“ESKADRONËT E VDEKJES”, NJË VEPËR QË GËRRYEN NDËRGJEGJEN E VRARË SERBE
Bardhyl Mahmuti del në terrenin serb dhe atje gërmon të vërtetën mbi krimet e kryera në Kosovë nga ana e “eskadronëve të vdekjes”.
Atje zbulon, përmes gojës së vet pjesëtarëve të formacioneve ushtarake e policore serbe, që kishin qenë dëshmitarë të maskarave, por edhe të intelektualëve e gazetarëve serbë, se lajmi mbi të vërtetën ishte viktima e parë e çdo lufte, por për të vërtetën duhej luftuar me mjetet që i ofron kurajoja njerëzore.
Jo çdo kush mund të luftoj për të vërtetën, andaj edhe ky roman, duke vendosur në qendër të rrëfimit një gazetar serb, ka dashur të inkurajoj shoqërinë serbe që të jetë më e zëshme në denoncimin e krimeve që i kishin kryer bashkëvendësit e tyre.
Shkruan: Mehmet PRISHTINA
Romani “ESKADRONËT E VDEKJES” (Kronikë e një kasaphane), i autorit Bardhyl Mahmuti, është një vepër që flet për dy anët e tmerrit në Kosovë – në njërën anë tregohet egërsia e anës jonjerëzore të forcave pushtuese serbe, kurse në anën tjetër nxirret në shesh ndërgjegja dhe humania e segmenteve të caktuara të shoqërisë serbe (disa gazetarëve, ushtarëve, veprimtarëve etj.) për të dëshmuar mbi të vërtetën e krimeve që kanë kryer forcat ushtarakee policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në qendër të fabulës së romanit është gazetari Mifi L, që është edhe rrëfyesi kryesor në vetën e parë, përmes të cilit shpalosen nëntë rrathët e ferrit dantesk, aq pjesë sa ka edhe romani, nëpër të cilët kishte kaluar ai dhe bashkëmendimtarët e tij.
Në letërsinë shqipe, romani “ESKADRONËT E VDEKJES” (Kronikë e një kasaphane), i autorit Bardhyl Mahmuti i shtohet atyre pak veprave artistike që me kaq plasticitet ka zbërthyer natyrën e brendshme të njeriut përballë egërsisë që e rrethon, madje edhe atëherë kur ajo egërsi vjen edhe nga njerëzit e një kombi. E veçanta e kësaj vepre qëndron në dokumentaritetin e ngjarjeve të ndërthurrura mjeshtrisht sipas një arkitekture të menduar mirë letrare, ku personazhet dhe ngjarjet kanë një marrëdhënie reale me botën përreth.
Gazetari Mifi L jo vetëm që është dëshmitar i shumë tmerreve që kishin ndodhur në Kosovë, por ai bëhet edhe protagonist e një kalvari të mundimshëm që përjeton ai, si pasojë e qëndrimeve të drejta profesionale e humane kundrejt fshehjes së krimeve që mundoheshin ta bëjnë autoritetet politike, ushtarake e policore të Serbisë.
Ai kishte botuar dhjetëra shkrime, sidomos në mediat ndërkombëtare, përmes të cilëve denonconte hapur dimensionet shtazareke të krimeve serbe në Kosovë.
Fabula e romani është ndërtuar pikërisht mbi këtë temë dhe për ta lehtësuar komunkimin me ngjarjet dhe personazhet, autori ka zgjedhur rrëfimin në vetën e parë, i cili realizohet përmes gojës së vet gazetarit Mifi L. i cili përpos që shpalos dëshmitë e ushtarëve serbë që kishin marrë pjesë në krimet në Kosovë, ai nxjerr në pah pasojat e kësaj dëshmie që përjetoi në formë torturash të tmerrshme që ia kishin shkaktuar oficerët e “Beretave të Kuqe” në një vilë malore në afërsi të Vranjës (në fshatin Bela Voda).
Kjo për faktin se gazetari Mifi L kishte shkruar pikërisht për monstruozitetet e këtij formacioni paramilitar, i cili ndonëse vepronte në kuadër të forcave të rregullta serbe, shquhej për aksione tepër të egra e barbare ndaj civilëve shqiptarë, ku nuk kurseheshin as foshnjet, as gratë shtazëna, as pleqtë, të cilët ose përfundonin në bajonetat e “Beretave të Kuqe” , ose bëheshin shkrumb e hi trupat e tyre.
Gazetari Mifi L. në shkrimet e tij kishte publikuar edhe dëshmi mbi djegin e e kufomava në shkritoren e aluminit në Maçkatica të komunës së Surdulicës, por edhe në shkritore të tjera në Serbi e Kosovë. Djegien e kufomave, në këto shkritore, siç e mësojmë në roman, e kishin kryer “Beretat e kuqe”, formacion ky që më vonë u fuzionua dhe u transferua në një njësit të posaçëm në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Të shkuhej për gjithë këto krime ishte guxim dhe kurajo e madhe, por ishte edhe një sprovë e madhe morale për t’u ballafaquar me vdekjen qoftë edhe atëherë kur gazetari Mifi L. refuzon kategorikisht të përgënjeshtroj ato që kishte shkruar si kusht për t’u liruar nga ndjekja penale, që nënkuptonte dhjetëra vite burg.
Fshehja e gjurmëve të krimeve në Kosovë, përbënte një prej shtyllave kryesore të doktrinës fashizoide të Serbisë, por një përpjekje e tillë ishte treguar e passukseshme sepse ishin organizatat ndërkombëtare dhe gazetarët e guximshëm, si Mifi L, që e kishin denoncuar këtë doktrinë. Për të ilustruar këtë, autori sjell edhe një reagim të
Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila përmes Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm të kësaj gjykate, Grejham Blluit, demaskonte përpjekjet e Serbisë për të fshehur gjurmët e krimeve: “Dëshmitë për ekzistencën e planit dhe të qëllimit për asgjësimin e gjurmëve të krimeve të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë, janë dëshmi e ekzistencës paraprake të planit dhe të qëllimit për t’i kryer këto krime”, thuhej në reagimin e Gjykatës Peknale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Ky ishte krimi i dyfisht që bënte Serbia, duke zhvarrosur trupat e shqiptarëve të vrarë dhe duke varrosur në varreza masive në Serbi. Por romani i Bardhyl Mahmutit na mëson se gjaku i viktimave të pafajshme nuk mund të fshihet aq lehtë, siç kishin menduar ideatorët e holokaustit serb. E gjithë fabula e kësaj vepre është e thurrur mbi këtë bosht tematik. Përkundër masave kamufluese që kishte ndërmarrë regjimi i Millosheviqit serb, e vërtata për krimet serbe megjithatë nuk mund të mbahej e izoluar, e aq më pak e pa publikuar. Kjo e vërtetë del nga dheu, atë nuk mund ta mbaj toka, por edhe shumë puse, të mbushur me viktima, që e kishin pasur të ndaluar të jetojnë, sepse kështu ishte planifikuar nga strategët e vdekjes në Beograd. Të gjitha këto quheshin “spastrim i vendluftimeve”.
Në këtë roman shohim se të vërtetën mbi krimin nuk e mban dheu, por e nxjerr mbi sipërfaqe. Kjo e vërtetë flet me gojën e atyre që ndërgjegja i vret për tmerret që kishin shkaktuar në Kosovë. Janë disa personazhe, që flasin në cilësinë e pjesëmarrësve në krimet e luftës në Kosovës, siç është Rade një ushtar që kishte luftuar në Kosovë, i cili në pamundësi për të bartur peshën e fajita mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë, kishte bërë vetëvrasës. Në një komunkim me gazetarin Mifi L. këtij të fundit i kishte treguar për një bashkëbisedim që kishte pasur me psikiarin e tij:
“…të vrarët më rrinë pezull në shpirt. Sidomos ata që i kemi zhvarrosur, të cilëve ua kemi tretur eshtrat dhe i kemi lënë pa varr.
E di se çfarë më tha ajo shtazë e gjallë? “Të vuash për të vdekurit është e pakuptimtë, prandaj hiqe mendjen prej tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët!”… Nuk munda ta duroja më tepër!
U ngrita nga karrigia dhe, para se t’ia përplasja derën, i thashë se ata nuk kanë vdekur, por i kemi vrarë në shtëpitë e tyre”.
Në roman shpaloset edhe një dimension tjetër i stategjisë pushtuese të Serbisë, e cila ishte intensifikuar përmes një lufte të pistë dezinformuese. Këtë e kuptojmë edhe nga rrëfimet e vet ushtarëve që kishin marrë pjesë në krime, por pa e ditur të vërtetën se çka kishte ndodhur.
Atyre iu kishin thënë se “terroristët shqiptarë” kishin maskaruar gra e fëmijë serbë dhe të nxitur nga etja për hakmarrje, ata iu kishin vërsulur vendbanimeve shqiptare në Kosovë, ku kishin kryer krimet më monstruoze.
Për të shpjeguar efektet e kësaj lufte të pistë dezinformuese, autori sjell rrëfimin e një ushtari serb, që kishte qenë në njësitin tankist, si pararojë e maskarave që i kishin kyer forcat ushtarake e policore serbe nëpër shtëpitë e shqiptarëve.
“Megjithatë, unë godisja pareshtur me tank në drejtim të fshatrave shqiptare, sepse më ishte thënë që civilët ishin larguar dhe se në shtëpi kishte vetëm terroristë, që kishin vrarë dhe djegur civilë serbë… Më vonë kuptova të vërtetën…”
Dhe e vërteta ishte tepër e vrazhdë, sepse ajo po kamuflohej për të krijuar alibinë e masakrave, ndonëse ushtarët serbë më vonë e kishin kuptuar se kishin qenë të manipuluar, se cak i sulmeve të tyre nuk kishin qenë pjesëtarët e uniformuar të UÇK-së, por civilët e pambrijtur shqiptarë.
Më vonë gjithashtu u kuptua se edhe masakrën në kafeterinë “Panda” në Pejë, ku kishin mbetur të vrarë dhe të plagosur disa të rinj serbë, nuk e kishin kryer shqiptarët, por pjesëtarët e “Beretave të Kuqe” me urdhër nga lart.
Më vonë, sç e mësojmë nga ky roman, u kuptua se edhe bombat që hidheshin mbi kolonat e civilëve që po iknin, por edhe mbi burgun e Dubravës, nuk vinin nga avionët e NATO-s, siç ishte thënë në kuzhina propagandistike të Bograadit, por nga avionët serbë, të cilët ishin të strehuar në aeroportin e nëndheshëm të Goleshit.
Bardhyl Mahmuti del në terrenin serb dhe atje gërmon të vërtetën mbi krimet e kryera në Kosovë nga ana e “eskadronëve të vdekjes”. Atje zbulon, përmes gojës së vet pjesëtarëve të formacioneve ushtarake e policore serbe, që kishin qenë dëshmitarë të maskarave, por edhe të intelektualëve e gazetarëve serbë, se lajmi mbi të vërtetën ishte viktima e parë e çdo lufte, por për të vërtetën duhej luftuar me mjetet që i ofron kurajoja njerëzore. Jo çdo kush mund të luftoj për të vërtetën, andaj edhe ky roman, duke vendosur në qendër të rrëfimit një gazetar serb, ka dashur të inkurajoj shoqërinë serbe që të jetë më e zëshme në denoncimin e krimeve që i kishin kryer bashkëvendësit e tyre.
Dhe kjo, besoj që do ta ketë efektin më të madh, nëse ky roman përkthehet në gjuhën serbe, sepse ai i dedikohet pikërisht serbëve dhe sidomos atyre që kanë nevojë që të mësojnë të vërtetën lakuriqe që ka ndodhur.
Serbët kanë nevojë të ballfaqohen me të keqen që e kanë në mesin e tyre dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse shumica prej tyre e ndjek shembullin e gazetarit Mifi L. dhe disa kolegëve të tij.