Estonezja Kallas do ta udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi
Ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, do të jetë përfaqësuesja e re e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në vend të Joseph Borrellit. Ndonëse lufta në Ukrainë do të jetë temë që do të vijojë ta dominojë agjendën e politikës së jashtme të BE-së, Kallasi do ta udhëheqë dialogun e nivelit politik mes Kosovës e Serbisë. E në Komisionin për Zgjerim, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e propozoi sllovenen Marta Kos.
Politikania estoneze, Kaja Kallas, do ta zëvendësojë Joseph Borrellin në postin kryesor diplomatik të Bashkimit Evropian.
Për emërimin e saj si përfaqësuese e re e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, liderët e BE-së u patën pajtuar në samitin e javës së kaluar, kur u pati vendosur që Ursula von der Leyeni ta marrë edhe një mandat si presidente e Komisionit Evropian e që Antonio Costa të jetë president i Këshillit Evropian.
Kallas pritet të udhëheqë dialogun e nivelit të lartë politik, siç bëri Borrell, por besohet se do të emërohet një Përfaqësues i ri Special i BE-së për dialogun, pasi që mandati i Miroslav Lajçakut skadon në janar të 2025-s.
Pas shpalljes së vendimit të liderëve të BE-së Kaja Kallas u tha gazetarëve se “do të jenë një ekip i madh”.
“Besimi juaj do të thotë shumë për mua. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’u siguruar që Evropa të jetë një partner efektiv global dhe që qytetarët tanë të mbeten të lirë dhe të sigurt”, ka thënë Kallas.
Ajo në të shkuarën është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe e ka theksuar gjithashtu nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke vlerësuar se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.
Krahasuar me mandatin e saj të parë pesëvjeçar, tema e sigurisë e shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë, por edhe tema e konkurrencës, kanë shumë më tepër ndikim në përbërjen dhe e ekipit të ri të Von der Leyenit.
Kryetarja e Komisionit Evropian ka propozuar kandidaten e Sllovenisë, Marta Kos, për komisionere të re evropiane për zgjerim, e cila pason në këtë post komisionerin kontrovers nga Hungaria, Oliver Varhelyi. Diplomati hungarez në disa raste e ka kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme dhe të pa koordinuara.
Tek ka prezantuar kandidatët për komisionerë, von der Leyen ka thënë se Kos do të jetë gjithashtu përgjegjëse për Politikën e Fqinjësisë Lindore, do të angazhohet për të mbështetur Ukrainën në rindërtimin e shtetit, si dhe do të mbështesë vendet kandidate për t’u përgatitur për integrim në Bashkimin Evropian.
Komisionerja e re është një ish-ambasadore sllovene në Gjermani dhe Zvicër. Ajo ishte nënkryetare e Lëvizjes Liberale për Liri, e udhëhequr nga kryeministri Robert Golob. Në vitin 2022, ajo kandidoi për presidente të Sllovenisë, por u tërhoq nga gara.
Kandidimi i saj nxiti reagime të shumta në Slloveni pasi kryetarja e delegacionit slloven në kuadër të Partisë Kombëtare Evropiane (EPP), Romana Tomc, e ndërlidhi atë me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë, e njohur si UDB. Kos i ka hedhur poshtë këto akuza.
Kos ka studiuar për gazetari në Lubjanë dhe para karrierës diplomatike ajo ka punuar si gazetare në Radio Televizionin Kombëtar Slloven dhe më pas si korrespondente e “Deutche Welles” në Gjermani.
Andrius Kubilius nga Lituania do të jetë komisioneri i parë i mbrojtjes së BE-së, rol i dizajnuar për ta zhvilluar kapacitetin e prodhimit ushtarak evropian përballë agresionit rus në Ukrainë, në krahun lindor të bllokut.
Kandidatët për Komisionerë do t’u nënshtrohen seancave dëgjimore në komisionet e Parlamentit Evropian javët në vijim. Ata do të duhet të marrin dritën e gjelbër nga eurodeputetët për t’u zgjedhur në këto pozita. Parlamenti Evropian do ta votojë Komisionin e ri Evropian në tërësi para se ai të marrë detyrën, deri më 1 nëntor të këtij viti.
Ursula von der Leyen ka shfaqur besimin se i tërë procesi do të përmbyllet deri në fund të muajit tetor në mënyrë që Komisioni i ri të marrë mandatin nga një nëntori i këtij viti. Por shumë deputetë të Parlamentit Evropian janë të mendimit se procedura nuk do të përmbyllet para muajit dhjetor. Vonesa të reja mund të ketë nëse Parlamenti Evropian refuzon ndonjërin nga kandidatët.
Komisioni Evropian ka fuqinë t’i propozojë ligjet e reja të BE-së, të bllokojë bashkimet ndërmjet kompanive dhe të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë.
Secili nga 27 shtetet anëtare të bllokut do të ketë një ulëse në tavolinën e Komisionit.
Von der Leyen është zotuar se do ta ketë prioritet zgjerimin, por, siç ka deklaruar zëdhënësja e BE-së për zgjerim, Ana Pisonero, ajo edhe deri më tash e ka pasur këtë proces ndër prioritetet e saj.
“Zgjerimi i BE-së ishte prioritet gjatë mandatit të parë të presidentes von der Leyen. Ajo e ka bërë me dije se edhe në të ardhmen do ta ketë prioritet strategjik, duke avancuar qëllimin e saj që në përbërjen e ardhshme të kolegjit të ketë një komisionar për zgjerim”, ka thënë Pisonero për Radion Evropa e Lirë.
Që prej themelimit të Bashkimit Evropian nuk ka ndodhur që të kalojnë kaq shumë vite pa pasur zgjerim. Për më tepër, BE-ja ndërkohë është tkurrur nga 28 anëtare në 27, pasi Britania e Madhe ka dalë prej saj.
Tani, përkundër gatishmërisë së Komisionit Evropian për zgjerim, fati i këtij procesi varet nga vendet anëtare, pasi vendimet në Këshill miratohen me pajtimin e të 27 vendeve.
Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030 si afat deri kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate do të duhej të bëheshin gati për zgjerim.
Me përfshirjen e tri vendeve të Evropës Lindore në procesin e zgjerimit – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës – si dhe Turqisë – numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë.
Të gjitha, me përjashtim të Kosovës, kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok qysh në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj deri më tash nuk është shqyrtuar.