EULEX-i ende po shqyrton mundësinë për të ndihmuar në transferimin e Pantiqit

23 dhjetor 2022 | 18:13

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ende është duke e shqyrtuar mundësinë që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në transferimin e ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiq nga stacioni policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.

Megjithatë, ky mision i BE-së në një përgjigje me shkrim për Telegrafin ka thënë se nuk është përgjegjës për ndalimin e Pantiqit, i cili u arrestua me 10 dhjetor në veri të vendit nga Policia e Kosovës. I njëjti sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

EULEX-i gjithashtu ka bërë të ditur se më 17 dhjetor dhe pas kërkesës së gjyqtarit të procedurës paraprake, një mjek i misionit ka kryer ekzaminim mjekësor paraprak të Pantiqit.

“Raporti i është dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në fund, EULEX-i ka shtuar se janë duke e monitoruar nga afër rastin e Dejan Pantiqit për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës.

“Përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, EULEX-i është në kontakt edhe me avokatin e D.P. Misioni është takuar edhe me Avokatin e Popullit, si mekanizëm i Kosovës për parandalimin e torturës dhe i mandatuar për të kryer vizita të rregullta e të paparalajmëruara në të gjitha vendet ku privohet liria”, thuhet tutje.

Për shkak të arrestimit të Pantiqit më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Një ndër kushtet për largimin e barrikadave, sipas Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – është edhe lirimi i Pantiqit.

Këto veprime, i kanë dënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Gjermania.

Në një deklaratë të përbashkët, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, kanë kërkuar që menjëherë të largohen barrikadat në veri.

“Ata që ngritën barrikada të paligjshme duhet t’i largojnë ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit”, thuhet në reagim.

SHBA ka thënë se arrestimi i qytetarit serb, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NJOFTIM HISTORIK Në kuadër të relacionëve Kosovë - Serbi, agjenda…