes së dëshmive dhe gjendjeve të përjetuara, akuzave, problemeve dhe zgjidhjeve të mbetura pezull, dokumentimeve zyrtare, proceseve gjyqësore etj., pasi besojmë se çdo studim do t’i shërbejë mbrojtjes së të vërtetës së një kombi, të vërtetat e të cilit klithin nga terrori, padrejtësia dhe abuzimi.

Bardhyl Mahmuti përmes rrëfimeve krejtësisht të vërteta, të vendosura herë në personazhe realë dhe herë në personazhe imagjinarë[2]na ka njohur me ngjarjet e ndodhura në Kosovë kryesisht në fund të viteve ’90. Kronika e një kasaphane është rrëfim dhe dokumentim qysh në pjesën e parë dhe kështu vazhdon të jetë në 9 pjesët e veta duke i plotësuar situatat e përshkruara me dëshmi të ndryshme, nga këndvështrime të ndryshme: të viktimave, fajtorëve, urdhëruesve, zbatuesve etj. Por në ndryshim nga veprat e tjera në të cilat vdekja është ajo që sjell trishtimin, këtu nuk është vdekja si e tillë, nuk është vdekja në vetvete ajo që ngjall dhimbjen, mëshirën dhe zemërimin, por format e zgjedhura dhe torturat barbare. Ndaj mendojmë se Eskadronët e vdekjes janë si “Ferri” i Dantes, rrathët e së cilit janë të mbushura me gjak, përdhunime, abuzime, vrasje fëmijësh e pleqsh, llamba kafkash[3], foshnja të ngulura në thika, kufoma të ngrira, viktima të varrosura dhe zhvarrosura, gjymtyrë të thyera, tortura e kërcënime…

Në vepër autori e pasqyron me detaje se me çfarë agresioni ju desh të përballej popullit shqiptar të Kosovës, rrëfen dhunën, vrasjet, përdhunimet, bastisjet, po ashtu transformimet, manipulimet, heroizmat dhe antiheroizmat dhe për ironi të fatit tregon edhe më qartë se “terroristët” shqiptarë për të cilët propagandonin mediat serbe dhe me të cilët u përballën serbët nuk ishin veçse fëmijë, gra, pleq, civilë të paarmatosur…. Këtë e pohojnë edhe vetë ushtarët serb, ndër të cilët Rade M. i cili shprehet se nuk ka pasur asgjë heroike, asgjë që të na bëjë të mburremi, kemi përdorur tanket kundër grave, fëmijëve, pleqve, plakave dhe njerëzve të paarmatosur…[4]Përmes njohjes së veprave të tilla dhe përballjes me të vërtetën pengohet disinformimi publik dhe mbrohet kujtesa kolektive, vlerësohen traumat e një shoqërie postgjenocidi dhe dëmshpërblehen viktimat, merren masat për ndëshkime penale dhe vendosen para drejtësisë fajtorët e vërtetë.

Nëse ne ende sot gjendemi përballë pyetjes: “Si është e mundur që eskadronët e vdekjes i kanë shpëtuar ndëshkimit [5]do të thotë që drejtësa tranzicionale po shmanget dhe të vërtetat që nuk sjellin ndëshkim i vrasin sërish viktimat.

Ndaj që të funksionojë si duhet drejtësa tranzicionale [6] duhet që procesi të jetë i besueshëm dhe transparent, të qendrojë mbi interesat individuale, të shmangë nxitjen e urrejtjes dhe të qartësojë jo vetëm të vërtetat e së shkuarës por edhe të marrë masat e duhura dhe t’i shërbejë ndërtimit të paqes mbi themele që nuk do të lëkunden sërish në të ardhmen për interesa etnike, politike, ekonomike e gjeopolitike. Duhet të jetë një proces që vëzhgon dhe studion situatat aktuale dhe ndikon në parandalimin e përsëritjes së ngjarjeve të dhunshme në të ardhmen.

Këtij procesi të bazuar në katër shtylla kryesore [7] që lidhen kryesisht:

  1. me të drejtën për të njohur të vërtetën,
  2. të drejtën për të siguruar drejtësi,
  3. të drejtën për dëmshpërblim
  4. garancinë për mospërsëritje, [8]

duhet t’i bashkohen proceset e reformave institucionale përkatëse që sigurojnë zbatimin dhe përmbushjen e kritereve me korrektësi dhe transparencë, konkretisht:

  1. krijimi i komisioneve të së vërtetës,
  2. ndjekja penale e fajtorëve;
  3. krijimi i institucioneve që vlerësojnë dëmin (fizik, emocional, material, social etj.) dhe sigurojnë jo vetëm shpërblime monetare por edhe simbolike (krijimi i vendeve të kujtesës, datave përkujtimore, aktiviteteve sensibilizuese, vlerësimi i figurës së viktimave etj.),
  4. krijimi i reformave institucionale për garantimin e sigurisë dhe mospërsëritjes së mizorive masive [9].

Këto procese janë tregues të qartë të veprimeve që instancat kombëtare e ndërkombëtare duhet të ndërmarrin për t’u angazhuar seriozisht me të shkuarën e popujve që kanë qenë viktimë e gjenocidit, me qëllim parandalimin e dhunës dhe krijimin e një të ardhmeje më të sigurt. Ndaj nëse ky proces realizohet si duhet dhe në kohën e duhur, e vendos të vërtetën në themele të palëkundura nga disinformimet e prodhuara në masë që përhapen në forma nga më të ndryshmet, të nxitura nga interesa që e devijojnë fokusin kryesor.

Duhet të kemi parasysh që disinformimi në shoqëritë që janë përballur me konflikte dhe mizori, nxit urrejte, rebelim dhe akte të dhunshme, disinformimi e vesh fajtorin me pafajësi dhe viktimën e kthen në terrorist. Pikërisht ky është një ndër problematikat që autori e trajton shpesh në vepër duke e vendosur theksin te ndikimi që transformimi i së vërtetës ka te marrësi, por edhe në proceset e drejtësisë, ndaj përmes rrëfimeve njihemi me format e ndryshme të disinformimit që prodhon media e drejtuar nga politika (qeveritarët) serbe përmes propagandës kryesisht:

  • ndaj qytetarëve të vet, rezervistëve, ushtarakëve dhe policëve serbë me qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mobilizimin për luftë ndaj shqiptarëve të Kosovës (të etiketuar prej tyre si “terroristë”);
  • ndaj ndërkombëtarëve për të fshehur të vërtetën, për t’u shfajësuar dhe për të përfituar ekonomikisht, politikisht etj.

Nëse lexojmë rrëfimin e tankistit serb “T84” kuptojmë qartë sesi shumë krime të forcave të armatosura serbe iu adresoheshin shqiptarëve të Kosovës e veçanërisht UÇK-së: Pas tërheqjes së këmbësorisë, në fshat u futën njësitet e Forcave të veçanta policore dhe eskadronët e vdekjes. Edhe pse na u komunikua se kishim shkatërruar zonën që konsiderohej si Zonë e Terroristëve, artileria vazhdonte të bombardonte Bjeshkët e Berishës, ndërsa ne u urdhëruam të ktheheshim te Kryqi i Komoranit… Të nesërmen secilit prej nesh na sollën nga një kopje të shkrimit të titullar “Xhelatët e Kleçkës”, të publikuar në gazetën serbe. Dëshmi të tmerrshme! Terroristët e së ashtuquajturës UÇK kishin aplikuar recetat e nazistëve të Aushviçit.

Po ashtu edhe rasti i vrasjeve në kafenenë “Panda”[10] ishte një veprim i mirëmenduar disinformimi për nxitje zemërimi dhe mobilizimi në luftë kundër shqiptarëve. …shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë, RadomirMarkoviq, që shpresonte të përfitonte nga hedhja e përgjegjësive te të tjerët, nxori në shesh sekretin më të madh shtetëror: Vrasja e djelmoshave serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda” në Pejë ishte organizuar nga shefi i Beretave të kuqe”.

Kjo ishte një praktikë e përdorur shpesh nga forcat serbe ndaj e shohim edhe në raste të tjera, konkretisht : I shqetësuar nga veprimet e forcave tona, doktori (Branimir Gjokiqi) kishte kërcënuar komandant Nenad Stojkoviqin se, kur të kthehej në Serbi, do të tregonte çdo gjë që kishte parë. Dy ditë më vonë, polici Goran Stamenkoviq, i cili rrinte gjithmonë afër komandantit, e vrau doktorin. Disa minuta pas vrasjes u lëshua kumtesë zyrtare, që ishte përpiluar paraprakisht, në të cilin thuhej se doktori ishte vrarë heroikisht në përleshje me forcat terroriste të UÇK-së. 11]

Në këtë kuadër mendojmë që vepra “Eskadronët e vdekjes: kronika e një kasaphane”, vjen si një mburojë që na mbron dhe nuk na lejon të biem pre e manipulimeve mediatike e politike, të përhapura shpejt dhe gjerësisht sidomos nga zhvillimi digjital i viteve të fundit përmes rrjeteve sociale, por jo vetëm. Është me rëndësi që ngjarjet e rrëfyera në vepër të njihen nga publiku, të vijojnë të dokumentohen që të tregojnë dimensionin e vërtetë të asaj që ka ndodhur për të ndarë viktimën nga abuzuesi, robin nga pushtuesi, të vetëmbrojturin nga armiku, përndryshe rrezikon që ngjarjet dhe e vërteta të tjetërsohen dhe rrezikon që raportet të përmbysen sërish në kurriz të viktimave madje ndodh që armiku të trajtohet si hero dhe viktima si armik. Dhe kjo absolutisht nuk duhet të lejohet, për asnjë arsye, marrëveshje apo përfitim politik.

Kur flasim për të vërteta kemi parasysh ngjarje makabre që i përjetuan dhe u përballën njerëz të pafajshëm, në tokën e vet: …para se t’ia përplasja derën, i thashë se ata nuk kanë vdekur por i kemi vrarë në shtëpitë e tyre.[12] Janë bombardimet, vrasjet, abuzimet, torturat, plaçkitjet, janë terroret e natës dhe shtëpitë e djegura, janë varret masive, gjymtyrët e thyera të shqiptarëve në burgjet serbe, janë trupat që digjen në shkritore dhe kamionët frigoriferik me të cilat njihemi në vepër përmes rrëfimeve: Kufomat e zhvarrosura i ngarkuam në kamionin frigoriferik…[13]Në familjen Gërxhaliu të këtij fshati, në sy të prindërve kishin vrarë njëri pas tjetrit 7 fëmijë të mitur, pastaj kishin ekzekutuar prindërit e fëmijëve dhe, në fund gjyshen plakë…Ndërkaq vetë në shtëpinë e familjes Pasoma të Vushtrrisë u vranë 64 perosna.[14]

Të vërtetat e mizorive të kryera rrjedhin ndër vite siç rrjedh edhe rrëfimi me formën e zgjedhur të shkrimit që të çon me shpejtësi nga një gjendje në një tjetër, nga një ngjarje në një tjetër, nga një abuzim në një tjetër, nga një torturë në një tjetër, nga një varr në një tjetër. Nëse njihemi me to mund të ndërtojmë themele të forta të kujtesës kolektive të cilat e qetësojnë një shoqëri që ka nevojë të shohë para dhe të zhvillohet, një shoqëri me vlera dhe parime që është e vetëdijshme për të shkuarën e vet dhe nuk e shkel të vërtetën saj. Nëse të vëretetat nuk njihen si duhet dhe nuk vijon procesi i drejtësisë atëherë kjo shoqëri do të vazhdojë të jetojë me të kaluarën dhe me traumat e saj, pasi zërat e viktimave të së shkuarës nuk mund të heshtin në ndërgjegjen e tyre.

Dihet që në shoqëritë e “postmizorive”[15], dhuna e së shkuarës vijon të luajë një rol të veçantë jo vetëm në të tashmen por edhe të ardhmen dhe në thelb drejtësia tranzicionale dhe parandalimi janë masat që duhet të marrë një shoqëri për të kapërcyer vuajtjen, për të nderuar dhe kujtuar viktimat e së shkuarës, dhe për të jetuar në të tashmen pa mbartur në shpatulla të shkuarën dhe fajtorët e saj. Përndryshe nëse ngjarjet nuk dokumentohen dhe nuk trajtohen si duhet, por manipulohen, risku i nxitjes së pakënaqësive dhe rikthimit të ngjarjeve të dhunshme sërish në të tashmen do jetë gjithmonë i pranishëm. Një popull që ka kaluar një gjenocid mund ta kapërcejë peshën e vdekjes dhe terroreve, por nuk e toleron abuzimin me të vërtetën dhe tjetërsimin e saj.

Ndaj ritheksojmë rëndësinë e dokumentimeve që tregojnë me vërtetësi atë që popullit ju desh të kalonte dhe jo atë që interesat ekonomike, gjeopolitike apo ndërkombëtare parashikojnë. Ndaj besojmë se njohja me të vërtetën, përballja me të, është një proces i rëndësishëm që duhet të ndodhë njëherë dhe përgjithmonë si një proces thelbësor në ndërtimin e paqes dhe shoqërive demokratike. Është detyrë e të gjithëve ne, qyetarëve të thjeshtë, gazetarëve, dëshmitarëve, studiuesve, gjyqtarëve, politikanëve, ndërkombëtarëve që të vijojmë zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura për ta ndërtuar të vërtetën me të gjitha dimensionet e saj, pa u frikësuar dhe pa u ndier të kërcënuar nga askush.

“Shpaliri”[16] ndaj popullit shqiptar nuk duhet të zgjasë përjetësisht.[17] E vërteta e shqiptarëve nuk mund të mbetet mes shpalirëve serbë dhe të dhunohet e tjetërsohet prej tyre.

Kronika e një kasaphane është kronika e një gjenocidi që nuk u parandalua

Kur flasim për gjenocid kemi parasysh që gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët gjermanë kryen krime të tmerrshme që askush nuk dinte si t’i përkufizonte. Në këtë kontekst, juristi polak me origjinë hebraike, Rafael Lemkin, krijoi fjalën gjenocid, si neologjizëm, duke përdorur fjalën greke genos, që do të thotë fis, dhe prapashtesën latine cide, që do të thotë vrasje (akti i vrasjes), çështje e trajtuar gjerësisht në veprën e tij: “Axis rule in occupied Europe”[18] e publikuar më 1944.

Sipas tij me gjenocid do të kuptojmë: një plan të koordinuar veprimesh të ndryshme me qëllim shkatërrimin e themeleve thelbësore të jetës së grupeve kombëtare, popujve, me synim asgjësimin e tyre. Objektivat e një plani të tillë ishin shpërbërja e institucioneve politike e shoqërore, e kulturës, e gjuhës, e ndjenjave kombëtare, fesë, ekonomisë po ashtu shkatërrimi i sigurisë personale, lirisë, shëndetit, dinjitetit dhe madje edhe jetës së individëve që i përkasin këtyre grupeve. Gjenocidi drejtohet kundër grupit kombëtar si ent dhe veprimet e përfshira drejtohen kundër individëve jo si individë, por si anëtarë të grupit kombëtar. [19]

Mirëpo u desh të përfundonte Procesi i Nurembergut, që çështja e përkufizimit të krimeve të kësaj natyre të shtrohet në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në seancën plenare të pesëdhjetë e pestë të mbajtur më 11 dhjetor 1946, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën, në të cilën gjenocidi cilësohet si “mohimi i së drejtës për ekzistencë për grupe të tëra njerëzish, në të njëjtën masë siç është homicidi mohim i së drejtës së një individi për të jetuar”… “Është krim i së drejtës ndërkombëtare, i cili i ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzimit” duke “shkatërruar tërësisht ose pjesërisht grupe racore, fetare, politike ose grupe të tjera”. Si i tillë “gjenocidi është në kundërshtim me frymën dhe qëllimet e Kombeve të Bashkuara dhe i dënueshëm nga e tërë bota e civilizuar”[20].

Prandaj Asambleja e Përgjithshme e OKB-së “ftoi shtetet anëtare, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme legjislative për të parandaluar dhe dënuar këtë krim; rekomandoi të organizohet bashkëpunimi ndërkombëtar i shteteve, me qëllim që të ndërmerren sa më shpejt masa parandaluese kundër krimit të gjenocidit dhe ta lehtësojnë ndëshkimin e tij”[21], ndaj më 9 dhjetor 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, që shënon një moment kyç në formësimin e së drejtës penale ndërkombëtare.

Në vijim të zhvillimit të akteve normative të së drejtës penale ndërkombëtare , u miratua Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare[22] dhe në fund, më 2010, edhe teksti i tretë themelor juridik i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Elementet e krimeve[23].

Në përkufizimin e krimit të gjenocidit sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Statutit të Romës karakteristikë e krimit të gjenocidit është “vënia në shënjestër e një grupi kombëtar, etnik, racial ose fetar, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, grupi si i tillë.” Për të shmangur spekulimet lidhur me numrin e krimeve të kryera që një akt të cilësohet si gjenocidal, teksti themelor “Elementet e krimeve” saktëson se aktet gjenocidale të numëruara në paragrafët a), b), c), d) dhe e) duhet të jenë kryer kundër një ose ose më shumë personave, me qëllim që të shkatërrohet, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar si i tillë.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe saktësimet juridike hapën mundësinë që të rritet ndërgjegjësimi ndërkombëtar se “gjenocidi i ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzimit”.

Gjenocidi në Kosovë ishte një “gjenocid i paralajmëruar” nëse i referohemi ngjarjeve të ndodhura edhe më herët se ato të vitit 1998 dhe fqinjësisë gjithnjë të tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës. Sinjale paralajmëruese dhe ‘flamujt e kuq alarmantë’ që i paraprijnë një lufte si ajo me të cilën u përball Kosova kanë qenë gjithmonë të pranishëm, pasi kemi parasysh krimet e tmerrshme që kanë bërë serbët që nga koha e kryengritjes së parë dhe të dytë serbe të fillimshekullit të XIX; shkatërrimi i tërësishëm i çdo gjëje që lidhet me identitetin e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit në në periudhën 1877-1879; krimet monstruoze gjatë luftërave ballkanike 1912-1913; krimet ndërmjet dy luftërave botërore; krimet në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe krimet gjatë tërë periudhës që i parapriu shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë, ishin indicie të mjaftueshme se ndodheshim përpara një “gjenocidi të paralajmëruar”. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja se përse nuk u ndërmorrën të gjitha masat e nevojshme dhe zgjidhjet efikase, marrëveshjet e nevojshme, politikat e duhura që i ndalonin konfliktet mes popujve, qofshin këto konflikte etnike, sociale, ekonomike apo gjeo-politike.

Nga sa përmendëm është e qartë që gjenocidi në Kosovë nuk ndodhi menjëherë dhe brenda një nate, por erdhi si pasojë e marrëdhënieve konfliktuale të cilat ishin “faktorët e riskut” që u anashkaluan dhe nuk u vlerësuan si duhet nga politikëbërësit kombëtarë e ndërkombëtarë, faktorët e riskut që duhet të ishin identifikuar dhe parandaluar para se konflikti të kalonte në mizori masive, por kjo nuk ndodhi për interesa të njohura dhe të panjohura për popullin. Ndaj gjenocidi ka fajtorë po aq sa ka viktima, dhe fajtorët duhet të përballen me dënimet.

Shpesh refuzohet termi gjenocid për atë çka ndodhi në Kosovë ndaj është me rëndësi të vlerësohet fakti që autori përpiqet të japë dimensionin e vërtetë të ngjarjeve të ndodhura përmes dëshmive të renditura të cilat janë të shumëllojshme dhe cekin forma nga më të ndryshme të abuzimit, mes të cilave:

  • Plaçkitje dhe vrasje fëmijësh: Në kohën kur bëhej ndarja e njerëzve në dalje të një fshati në Klinë, Cërni nga Z. iu afrua një burri të moshuar, që mbante në krahë një fëmijë 3-4 vjeç. I shkuli fëmijën nga krahët dhe me thikën në fytin e fëmijës i kërkoi 20 000 marka gjermane, që ta linte gjallë. I thyer nga pafuqia për të mbrojtur fëmijën, shqiptari nxorri rreth 5000 marka, aq sa kishte. Cerni e kapi fëmijën prej flokësh dhe ia preu kokën…[24] Si i çmendur kërkoi të nxirrnin çdo gjë me vlerë që kishin fshehur, përndryshe të gjithë do t’i shkonte në thikë…[25]
  • Bombardime, bastisje dhe pushkatime: Gjithë mburrje, Dejani na tregoi si e kishin bombarduar fshatin tërë ditën dhe tërë natën dhe se në mëngjes kishin gjetur mijëra familjarë terroristësh të strukur në një lug. Pasi kishin bërë bastisjen e tyre dhe u kishin marrë çdo gjë me vlerë, për të mos pasur mundësi t’i këmbenin me armë, kishin ndarë të aftit për pushkë dhe ua kishin dorëzuar eskadronëve të vdekjes. Nga këta kishin veçuar 33 vetë, të cilët i kishin dërguar në një kanal rreth 200 m më larg, në afërsi të pyllit. I kishin detyruar të ktheheshin në drejtim të pyllit dhe u kishin thënë të iknin. “Askush nuk zbatoi urdhrin dhe në luftë moszbatimi i urdhrit parasheh dënimin me pushkatim,”- na tha me tallje Dejani.[26]
  • Përdhunime, shtëpi dhe trupa të shkrumbuara: Në brendi të shtëpisë gërmadhë, ku trarët dukeshin si zorrë nëpër këmbë, kundërmonte erë gjaku dhe gome të djegur. Në “dhomën e argëtimit”, siç e quajti Dragani një hapësirë me mure të shkrumbuara, kishin shpëtuar pa u djegur tërësisht katër kufoma vajzash të reja , të cilat “kishin shërbyer” deri në momentin e vrasjes…[27]
  • Varreza masive dhe zhvarrime: Për shkak të baltës së madhe, eskavatori nuk mund të hynte në vendin ku ishin varrosur 127 kufoma. Zhvarrimin e bënë ushtarët dhe policët që na shoqëronin dhe 6 punëtorë të Ndërmarrjes Komunale të Pastrimit. Në dy kamionë frigoriferikë ngarkuam baltë e kufoma pleqsh, grash, fëmijësh dhe i nisën në drejtim të Mitrovicës.[28]
  • Tortura për pranim akuzash të rreme: Ti nuk e ke idenë sa e kam dëshiruar vdekjen. Gjithmonë më kanë mbyllur në dhoma, ku as vetëvrasje nuk ke mundësi të bësh… Më kanë lidhur me pranga këmbë e duar, pastaj nëpër hundë më kanë futur sondën deri në lukth, në vend të ushqimit më kanë dhënë gjëra që nxitin diarrenë… E kupton pse e kam pranuar kryerjen e veprave që nuk i kam bërë apo dëshiron të dëgjosh edhe gjëra të tjera?[29]
  • Fshehje të kufomave: Me mburrje i kishte thënë Zokit, se pjesën më të madhe të eshtrave të shkrumbuara i kishin hedhur në lumin Drin i Bardhë, ndërsa mbetjet e tjera mortore, të përziera me hirin e shtëpive i kishin groposur shtatë pashë nën dhe.[30]
  • Poshtërime dhe tortura të shqiptarëve në burg: Në mbrëmje na nxirrnin individualisht nga dhoma “për të pastruar korridorin” dhe pasi na shtrinin në dysheme, na tërhiqnin zvarrë, që ta fshinin dyshemenë me trupin tonë. Goditjet më të shpeshta me shkelma na i bënin në zonën pranë veshkave dhe çdo mëngjes na pyesnin nëse na kishin ardhur të përmuajshmet. Në fillim kujtuam se ishte përpjekje për të na fyer dhe për të na poshtëruar, por pas një jave torturash të përditshme filluam të urinonim gjak. Atëherë e kuptuam për çfarë të përmuajshmesh e kishin fjalën.[31]
  • Dëbime në funksion të spastrimit etnik [32]Pasi u morëm të gjitha gjërat me vlerë, njerëzit që u përzgjodhën për atë botë, i vramë brenda shtëpive, u vumë zjarrin katundeve, ndërkaq gratë dhe fëmijët i vumë si bagëtinë para dhe u dhamë urdhër që të shporreshin në Shqipëri.[33]
  • Disinformim: Kulmi arriti më 26 shtator, ditën kur mbusha 24 vjeç. Pas dy ditësh përpjekje, më në fund depërtuam në fshatin Obri. Pasi spastruam terrenin, njësitë speciale të policisë e morën situatën në dorë. Si fitimtarë që ishim, parakaluam disa herë rrugicave të fshatit, që nuk kaloheshin më këmbë nga gërmadhat. U ndalëm në dalje të fshatit, në drejtim të pyllit. Nga pylli dëgjoheshin britma grash dhe fëmijësh, që bëheshin gjithnjë e më të fuqishme. Edhe pse nuk i shihnim zëri i tyre përcillte trishtim, që ne vetëm mund ta imagjinonim. Pas gjysmë ore të gjitha britmat u ndalën. Më pas një grup komandosh të policisë dolën nga pylli, në mesin e të cilëve dallova Tozon, tezakun tim nga fshati P… Në mbrëmje me disa shokë të mi kralevas festuam fitoren dhe ditëlindjen time njëkohësisht. Në orët e vona me ne u bashkua edhe Tozoja. Në një çast gjatë mbrëmjes më tërhoqi mënjanë tejet i shqetësuar. Kishte parë tmerr. Tundte kokën në shenjë mohimi dhe thoshte me zë të ulët: “Kjo nuk duhej të ndodhte, tezak! Foshnjën disamuajsh e vranë në gjoksin e nënës, bashkë me nënën; bënë shoshë fëmijën 2-vjeçar, që thithte cullën nga uria! Nuk është trimëri të vrasësh fëmijë, gra, pleq, plaka… Një grua ishte shtatzanë… Jo jo! Kjo nuk duhej të ndodhte! Po bëhemi njëlloj si terroristët…” Ishte i pikëlluar dhe i zhgënjyer tejmase. Pas dy ditësh erdhi të më takojë. Kishte marrë gazetën “Jedinstvo”[34]. E hapi në faqen ku ishte artikulli që donte të më tregonte dhe, duke lëkundur kokën, më tha ta lexoja. Në atë shkrim përgënjeshtrohej propaganda antiserbe, që kishte përhapur të pavërtetat se gjoja njësitë e policisë sonë speciale kishin vrarë 28 civilë shqiptarë në fshatin Obri. Artikulli theksonte se një gazetar i “Kohës ditore” kishte bërë fotomontazh të një kukulle të përgjakur, me cucëll në gjoks, për të krijuar përshtypjen se kishim të bënim me një fëmijë të vrarë. Madje i kishin vënë emrin Valmir Deliu! Por, gazetarët tanë e kishin zhveshur në tërësi gënjeshtrën e tyre dhe kërkonin përgjegjësi nga ata që njollosnin imazhin e luftës sonë… Nuk janë normalë këta njerëz! – më tha Tozoja . –Në vend që të kërkohet falje dhe të nxirren përpara përgjegjësisë ata që kanë bërë këtë akt të shëmtuar, gazetarët tanë e vrasin për së dyti këtë foshnjë: e paraqesin pamjen e lemerishme si të ishte një skenë nga teatri i kukullave! [35]

Nga dëshmitë e sipërpërmendura dhe një seri e konsiderueshme dëshmish të rrëfyera në vepër na krijohet qartësisht tabloja e një gjenocidi [36] të mirëfilltë që nuk mund t’i vendoset emër tjetër dhe nuk mund të tjetërsohet nga asgjë. Por ngjarjet makabre të rrëfyera, mund ta vendosin lexuesin e brezave të ardhshëm në provën e të vërtetës apo trillimit pasi janë ngjarje që shkojnë përtej asaj çka mendja njerëzore mund të konceptojë, dhe mosnjohja mirë e ngjarjeve rrezikon të çojë në dyshimin e tyre dhe pranimin e versioneve të tjera që mund ta zvogëlojnë peshën e madhe që ju desh të mbante mbi supe një popull i pafajshëm.

Ndaj shkrimi i sa më shumë veprave të tilla dhe trajtimi me seriozitetin e duhur i tyre, njohja me personazhet realë të cituar, verifikimi i rrëfimeve dhe dëshmive (pjesa më e madhe del e vërtetuar me dokumente)[37] është domosdoshmëri, të cilat na tregojnë se fatkeqësisht ky ishte realiteti i cili nuk u parandalua në kohën e duhur para se të kryeshin aktet mizore. Autori, Bardhyl Mahmuti nuk ngurron të pasqyrojë në vepër verifikimet dhe vërtetësinë e ngjarjeve të rrëfyera ndër të cilat mund të përmendim: Zhvarrosjet në këtë qendër nxorën në dritë, se vëllezërit Bytyqi ishin vrarë me duar të lidhura me tel pas shpinës, me sy të mbyllur me shirit, ndërsa në pjesën e pasme të kokës kishin plagë të shkaktuara me armë zjarri. Ministria e Brendshme njoftoi se, tani për tani, në varrezat massive të kësaj qendre kishin gjetur 60 kufoma civilësh shqiptarë të ekzekutuar me armë zjarri, 9 kufoma të personave të mbytur me sende jo të mprehta dhe për 8 raste nuk dihen shkaqet e vdekjes. [38]

Nga dokumentimet në vepër është qartësisht e kuptueshme që gjenocidi është më shumë sesa thjesht dëmtim apo shkatërrim fizik i një populli, ndaj parandalimi dhe ndëshkimi i krimeve të gjenocidit është një detyrim i përcaktuar qysh në Konventën e vitit 1948 ku përcaktohet qartë se “gjenocid” kuptohet cilindo nga aktet e mëposhtme të kryera me qëllim shkatërrimin, tërësisht ose pjesërisht, e një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar, të tilla, si: vrasjelëndimi i rëndë i integritetit fizik ose mendorshkatërrim fizik tërësisht ose pjesërisht; vendosja e masave për të parandaluar lindjet; transferimi me forcë i fëmijëve [39]dhe sa e sa akte të tjera i duhen shtuar kësaj Konvente për rastin e Kosovës.

Pavarësisht se qysh më 1948 është folur shumë për rëndësinë e procesit të parandalimit të masakrave masive të njohura me termin “mass atrocity” dhe rëndësinë e evidentimit në kohë të risqeve dhe sinjaleve paralajmëruese, edhe pse mjaft të dukshme dhe alarmante, sërish gjenocidi ndodhi, ndaj natyrshëm na lind pyetja pse nuk u parandalua zhvillimi i një gjenocidi të tillë të paralajmëruar, të ndodhur në zemër të Ballkanit dhe në mes të Europës, dhe pse vendimet politike e strategjitë ndërkombëtare prodhuan akte të tilla dhune dhe vrasje? A kishim të bënim me vendime të parashikuara apo lojëra politike?

Millan F-ja e filloi rrëfimin e tij kështu: ‘Nuk më ka shkuar në mend, që Brigada e 37-të do të transferohej tërësisht nga Rashka në Kosovë. Sidomos jo në kohën kur pritej t’i vihej kapaku çështjes së Kosovës. Transferimi i forcave shtesë një javë para se të fillonte faza përmbyllëse e bisedimeve në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë, na dukej si strategji politike për të shtuar presionin ndaj shqiptarëve, që ta pranonin marrëveshjen. Por kur ata nënshkruan marrëveshjen ne ndërkaq refuzuam të bënim të njëjtën gjë: e kuptuam që nuk kishim shkuar në Kosovë për lojë politike.[40]

Ngjarjet makabre në vepër na përplasen para syve në çdo moment, të tronditin e të mposhtin emocionalisht dhe po aq të revoltojnë për politikat e tejzgjatura dhe gjyqet e ngelura pezull për dënimin e fajtorëve. Patkojntë, kamioni frigoriferik, shpaliri, llamba e kufomave, janë disa nga mostruozitetet e kryera por “operacioni cezarian pa anestezi” ndaj një gruaje shtatzanë në muajin e 8 që i shkulin fëmijën prej barku dhe e ngulin në tehun e mprehtë të thikës embrionin që ende s’arriti të merrte frymën e parë dhe trajtimi i këtij embrioni si trofe lufte dhe heroizma ushtarake tregon qartë se kush e kreu Gjenocidin dhe kush ishte viktima.[41]

Në Koventën e sipërpërmendur theksohet se personat që kryejnë gjenocid ose ndonjë nga aktet e tjera të renditura më sipër do të dënohen, qofshin ata pushtetarë përgjegjës kushtetues, zyrtarë publikë apo individë. [42]

Natyrshëm na lind pyetja përse ende sot zvarriten proceset gjyqësore për të dënuar shkaktarët e këtij gjenocidi? Përse vonohet dënimi i tyre?

Sepse fatkeqësisht me kohën ngjarjet mund të fshihen, tjetërsohen dhe interpretohen nëse të vërtetat nuk thuhen. Sepse pushtetet politike kërkojnë here pas here marrëveshje, bashkëpunime që cënojnë popullin e thjeshtë ndaj dakordësohemi me shprehen se politika është vazhdimi i luftës me mjete të tjera, që në dukje nuk e dëmtojnë fizikisht individin, por me pasoja që mund ta rëndojnë po aq sa lufta, një komb në të ardhmen.

Pesha e rëndë e fjalës së lirë në veprën e Bardhyl Mahmutit

Liria e fjalës dhe e shprehjes së mendimit paraqet të drejtën themelore të njeriut, e cila ka rol thelbësor në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tjera. Mundësia për t’u shprehur mendimi dhe për t’u shkëmbyer informacioni paraqet tregues të vlefshëm për kapacitetin demokratik dhe pozicionin institucional të demokracisë në shoqëritë.[43]

Pas Luftës së Dytë Botërore, baza juridike për lirinë e shprehjes vendoset me aktet themelore të OKB-së, siç është Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut nga viti 1948, e cila konsiderohet si dokument themeltar juridik-ndërkombëtar për standardet e të drejtave të njeriut dhe vlen për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së. Neni 19 i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut nga viti 1948: Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë. [44]

Ndaj duhet të theksojmë se vepra na fton në reflektimin se: në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i shmang situatat konfliktuale dhe respekton mendimin e lirë askush nuk duhet të etiketohet si trim apo i çmendur për të vërtetat që thotë dhe askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar për fjalën e lirë.

Por qysh në fillim të rrëfimit, autori na tregon qartë se me çfarë shteti kemi të bëjmë duke na përballur me rrezikun që i kanosjes vetë gazetarit serb Mifi L. që foli për “lotët e fëmijëve në Kosovë”, që denoncoi terrorin serb mbi shqiptarët e pafajshëm, që shkroi mbi të bardhë, të zezat e vërteta dhe tmerruese, dhe me qendrimin e tij profesional kundërshtonte aket e dhunës në Kosovë e nuk pranonte tjetërsimin e ngjarjeve dhe për më tepër i ngjallnin neveri “heroizmat” dhe manipulimet e veprave të bashkëkombësve të vet.

Një tjetër dokument që shpjegon lirinë e shprehjes dhe elementët e saj, është Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili parashikon se: “1. Askush nuk mund te procedohet për shkak të mendimeve të veta 2. Secili ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë, pavarësisht kufijve, e nënkupton lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informatave dhe ideve të të gjitha llojeve gojarisht, me shkrim, të shtypur ose në formë artistike, ose në çdo mënyrë tjetër të zgjedhur prej tij. 3. Realizimi i lirive, të parashikuara në pikën 2 të këtij neni,i përfshin detyrat dhe përgjegjësitë e veçanta…[45]

Përmes ngjarjeve të rrëfyera autori na tregon se as ky dokument nuk është marrë në konsideratë dhe kërcënimet ndaj fjalës së lirë në vepër dalin në forma nga më të ndryshmet dhe Mifi L. i duhet të përballet me:

Etiketimin si trim ose i çmendur: Ishe çuditur pse i kisha publikuar në emrin tim gjëra që të gjithë i dinë. Madje më quajte “të çmendur” për publikimin e atij shkrimi! Dëgjo Grujo, të gjitha rreziqet i kam marrë parasysh, para se të bëja një veprim të tillë. Nuk e di nëse jam “i çmendur”, “trim” apo “frikacak”, por s’jam nga ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Në ndërgjegjen time nuk mund të duroja klithmat, lotët dhe gjakun e civilëve të pafajshëm të Kosovës.[46]

Përballjen me fatin e kolegëve të tij: Në këtë çast ktheu fotografitë dhe i vendosi me kujdes në mes të tavolinës. Pamjet e Sllavko Quruvijës, me fytyrë të mbuluar me një pellg të mbuluar të madh gjaku, ishin të tmerrshme.[47]

Kërcënime për jetën e fëmijëve të tijLëri marrëzitë dhe mos merr në qafë familjen! Ke djalin adoleshent dhe, si të gjithë adoleshentët e botës, ka dëshirë të stimulojë adrenalinën. Prandaj, tani që jemi duke hyrë në verë, mos u habit nëse hidhet nga ura e Glavçiqevësmbi lumin Ibër dhe thyen zverkun në rërë…Mund të bëjë edhe aksident me motor, ngase të rinjtë janë të apasionuar pas motorëve…Mos e përjashto mundësinë që edhe vajza të dehet dhe, nën ndikimin e alkoolit, të hidhet nga ballkoni i banesës së saj, apo të bëjë mbidozë heroine për shkak të heroizmit tënd…[48]

Këshilla miqësore për heshtje: I dashur Mifi, kam informacione se “bisha” është tërbuar, kur ka marrë vesh që ato të dhëna janë publikuar në shtypin perëndimor. Të lutem, bëj kujdes për veten tënde dhe mendo edhe për ne të tjerët…[49]

Por fjala e lirë karakterizohet edhe nga revolta, ndaj në revoltën e tij Mifi L. shprehet: Në vend që të arrestohen ata që kanë vrarë pleq, gra, fëmijë dhe civilë në Kosovë, ju ma keni sjellë shpirtin në majë të hundës, për të treguar kush më ka rrëfyer për krime të tilla! Në vend që t’u ktheni familjarëve mijëra kufoma njerëzish të pafajshëm që i keni lënë pa varr në Kosovë, ju përpeqni të më shtini të gjallë në varr dhe më akuzoni për shpifje dhe përhapës gënjeshtrash! Në vend që të dënohen urdhëruesit e bombardimeve nga aeroplanët tanë të kolonave civile shqiptare që dëboheshin për në Shqipëri, ju kërkoni të zbuloni kush ishin ata që nuk paskan recituar propagandën tuaj për të fajësuar NATON-n…[50]

Xhon Stjurart Mil, thotë: “Liria e shprehjes na mbron nga pushteti i korruptuar dhe tirania. Kjo liri është një nga garancitë themelore për shoqëri të hapur dhe pluraliste.[51]Ndaj përpjekjen e Mifi L. pë të treguar të vërtetën e shohim edhe si përpjekje për ta mbrojtje nga tirania popullin shqiptar të Kosovës por edhe për ta shpëtuar vendin e tij (Serbinë) “nga diktatura”. Mendimi i lirë karakterizohet nga drejtësia dhe dhembshuria, ndaj para padrejtësive zëri i lirë nuk duhet të heshtë: Kam ngritur zërin për lotët e fëmijëve në Kosovë, për t’i treguar botës se ka serbë që i dënojnë ato krime të shëmtuara.[52]

Por pavarësisht qëllimeve dhe idealeve të tij të larta, autori na njeh në vepër me torturat dhe tmerrin që Mifi L. ju desh të përjetonte pas marrjes në hetuesi në vendin e tij, pikërisht sepse nuk pranoi të heshtte ndaj padrejtësive dhe refuzoi të manipulonte të vërtetën. “Më kaploi një ndjenjë paniku, që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë: dridhesha nga brenda, ndërsa çdo qelizë e trupit prodhonte energji të ftohta frike…Më paskan sjellë në duart e eskadronëve të vdekjes…”.[53]

Autori e ka parapërgatitur lexuesin me faktin se kush e zotëronte guximin e fjalës së lirë do të përballej me format dhe mënyrat e ndëshkimit të beretkuqëve, të prezantuar si: eskadronët e vdekjes, tigrat, çakejtë, akrepat, grerëzat e verdha…ndaj përmes rrëfimtarit shprehet se: Sa më shumë dëgjoj për krimet e pushtetit tonë, aq më shumë bindem, se vërtet nuk e paskam ditur se çfarë janë në gjendje të bëjnë.[54]Por nëse shprehja e lirë hesht nga frika dhe nuk do të karakterizohej pikërisht nga mendimi kritik dhe revolta, atëherë edhe ajo do të binte pre e grackës së udhëheqësve dhe do të përtypej me të njëjtin “çamçakëz” politik. Një gazetar që përtyp copën e çamçakëzit që i ka dhënë prokurori dhe nga ky çamçakëz fryn përpara turirit të tij ballonin që ja mbulon surratin, nuk është gazetar, por hije e prokurorit… [55]

Po ashtu autori në vepër cek edhe pozicionin e intelektualëve serbë: Përveç kolegëve të “Danasit”, atyre të Shoqatës së Gazetarëve të pavarur të Serbisë dhe ndonjë gazetari aty-këtu, shumica e gazetarëve dhe e intelektualëve të Serbisë heshtnin.[56] Prokurori yt paska publikuar një shkrim kundër teje dhe të prezantuaka si “spiun i huaj” dhe “përhapës gënjeshtrash”! … Sjellje e tillë e intelektualëve është e pështirë.[57]

Në vepër tregohet forca edhe guximi i jashtëzakonshëm i gazetarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin të vetëdijshëm se për mendimin e tyre të lirë, do të përballeshin me rrezikun, por nga ana tjetër besonin fort se heshtja ishte terrori vetë. Personazhi Sadik Z.[58] ndërkohë që ndan të njëjtën qeli me Mifi L. i rrëfen atij se për fjalën e lirë, që në thelb mishëron drejtësinë, shqiptarët e Kosovës kanë sakrifikuar edhe frymën e fundit… Edhe pse luftonim kundër shtetit tënd, sikur ta kishe njohur Nazmi Muzlijajn, do të kishe parë sesi një jurist dhe gazetar lufton deri në frymën e fundit për çlirimin e vendit të vet.[59] Kam një brengë të madhe që më rëndon në shpirt: nuk di asgjë për fatin e Muhamet Mavrajt, Ernest Lumës, Petrit Musollit dhe gazetarëve të tjerë që kemi punuar bashkë… Ishin gazetarë, që asnjë presion politik e policor nuk mundi t’i detyronte të hiqnin dorë nga përkrahja e luftës për një botë të re![60]

Sadiku ishte intelektuali i ri, fati i të cilit ishte lidhur me zinxhirë…në këtë udhëtim për diku gjetkë, fatin tonë e kishin lidhur me zinxhirë [61], student i juridikut dhe njëkohësisht gazetar i rrëfen Mifit se: “ paralelisht me studimet për juridik, punoja si gazetar në gazetën studentore “Bota e re”. Krahas shkrimeve nga terreni dhe analizave politike, kryeredaktori i gazetës sonë Muhamet Mavraj, mori përsipër të ribotonte gazetën “Zëri i Kosovës”, që dilte jashtë vendit dhe që ishte e vetmja gazetë që mbronte politikisht UÇK-në. Për ju që keni jetuar jashtë Kosovës, janë të pakapshme përmasat e kësaj sfide që ju bë pushtetit në atë kohë. Të mos harrojmë se, mjaftonte të konstatohej që kishte kontakte me Adnan Asllanin dhe Lulëzim Etemajn, që udhëhiqnin punën e “Zërit të Kosovës”, dhe pasojat ishin të paparashikueshme![62]

Mifi L. është gazetari intelektual që nuk heshti për atë çka ndodhi në Kosovë dhe profilin e tij intelektual autori e dokumenton edhe përmes çmimeve të ndryshme ndërkombëtare: Ai ishte shpallur: “Gazetari europian i vitit 2000” nga “Net Media” britanike, laureat i “Çmimit për lirinë e shtypit” që ndahet nga Shoqata e Shkrimtarëve të Gjermanisë dhe çmimi “Gazetari më i mirë për publikimet në internet” nga ana e “British press awards”, që për nga vlera në gazetari konsiderohet si çmimi “Oskar”.[63]Përmes kontributit të Mifi L. për rrëfimin dhe dokumentimin e ngjarjeve, për fjalën e lirë dhe rebelimin e tij, pa marrë parasysh rrezikun që i kanosej atij dhe familjes së tij, autori nxjerr në pah se Mifi ishte intelektuali i jashtëradhëve politike, ishte intelektuali që gjykonte, vepronte me mendjen e tij dhe nuk propogadonte çka i servirej nga pushteti.

Gjatë leximit të veprës nuk mund të mos kuptojmë që mes rreshtave kemi edhe përjetimin personal të autorit, dhe veprat e Bardhyl Mahmutit janë kontributi dhe fjala e tij e lirë që kaloi në peripeci dhe vuajtje, dënime dhe dhunë por nuk heshti, përkundrazi po vijon t’u tregojë brezave të rinj të vërteta drithëruese. Intelektualët e vërtetë, e dinë që presionet e formave të ndryshme politike, policore mund të dhunojnë fizikun po jo fjalën, ajo mbetet e pacenuar dhe e paprekur. Ajo merr jehonë dhe kapërcen kufizimet dhe hekurat brenda të cilave mund të kufizohen, ndaj ne besojmë fort se, fjala e lirë dhe guximi intelektual mund të ndryshojnë fatin e një kombi…”

Reflektim

Vepra e Bardhyl Mahmutit është shumë dimensionale, është roman, studim, kronikë, dokumentar, është një provë e domosdoshme informimi dhe një mburojë e rëndësishme që do të pengojë disinformimin sidomos për brezat e rinj që nuk i kanë përjetuar apo njohur mirë ngjarjet e ndodhura.

Vepra është thellësisht tronditëse por të fton në reflektim përmes procesit njohës, përmes renditjes së të dhënave, dëshmive, ballafaqimeve, rrëfimeve nga disa këndvështrime:

  • ushtarët serb krenarë me “heroizmat” e tyre, ushtarët serbë të turpëruar nga veprimet e tyre dhe manipulimi mediatik,
  • gazetari serb që përjetoi torturën nga bashkëkombësit e vet,
  • të rinj dhe studentë shqiptarë që po vuajnë dënimet në burgjet e Serbisë.

Të gjitha rrëfimet përputhen me pohiminAskush që nuk e ka parë me sytë e vet nuk mund ta marrë me mend tmerrin që mbizotëroi në Kosovë...[64]

Përmes personazhit kryesor autori na udhëzon se është e rëndësishme që Rrëfimet e Sadikut, Vllaznimit dhe dëshmitarëve të tjerë nuk duhet të mbeten në heshtje dhe duhet të dalin përtej hekurave të burgut duhet t’u jepet zë pavarësisht kërcënimeve. Rrëfimet janë sytë që i japin brezave të tjerë pamjen e ngjarjeve, ndaj dëshmitarët kanë rëndësi të veçantë në ndërtimin e kujtesës kolektive të një vendi që ende po e ndërton, të një vendi në kërkim të drejtësisë tranzicionale.

Të ngresh zërin për të njohur të vërtetat nuk do të thotë që do e zhbësh të shkuarën por do të thotë që po përpiqesh të parandalosh përsëritjen e veprimeve të njëjta në të ardhmen, nuk do të thotë që do ringjallësh viktimat por do të thotë t’i kujtosh dhe nderosh ata dhe të dënosh fajtorët, nuk do të thotë që do kthesh foshnjat në jetë por do të thotë të sigurosh vazhdimësinë e një kombi. Fshehja e së vërtetës i jep fuqi Hidrës mitologjike që përmend personazhi Jovo në libër dhe bën që të shfaqen sërish përbindësha të tjerë që do të gëlltisin ardhmërinë e fëmijëve tanë![65]

Procesi i përballjes me të vërtetën për brezin që e përjetoi dhe brezat pas tij, është një proces që nuk ndodh menjëherë kalon nëpër faza që plotësojnë kriteret me veprime konkrete. Kur flasim për të vërtetën nuk kemi parasysh vetëm njohjen e saj nga individët por edhe nga institucionet e posaçme kombëtare dhe ndërkombëtare, komisionet e posaçme të së vërtetës [66], që e verifikojnë, dokumentojnë dhe mbrojnë atë.

Fuqia intelektuale nuk është arma dhe dhuna por fjala dhe mendimi i lirë kritik, është krijimi i mundësive për ta bërë të njohur të vërtetën që nuk duhet të harrohet pasi kanë klithur fëmijë, të rinj, gra e pleq, dhe mizoritë e gjejnë rrugën e britmave ndaj është e pamundur të heshtësh.

Përshkrimet në vepër janë të tmerrshme por siç nënvizohet në rreshtat e përgjakura të saj krimet janë edhe më të tmerrshme se përshkrimet…[67]ndaj duhet të flasim pasi “e vërteta që nuk thuhet tretet dhe shuhet”.

Fusnotat
1. Cutter, P., De Greiff, P. and Waldorf, L. (2009), Disarming the past: Transitional Justice and Ex-Combatants, NY: Social Sciences Research Council.
2. Në vepër, f. 508
3. Në dëshminë e tij, Stojanoviq rrëfente hollësisht për rastin kur një pjesëtar i çetës së tyre u kishte prerë kokën një burri dhe një gruaje shqiptare. Më pas saktësonte nxjerrjen e dhëmbëve prej arid he zierjen e kokave. Kur kishte përftuar kafkat, i kishte lyer ato me llak dhe i kishte shndërruar në abazhurë tavoline… f. 452
4. Në vepër, f. 64
5. Mahmuti Bardhyl, Eskadronët e vdekjes: Kronikë e një kasaphane, janar 2021 f. 7
6. Davis, L. (2009), Transitional Justice and Security System Reform, Initiative for Peace building, NY: ICTJ
7. http://auschwitzinstitute.instructure.com/courses/335/pages/transcript-transitional-justice
8. Fletcher, L. et al. (2009), Context, timing, and the dynamics of transitional justice: A historical perspective, Human Rights Quarterly, 31 (1): 163-222
9. http://auschwitzinstitute.instructure.com/courses/335/pages/transcript-transitional-justice
10. Në vepër f. 496
11. Mahmuti Bardhyl, Eskadronët e vdekjes: Kronikë e një kasaphane, janar 2021, f. 81 (referuar në vazhdim: Po në vepër)
12. Në vepër, f. 135
13. Në vepër, f. 76
14. Në vepër, f 78
15. Post atrocity
16. Masë ndëshkuese e dhunshme që mbizotëroi në shumë ligje ushtarake deri në shekullin XIX.
Në mes të korridorit të burgut, dy rreshta gardianësh, njëri përballë tjetrit, kishin bërë një korridor të gjatë dhe me shkopinj bejsbolli kishin krijuar shpalirin serb. f. 289
17. Kalimi nëpër “shpalir” zgjaste përjetësisht, Mifi! Megjithëse i rraskapitur, në çastet kur torturoheshin më të moshuarit, lutesha t’i merrja unë vuajtjet e tyre. Por ato nuk ishin këmishë që zhvishen e vishen sipas dëshirës sonë! f. 290
18. Lemkinn R., Axis Rule in Occupied Europe: Laws of Occupation, Analysis of Government, Proposals for Redress, Lawbook Exchange, Ltd. 2008
19. The road of the Genocide Convention: Raphael Lemkin Seminar for Genocide Prevention. https://www.un.org/en/genocideprevention/documents/atrocity-crimes/Doc.1_Convention%20on%20the%20Prevention%20and%20Punishment%20of%20the%20Crime%20of%20Genocide.pdf
20. United Nations, General Assembly / The Crime of Genocide. English: A_RES_96(I)-EN – PDF ; Français: A_RES_96(I)-FR-PDF. f. 188-189. https://digitallibrary.un.org/record/209873
Cituar nga Bardhyl Mahmuti, Krimi i gjenocidit-Aspekte teorike dhe studime rastesh, Origjina e nocionit gjenocid (2) https://kosovogenocide.com/origjina-e-nocionit-gjenocid-2/
21. Po aty.
22. Statuti i Romës i Gjykatës penale ndërkombëtare, i datës 17 korrik 1998, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Në vijim do të përdoret shkurtimisht: Statuti i Romës. https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/NR/rdonlyres/ADD16852-AEE9-4757-ABE7-9CDC7CF02886/283948/RomeStatuteFra1.pdf
23. Dokumentin zyrtar i miratuar në Konferencën për rishikimin e Statutit të Romës mbajtur nga 31 maj-11 qershor 2010 në kryeqytetin e Ugandës, në Kampala.
Cour Pénale Internationale, Textes juridiques fondamentaux, Éléments des crimes,
https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/Publications/Elements-des-crimes.pdf
24. Në vepër, f. 63
25. Në vepër, f. 64
26. Në vepër, f. 73
27. Në vepër, f. 75
28. Në vepër, f. 74
29. Rrëfimi i Vllaznimit, në vepër, f. 181
30. Në vepër, f. 96
31. Rrëfimi i Sadikut, në vepër,f. 287
32. “Heronjtë tanë” që projektuan “Planin Patkoi” për spastrimin etnik të Kosovës, u përkujdesën edhe për “dekorin” e skenës ku u luajt tragjedia shqiptare. Madje në planet e tyre nuk kishin harruar as kamionët frigoriferikë të thertoreve, që duhej të “spastronin” skenën e kasaphanës. Në vepër, 472
33. Në vepër, f. 89
34. E përditshme në gjuhën serbe që botohej në Prishtinë.
35. Në vepër, f. 60
36. “Plani Patkoi” shërbeu si dëshmi e ekzistencës së projektit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe hodhi poshtë për përpjekjet e regjimit të Millosheviqit, që për krimet e kryera në Kosovë të hiqte përgjegjësinë nga vetja duke fajësuar eskadronët e vdekjes, të prezantuar si gjoja “grupe paramilitare jashtë kontrollit të shtetit”! Në vepër, f. 469
37. Besoj se e ke marrë vesh, që u publikua një dëshmi për kamionin frigoriferik që bartte kufoma nga Kosova. Pohimet e zhytësit profesionist, Zhivorad Gjorgjeviç, vërtetojnë atë që ke thënë ti dhe kjo do të na shërbejë si dëshmi për të hedhur poshtë pjesën e akuzës për gjoja shpifje që ke bërë ti.
Në vepër, f. 433
Përveç këtyre deponimeve avokati kishte siguruar nga Fondi për të drejtën Humanitare në Beograd listen e identitetit të mbi 1300 fëmijëve dhe të mbi 1700 grave shqiptare të vrara në Kosovë dhe kjo u vinte kapakun akuzave ndaj meje. Në vepër, f. 442;
38. Në vepër, f. 447
39. https://www.un.org/en/genocideprevention/documents/atrocity-crimes/Doc.1_Convention%20on%20the%20Prevention%20and%20Punishment%20of%20the%20Crime%20of%20Genocide.pdf
40. Në vepër, f. 69
41. Në vepër, f. 94
42. https://www.un.org/en/genocideprevention/documents/atrocity-crimes/Doc.1_Convention%20on%20the%20Prevention%20and%20Punishment%20of%20the%20Crime%20of%20Genocide.pdf
43. https://www.osce.org/files/f/documents/0/1/116609.pdf
44. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së, numër: 217(III), më 10.12.1948 http://www.un.org/en/ documents/udhr/
45. Karta e të drejtave Themelore të BE, Neni 11 “Liria e shprehjes dhe informimit – https://op.europa.eu/en/publication-detail/-/publication/fc583291-b51a-445f-987a-ee24ad1d8f3e
46. Në vepër, f. 21
47. Në vepër, f. 23
48. Në vepër, f. 23
49. Në vepër, f. 23
50. Në vepër, f. 337
51. https://www.thefire.org/research-learn/john-stuart-mills-enduring-arguments-free-speech
52. Në vepër, f. 299
53. Në vepër, f. 45
54. Në vepër, f. 104-108
55. Në vepër, f. 280
56. Në vepër, f. 377
57. Në vepër, f. 280
58. Personazhi Sadik Z., është gazetari Sadik Zeqiri që i mbijetoi tmerreve dhe aktualisht është kryeredaktor i gazetës “Epoka e Re”.
59. Në vepër, f. 282
60. Në vepër, f. 281
61. Në vepër, 292
62. Në vepër, f 281
63. Në vepër, f. 413
64. Në vepër, f. 71
65. Në vepër, f. 428
66. Freeman, M. (2006), Truth Commissions and Procedural Fairness, NY: Cambridge University Press.
67. Në vepër, f. 442

Bibliografi

  1. Cutter, P., De Greiff, P. and Waldorf, L. (2009), Disarming the past: Transitional Justice and Ex-Combatants, NY: Social Sciences Research Council.
  2. Davis, L. (2009), Transitional Justice and Security System Reform, Initiative for Peace building, NY: ICTJ
  3. Dokumentin zyrtar i miratuar në Konferencën për rishikimin e Statutit të Romës mbajtur nga 31 maj-11 qershor 2010 në kryeqytetin e Ugandës, në Kampala. Cour Pénale Internationale, Textes juridiques fondamentaux, Éléments des crimes,
https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/Publications/Elements-des-crimes.pdf
  1. Fletcher, L. et al. (2009), Context, timing, and the dynamics of transitional justice: A historical perspective, Human Rights Quarterly, 31 (1): 163-222
  2. Freeman, M. (2006), Truth Commissions and Procedural Fairness, NY: Cambridge University Press
  3. http://auschwitzinstitute.instructure.com/courses/335/pages/transcript-transitional-justice
  4. https://eudocs.lib.byu.edu/index.php/Memorandum_of_the_Serbian_Academy_of_Sciences_and_Arts
  5. https://www.osce.org/files/f/documents/0/1/116609.pdf
  6. https://www.un.org/en/genocideprevention/documents/atrocity-crimes/Doc.1_Convention%20on%20the%20Prevention%20and%20Punishment%20of%20the%20Crime%20of%20Genocide.pdf
  7. Lemkinn R., Axis Rule in Occupied Europe: Laws of Occupation, Analysis of Government, Proposals for Redress, Lawbook Exchange, Ltd. 2008
  8. Mahmuti, B., Eskadronët e vdekjes: Kronikë e një kasaphane, janar 2021 f. 104-108
  9. Mahmuti, B., Mashtrimi i madh, Çabej, 2015
  10. Mahmuti, B., Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Në shënjestër të vazhdueshme, Epoka e re, 2024
  11. Serbian Academy of Arts and Sciences (SANU) Memorandum, 1986, in World History Commons, https://worldhistorycommons.org/serbian-academy-arts-and-sciences-sanu-memorandum-1986
  12. Snyder, J. and Vinjamuri, L. (2004), “Advocacy and Scholarship in the Study on International War Crime Tribunals and Transitional Justice’, Annual Review of Political Science, 7: 345-362
  13. Statuti i Romës i Gjykatës penale ndërkombëtare, i datës 17 korrik 1998, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2002. Në vijim do të përdoret shkurtimisht: Statuti i Romës. https://www.icc-cpi.int/sites/default/files/NR/rdonlyres/ADD16852-AEE9-4757-ABE7-9CDC7CF02886/283948/RomeStatuteFra1.pdf
  14. Shala Xh., “Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në vitet 1912-1918”, Prishtinë, Instituti Albanologjik, 1990;
  15. The road of the Genocide Convention: Raphael Lemkin Seminar for Genocide Prevention; http://auschwitzinstitute.instructure.com/courses/335/pages/transcript-transitional-justice
  16. United Nations, General Assembly / The Crime of Genocide. English: A_RES_96(I)-EN – PDF ; Français: A_RES_96(I)-FR-PDF. f. 188-189. https://digitallibrary.un.org/record/209873 Cituar nga Bardhyl Mahmuti, Krimi i gjenocidit-Aspekte teorike dhe studime rastesh, Origjina e nocionit gjenocid (2) https://kosovogenocide.com/origjina-e-nocionit-gjenocid-2/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Nuk pyetet për çmim të…