Ethet nga testi i PISA-s
Rezultatet e dobëta të treguara në vitin 2015 në kuadër të Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve, të njohur si PISA, ka shtyrë autoritetet përgjegjëse në Kosovë të mobilizohen para ‘provimit’ të radhës këtë vit.
Në prill të këtij viti, pritet që për herë të dytë të mbahet Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA).
Zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se janë duke bërë përgatitjet e nevojshme që ky vlerësim të sjellë rezultate të duhura.
Mustafë Kadriu, menaxher për projektin “PISA 2018”, në kuadër të kësaj ministrie, ka thënë për Radion e Lirë se gjatë muajit prill do bëhet vlerësimi për njohuritë e disa nxënësve 15-vjeçar në gjithë Kosovën, që teston zbatimin praktik të njohurive në tri fushat kyçe, ku bëjnë pjesë leximi, matematika dhe shkenca.
Kurse gjatë këtij muaji, është shprehur ai, do të përcaktohen shkollat dhe nxënësit që do t’i nënshtrohen këtij testi.
“Kemi bërë mjaft përgatitje sepse është marrë me seriozitet më të madh sesa herën e kaluar. Për vlerën e këtij vlerësimi, herën e kaluar, siç duket palët e interesit e kanë injoruar ose nuk janë interesuar se çfarë do të jetë kjo”, ka thënë Kadriu.
Republika e Kosovës ishte pjesë e këtij vlerësimi ndërkombëtar për herë të parë në vitin 2015, ku ishin përfshirë 28 komuna, 225 shkolla dhe 5.161 nxënës.
PISA e kishte radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i ishin nënshtruar këtij vlerësimi.
Rezultatet e dobëta kishin nxitur reagime të shumta nga këshillat e prindërve, ekspertë për çështje të arsimit apo organizata joqeveritare, duke aluduar në cilësinë e dobët të arsimit në vend.
Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, pret që rezultatet e testit të dytë vlerësues ndërkombëtar, PISA, të jenë më negative se sa kanë qenë. Kjo gjendje, sipas tij, vjen si pasojë e zbatimit të kutikulave të reja, vitin e kaluar në sistemin e arsimit, që është bërë pa asnjë analizë të mirëfilltë.
“Unë pres që gjendja të përkeqësohet për shkak të mungesës së politikave dinamike me të cilat sistemi i edukimit të nxirret nga kjo gjendje e rëndë. Pra, në testin PISA, nuk do të ketë arritje por do ketë ngecje. Mendoj se do të jenë edhe 5 për qind më tepër e fëmijëve të moshës 15-vjeçare analfabetë funksionalë”, ka thënën Hyseni. (Rel)
Por, ndryshe nga Hyseni mendon Mustafë Kadriu nga Ministria e Arsimit. Ai thotë se duke marrë për bazë përgatitjet për këtë projekt, rezultatet do jenë më të mira, nëse krahasohen me rezultatet e testit paraprak.
“Unë po shpresoj që në minimum 30 pikë të rrisim rezultatin, sepse është kuptuar me seriozitet dhe ka një angazhim më të madh te të gjitha palët e interesit”,thotë Kadriu.
Për përgatitjet që po realizohen për këtë test ndërkombëtar, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyçi e ka njoftuar edhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka premtuar përkrahje për këtë program, pasi siç ka thënë ai, pas energjetikës prioritet i Qeverisë mbetet arsimi.