Eugen Cakolli thotë se “Guxo” duhet të ketë një kryetar dhe jo dy
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë zgjedhur kryetarë të përbashkët të Partisë “Guxo”.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) po e konsideron se partia “Guxo” ka bërë shkelje gjatë Kuvendit Zgjedhor të mbajtur një ditë më parë.
Cakolli ka theksuar se Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013, tregon shprehimisht se partitë politike duhet të kenë “kryetar” dhe jo “kryetarë”.
Ai ka thënë se statutet e partive duhet t’i përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e një kryetari.
“GUXO e paska filluar zyrtarisht aktivitetin partiak/politik me shkelje të legjislacionit gjatë zgjedhjes së strukturave udhëheqëse të saj. Sado që mund të duket zgjidhje kreative, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e ‘bashkë-kryesimit’ të partive. Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë ‘kryetar’, e jo ‘kryetarë’. Rrjedhimisht, statutet e partive duhet t’i përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e vetëm një kryetari. Ndryshe, nuk do të mund të zbatohen obligimet për funksionim të rregullt që ka partia politike, respektivisht kryetari/ja e saj – si instancë kryesore për, minimalisht, nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe përgjegjësisë ligjore. Prandaj, Zyra do të duhej t’i propozonte KQZ-së mosnjohjen e këtij Kuvendi dhe vendimmarrjes së partisë ‘Guxo’ lidhur me këtë çështje, si dhe ta obligojë atë që ta harmonizojë statutin e partisë me kornizën ligjore”, ka shkruar Cakolli në llogarinë e vet në “Facebook”.