ETC-ja hapet edhe në Skenderaj, do të punësojë mbi 75 persona
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, sot ka marr pjesë në hapjen e Qendrës Tregtare ETC në këtë komunë.
Ai ka treguar se ky biznes i ri përmes punësimit të të rinjve do të ndikojë krahas rritjes së konkurrencës së shëndoshë dhe në ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve të kësaj komune.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo kompani do të punësojë mbi 75 punëtorë dhe për 15 vite do t`i paguaj komunës qera mujore.
Postimi i plotë i kryetari të Skenderajt:
Sot së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku e drejtorë komunal, morëm pjesë në hapjen e Qendrës Tregtare ETC në Skenderaj.
Me këtë rast u shpreha i kënaqur me faktin që qytetit tonë po i shtohet edhe një biznes i ri, i cili përmes punësimit të të rinjve do të ndikoj krahas rritjes së konkurrencës së shëndoshë dhe në ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve të komunës sonë.
Vitin e kaluar si komunë kemi dhënë në shfrytëzim pronën komunale për 15 vite për këtë biznes i cili me projektin dhe ofertën e dorëzuar ka arritur që të jetë fitues i ankandit publik.
Sipas kontratës që kemi nënshkruar ETC për 15 vite do ta shfrytëzojë këtë pronë të komunës sonë për operimin e kësaj qendre tregtare duke i punësuar mbi 75 punëtorë dhe duke i paguar komunës sonë qera mujore.
Ashtu siç parashihet me kontratë, ky operator ekonomik brenda kësaj qendre ka të vendosur edhe pikën grumbulluese ku fermerët e komunës sonë do t’i shesin produktet e tyre bujqësore me çmimin real të tregut.
Në këtë hapje, potencova që si kryetar i komunës së Skenderajt mirëpres dhe mbes i hapur për bashkëpunim me çdo biznes vendor apo të huaj që shpreh gatishmërinë për të investuar në komunën tonë, sepse vetëm kështu mund të zhvillojmë komunën dhe ngrisim standardin jetësor të qytetarëve tonë.
Në fund përgëzova dhe urova pronarin e këtij biznesi Ramiz Kelmendi dhe stafin për hapjen e kësaj qendre tregtare duke iu uruar punë të mbarë në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e komunës sonë.