Eto’o: Trajnerët me ngjyrë shihen si njerëz të dorës së dytë
Samuel Eto’o është një ndër sulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit, i cili vijon ende të luajë edhe pse numëron plot 37 vite mbi supe.
Aktualisht, kamerunasi aktivizohet në Lindjen e Mesme, me ekipin e Katar SC. Së fundmi, sulmuesi ka folur për mediet, në lidhje me racizmin, sidomos pas ngjarjeve të ndodhura në Serie A, me Kulibalin. Eto’o ka folur për këtë çështje dhe ka tronditur disi me deklaratat e tij, duke thënë se racizmi është shumë i pranishëm në futboll, madje te trajnerët mund të jetë më shumë se te lojtarët.
Sipas 37-vjeçarit, trajnerët me ngjyrë nuk preferohen nga klubet dhe konsiderohen si njerëz të dorës së dytë.
“Disa ish-lojtarë me ngjyrë nuk duan të bëhen trajnerë edhe pse atyre i pëlqen. Ka shumë trajnerë në Afrikë, të cilët i kanë të gjitha kualifikimet e duhura, por thjesht nuk kanë besim tek ata, ndryshe nga trajnerët e tjerë. Trajnerët me ngjyrë janë parë gjithmonë si qytetarë të dorës së dytë. Gjithsesi, unë fitova shumë në Evropë si lojtar dhe dëshiroj të bëj të njëjtën gjë dhe si trajner”, ka thënë Eto’o.