Etiopia kërkon falje pasi e ‘fshiu’ Somalinë nga harta
Ministria e Jashtme e Etiopisë ka kërkuar falje pasi një hartë e Afrikës në ueb-faqen e saj e përfshinte edhe Somalinë fqinje brenda kufijve të Etiopisë.
“Na vjen sinqerisht keq për ndonjë konfuzion dhe keqkuptim që mund të ketë shkaktuar ky incident” është thënë në deklaratë.
Somalia është fshirë tërësisht nga harta, por territori i vetëdeklaruar i Somalilandit – i cili nuk është i njohur ndërkombëtarisht – është shfaqur.
Harta ka shkaktuar reagime të shumta në mediet sociale.
Disa somalezë kanë thënë se ajo zbulon një plan më të gjerë të Etiopisë për të aneksuar vendin e tyre.
Gabimi është veçanërisht i ndjeshëm pasi Etiopia dhe Somalia prej kohësh kanë qenë rivale dhe kanë luftuar disa luftëra në kufi.
Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë nisur të përmirësohen prejse kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, ka ardhur në pushtet vitin e kaluar dhe ka bërë vazhdimisht përpjekje për qetësimin e tensioneve në rajon.