EULEX-i prezanton raportin me gjetjet nga monitorimi i gjyqësorit të Kosovës
Misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX-i ka prezantuar raportin e tretë me gjetjet nga monitorimi sistematik dhe tematik në gjyqësorin e Kosovës.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, ka thënë se monitorimi i thuktë i rasteve të përzgjedhura ka dëshmuar të jetë një mjet efektiv për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit të drejtësisë vendase me legjislacionin e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut.
“Puna e këtij Misioni në këtë fushë është e trefishtë: së pari, ne i identifikojmë trendet dhe dukuritë që ndikojnë në funksionimin e gjyqësorit; së dyti, ne japin rekomandime të cilat janë të përfshira në raport dhe së treti, aty ku është e mundur, hartojmë dhe zbatojmë projekte në bazë të zbrazëtirave të identifkuara për adresimin e këtyre gjetjeve. Një shembull për këtë është seminari i organizuar kohëve të fundit për fuqizimin e kapaciteteve të prokurorëve specialë dhe zyrtarëve ligjorë për ndjekjen penale të rasteve të terrorizmit”, ka thënë Thran.
Ai ka deklaruar se është me rëndësi që EULEX-i të vazhdoj të punojë krah për krah me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit ngase, sipas tij, këto institucione kanë synim të njëjtë: ta bëjmë sistemin e drejtësisë të qasshëm për secilin dhe të besueshëm për qytetarët.
Gjatë prezantimit të gjetjeve të këtij raporti, udhëheqësi i njësisë për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster, ka thënë se EULEX-i ka vërejtur një trend pozitiv nëpër seancat dëgjimore nëpër gjykata të cilat i ka monitoruar, me një rritje të dukshme të seancave dëgjimore produktive kundrejt atyre joproduktive.
Duke komentuar rreth ritmit të shqyrtimit të rasteve të profilit të lartë të cilat më parë janë trajtuar nga EULEX-i, Van Eck Koster, ka theksuar se ai “në përgjithësi mbetet i ngadaltë”.