ETEA: Kopjimi në Provimin e Maturës Shtetërore, problem sistematik, krijon besim të rremë mbi dijet e nxënësve
Rezultatet e provimit në masë të madhe krijojnë një besim të rremë mbi dijet dhe aftësitë e nxënësve, ndërsa edhe këtë vit kopjimi dhe manipulimi në Provimin e Maturës është një problem sistematik, i nxitur nga toleranca dhe inkurajimi i administratorëve dhe mbikëqyrësve. Kështu u tha në “Raportin analitik mbi Provimin e Maturës Shtetërore”, të publikuar të premten nga Organizata ETEA, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se testi i maturës duhet të mbikëqyrët me kamera, ndërsa u kërkua edhe ndryshimi i Ligjit për Provimin e Maturës, në mënyrë që të ashpërsohen masat ndëshkimore ndaj administratorëve dhe personave përgjegjës që përfshihen në praktika të kopjimit.
Autori i këtij raporti, Agon Ahmeti, ka thënë se Provimi i Maturës Shtetërore në Kosovë paraqet një hap vendimtar për nxënësit e shkollave të mesme të larta, duke shërbyer si kriter kyç për vijim të studimeve në institucionet e Arsimit të Lartë (IAL). “Organizata ETEA gjatë pesë viteve të fundit ka observuar organizimin dhe mbarëvajtjen e Provimit te Maturës Shtetërore duke vënë theksin tek integriteti dhe besueshmëria e rezultateve”, ka thënë Ahmeti.
Tutje ai ka thënë se qëllimi i kësaj analize është të identifikojë lëshimet dhe sfidat ekzistuese në organizimin dhe mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore, të ofrojë rekomandime për përmirësimin e këtij procesi dhe të nxisë politika arsimore të bazuara në të dhëna për të zhvilluar cilësinë e arsimit në Kosovë.
“Nota mesatare e nxënësve barazohet në përqindje me rezultatet e provimit. Kjo minimizon rëndësinë e vlerësimeve gjithëpërfshirëse dhe të vazhdueshme të bëra nga mësimdhënësit gjatë tri viteve. Provimi i Maturës, i cili zgjat 2 ore e 30 minuta, nuk mund të kap plotësisht thellësinë dhe gjerësinë e aftësive dhe të njohurive të nxënësve. Rezultatet e provimit në masë të madhe krijojnë një besim të rrem mbi dijet dhe aftësitë e nxënësve. Kopjimi dhe manipulimi në Provimin e Maturës është një problem sistematik, i nxitur nga toleranca dhe inkurajimi i administratorëve dhe mbikëqyrësve”, shtoi ai.
Koordinatorja e projekteve në këtë organizatë, Bleona Kurreshi, ka dhënë disa rekomandime për të përmirësuar pyetjet e Maturës. “Po flas për disa rekomandime siç janë: fuqizimi i rolit të administratorëve dhe mbikëqyrësve përmes trajnimeve intensive, duke u fokusuar në ndershmërinë dhe integritetin akademik; Integrimi i teknologjisë së avancuar për mbikëqyrjen e provimit, duke përfshirë përdorimin e kamerave dhe detektorëve të pajisjeve elektronike, pra për të zvogëluar mundësinë e kopjimit; Përmirësimi i transparencës dhe publikimi i rregullt i raporteve mbi ndëshkimet për shkeljet e rregullave të provimit; Ligji për Provimin e Maturës duhet të rishikohet për të ashpërsuar masat ndëshkimore ndaj administratorëve dhe personave përgjegjës që përfshihen në praktika të kopjimit”, ka thënë Kurreshi.
Ky raport synon të ofrojë një vlerësim kritik dhe gjithëpërfshirës të procesit të Provimit të Maturës Shtetërore, duke analizuar efektivitetin, integritetin akademik, dhe sfidat kryesore që ndërlidhen me të gjatë viteve të fundit dhe me fokus në vitin 2024.