EULEX-i: Ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës në veri të vendit
Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, në një intervistë për Gazetën Sinjali ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, dhe angazhimin e EULEX-it.
Lachana e ka cilësuar shqetësuese situatën e sigurisë në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, pasi sipas saj, në veri ka prani të personave që janë të maskuar dhe të armatosur.
“Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është shqetësuese dhe e tensionuar. Gjatë patrullimeve tona vëzhguese, ne jemi duke qenë dëshmitarë të një pranie shqetësuese të armatosur, shpesh herë nga individë dhe grupe të maskuara në pjesën veriore të Kosovës. Kjo është e papranueshme. Gjithashtu, ne jemi dëshmitarë të ngritjes së barrikadave shtesë, të cilat duhet të largohen menjëherë. Ato janë të kundërligjshme dhe e pengojnë lirinë e lëvizjes”, tha ajo për Sinjalin.
Ajo shtoi se në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por që nuk mund ta zëvendësojnë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë.
“Krahas këtyre shqetësimeve, edhe kriminaliteti në pjesën veriore të Kosovës është shqetësues. Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës mund të shfrytëzohet nga grupet kriminale. I takon agjencive të zbatimit të ligjit që ta parandalojnë këtë. Në kuadër të mandatit dhe kapaciteteve të tij, EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë”.