Etemaj: Pa Verrat e Llukës çmimi i lirisë së Kosovës do të ishte më i lartë
Njeri nga pesë nismëtarët e pajtimit të gjaqeve, Lulëzim Etemaj, ka thënë se pa Kuvendin e Verrave të Llukës, çmimi që do të paguanin shqiptarët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës do të ishte shumëfish më i lartë.
“Pa Kuvendin e Verrave të Llukës të 28 viteve më parë, të drejtuar nga Jashar Salihu, gjenerali dhe diplomati i mëpastajmë i UÇK-së, dhe Have Shala, njëra nga pesë nismëtarët e Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve, përgjithësisht pa pajtimin e arritur në vitin 1990 përmes faljes së gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, çmimi që do të paguanin shqiptarët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës do të ishte shumëfish më i lartë”.
“Meritorë për mbylljen e plagës shekullore të gjakmarrjes janë në radhë të parë të gjithë ata baballarë, nëna, vëllezër e motra, bashkëshorte, bijë e bija, që pa asnjë kompensim a kushtëzim të vetëm falën gjakun e më të dashurve të tyre dhe në emër të gjakut të derdhur të dëshmorëve, flamurit dhe Kombit, shtrinë dorën e pajtimit”, ka shkruar Etemaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/