Estonia përkrah Kosovën për liberalizim në Këshillin e Ministrave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë qëndrimit në Estoni, ka pasur takim dhe drekë pune me z. Mart Nutt, shef i grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Estoni, dhe me këtë rast, mikpritësi u zotua se ashtu siç Estonia ofroi përkrahje në Parlamentin Evropian me vota unanime, do të ofroj përkrahje edhe në Këshillin e Ministrave.
Ministrja Hoxha e falënderoi Nuttin, duke shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit dhe marrjen e përvojave në procesin integrues duke theksuar se vendet mike si Estonia, janë vlerë e veçantë e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.
“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe kështu, presim që Këshilli i Ministrave t’i japë fund izolimit dhe miratoj lëvizjen e lirë. Ne jemi të lumtur me miqësinë që ofron Estonia dhe përkrahjen në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se është shumë e nderuar nga takimet e deritashme zyrtare dhe përkrahja që mori për liberalizim.
Mart Nutt, shef i grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Estoni, në Parlamentin estonez, ka theksuar gatishmërinë e bashkëpunimit dhe këmbimit të përvojave, për vlerat e përbashkëta dhe miqësia e dy popujve, e nxitur nga e kaluara e vështirë por me synime të integrimit me vlerat euroatlantike.
Ai vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës dhe ritheksoi se ashtu siç votat e euro deputetëve estonezë në Parlamentin Evropian ishin unanime për liberalizim, ashtu do të jetë edhe vota pozitive e Estonisë në Këshillin e Ministrave.