ESPN shkruan për Muriqin: Historia e sulmuesit që i mbijetoi luftës në Kosovë
“Kur ishte vetëm katër vjeç, Vedat Muriqi pa luftën që i trokiti në pragun e shtëpisë. Ai ishte dëshmitar i tragjedive që askush nuk duhet të kalonte, aq më pak një fëmijë. Kjo periudhë vuajtjeje, sado e hershme të ishte në jetën e tij, e rriti karakterin e tij përgjithmonë”, nis artikullin e tij mediumi ESPN për yllin kosovar.
“Një kafe që po pi, një copë bukë që po ha, gjithmonë falënderoj Zotin. Sepse e di se çfarë kam kaluar dhe nëse ka diçka pozitive nga lufta që kam jetuar, është ajo. Kemi kaluar kohë shumë të vështira. Në ditët e sotme i vlerësoj gjërat e vogla, vlerësoj shumë atë që vlerësohet pak, por asnjë qenie njerëzore nuk duhet të përjetojë luftën”, tha Muriqi.
Në moshën 29-vjeçare dhe me kontratë të nënshkruar deri në sezonin 2026/27, ai mbron klubin e Ishujve Balearik që nga viti 2022, ku është përshtatur plotësisht. “Unë dhe familja ime jemi shumë të lumtur këtu”.
Këtë të premte (8), në hapjen e raundit të 28-të të LA LIGA-s , Mallorca viziton Barcelonën. Më 6 prill, ata do të luajnë në finalen e Kupës së Mbretit kundër Athletic Bilbaos, por fillimisht duhet të sigurojnë paqe mendore dhe distancë nga zona e rënies në kampionatin spanjoll.
Të luash për Kosovën për Muriqin shkon përtej çështjes sportive.
“Nuk ka fjalë. Unë kisha mundësinë të luaja për Shqipërinë apo Turqinë, por kur më thirrën nga Kosova tashmë ishte vendosur. Sa herë që luaj me fanellën e kombëtares time, më duket sikur po ndihmoj vendin tim. Tani të gjithë e di se sa shumë vuajmë, dhe si futbollist, mënyra se si mund ta ndihmoj vendin tim është duke luajtur mirë, duke fituar ndeshje dhe duke i bërë të lumtur njerëzit tanë. Unë do të luaj për vendin tim derisa ata të më duan dhe derisa të mos eci më”, u shpreh ai.
Trajneri me eksperiencë Javier Aguirre, 65 vjeç, është bërë një personazh i rëndësishëm në jetën e Muriqit në Mallorca. Kosovari mbërriti dy muaj para meksikanit në vitin 2002 dhe që atëherë e ka vlerësuar shumë gjithçka që ka për të mësuar.
“Ai di të planifikojë ndeshjet, ai e di që çdo ndeshje ka historinë e saj dhe me këtë në mendje ai përcakton formacionet e tij. Përvoja e tij na ndihmon shumë. Çdo ditë mësojmë diçka të re nga ajo që ka përjetuar në karrierën e tij si trajner. Është vetëm një herë në karrierë që punon me një trajner të tillë, me mbi 30, 40 vite në futboll. Kjo është arsyeja pse ne duhet të përfitojmë”, përfundoi Muriqi.