EULEX-i konfirmon se i është kërkuar të ndërmjetësojë transferimin e Pantiqit
Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka konfirmuar për se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
“Në linjë me mandatin e tij, EULEX-i po monitoron rastin e D.P”, është thënë në përgjigjen e EULEX-it dhënë për “Radion Evropa e Lirë”.
Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës është arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.
Autoritetet në Kosovë dyshojnë se ai ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, ka shqiptuar një muaj paraburgim. Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur se ku po mbahet Pantiqi.
As EULEX-i nuk ka bërë me dije se ku po mbahet ai ose si do të veprojnë lidhur me kërkesën për transferimin e tij.
EULEX-ika theksuar se përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky mision është në kontakt edhe me avokatin e Pantiqit, “i cili ka kërkuar nga misioni që ta monitorojë rastin”.
“Në linjë me mandatin tonë, misioni po monitoron këtë rast për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës. Ne përsërisim se është shumë e rëndësishme që të drejtat e D.P. të respektohen plotësisht në bazë të ligjit”, është thënë në përgjigje.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka dhënë ndonjë informacion “REL”-it se në cilin vend apo qendër paraburgimi gjendet ai. Këtë informacion nuk e kanë as familjarët, avokati i tij dhe as Avokati i Popullit të Kosovës.
Avokati i Pantiqit, Nebojsha Vllajiq, ka pretenduar se klientit të tij po i shkelen të gjitha të drejtat e njeriut. “Ai ka të drejtë të vizitohet nga një avokat, ta vizitojë familja e tij, të marrë trajtim (mjekësor) dhe gjithçka tjetër. E gjithë kjo është mohuar për faktin se nuk dihet se ku është. E vërteta e vendndodhjes së tij duhet të publikohet”, ka thënë Vllajiq për “Radion Evropa e Lirë”.