Esobari për marrëveshjen për asociacionin: Duhet të zbatohet dhe do të zbatohet
Vendimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të implementohet> Kështu ka thënë emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online të organizuar nga Këshilli Atlantik.
Ai ka thënë se asociacioni është një nga obligimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
“Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në – dhe pikërisht për shkak se ne e mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet” ka thënë Escobari.
Ai tha se shpreson që Qeveria e Kosovës ta shohë si mundësi dhe ka theksuar se në Europë ka modele që mundësojnë të drejta kolektive për pakicat.
Escobari ka theksuar mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, duke thënë se nuk ka asnjë vend në botë që e përkrah Kosovën më shumë se ShBA-ja.
“Përkushtimi ynë ndaj Kosovës, sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe sigurisë së saj është i fortë. Është një partneritet me popullin e atij vendi dhe ne nuk do t’i braktisim ata”, ka thënë Escobari.
Escobari ka folur edhe për marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat dhe rolin e ShBA-së në procesin e negociatave.
“Unë e konsideroj të rëndësishme për uljen e tensioneve marrëveshjen e arritur nga Serbia dhe Kosova për targat javën e kaluar. Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë që në vend që të punojmë për çështje individuale që krijojnë tensione, të gjitha këto çështje duhet të jenë pjesë e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, ka thënë ai.
Kur është pyetur nëse ShBA-ja do të merrte drejtimin në atë proces, Escobar ka thënë: “Nuk e besoj. Sepse tani, nëse shikoni historinë e angazhimit tonë në dy vitet e fundit, duke punuar me BE-në me ndërmjetësimin e tyre, ne arritëm të zgjidhnim shumë kriza dhe arritëm të parandalonim dhunën në rajon në 18 muajt e fundit”.
Escobari ka thënë se beson se dialogu duhet të zhvillohet në BE, duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit kanë aspirata për anëtarësim në BE.
I pyetur nëse ka një afat që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për normalizim, Escobari ka thënë se do të ishte mirë që të arrihet një marrëveshje “sa më shpejt”.
“Një konflikt i ngrirë nuk i përshtatet askujt”, është shprehur Escobari.