Etna Rexhepi: Ndjenjë e veçantë ta përfaqësosh shtetin tënd
Një nga basketbollistet më të talentuara dhe me të ardhme të ndritur është Etna Rexhepi. Ajo së fundi ishte pjesë e Kampit Basketball Without Borders në Wroclaw të Polonisë.
Ky kamp elitar ishte për zhvillimin e shkathtësive individuale të lojtareve të talentuara të regjionit. Basketbollistja e grupmoshave të reja është pritur në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) nga drejtori Teknik, Arben Krasniqi dhe Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci. Krasniqi dhe Rraci i kanë ofruar përkrahje, duke konfirmuar mbështetjen nga FBK-ja për të dhe zhvillimin e saj. Gjatë takimit kanë biseduar për përvojën e saj në Kamp dhe ecurinë për të ardhmen.
“Basketball Without Borders Europe 2023 ka qenë shumë i rëndësishëm për mua dhe të ardhmen time. Dua të falënderoj FBK-në për pjesëmarrjen në këtë kamp, ku shpresoj se do të më ndihmoj shumë. Ka qenë një përvojë shumë e mirë për mua dhe FBK më ka qëndruar pranë”, është shprehur Rexhepi për faqen zyrtare të FBK-së. Ajo fitoi çmimin Sportsmanship Award në këtë Kamp.
“Ky çmim ishte shumë i rëndësishëm për mua dhe ishte në përgjithësi. Do të thotë për angazhimin e treguar, sjelljen, gjithçka”, shtoi tutje 16 vjeçarja. Kjo ishte hera e parë që një basketbolliste nga Kosova ftohet në një kamp të tillë. Etna është basketbolliste e grupmoshave të Kosovës, ndërsa ka përfaqësuar Kosovën edhe në FIBA Europe Cup 3×3. “Është ndjenjë e veçantë të luash për Kosovën dhe të përfaqësosh shtetin tënd në garat ndërkombëtare. Synimi im është sigurisht që në të ardhmen të luaj për Kosovën A. Sa i përket klubeve, shpresoj se do të luaj në një ligë të fortë evropiane, por pse jo edhe WNBA, pasi mendoj se me punë mund të arrish gjithçka në jetë”, ka shtuar Rexhepi.
Etna po ashtu është njëra nga katër basketbollistet si “Shpresë Olimpike 2023”, që jepet nga Komiteti Olimpik i Kosovës.