Fillon fushata për barazi gjinore
“Lulet janë të bukura, por ne duam barazi gjinore në vendimmarrje, në të drejta pronësore, në negociata për paqe, dhe në mundësi për punësim”. Kjo është motoja e fushatës për barazi gjinore e filluar nga EULEX-i, në partneritet me Rrjetin e Grave të Kosovës (RRGK) dhe OJQ të Drejtat e Grave në Mitrovicën e Veriut, për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Kjo fushatë përfshin vendosjen e afisheve nëpër tërë Kosovën dhe transmetimin e një videoje me qëllim të rritjes së vetëdijesimit për barazinë gjinore.
Duke folur për këtë fushatë, zëvendës-shefi i EULEX-it, Cezary Luba, tha: “Mundësitë e barabarta nënkuptojnë të ardhme të barabartë. Viti 2020 ka dëshmuar përparimin e Kosovës në përfshirjen e më shumë grave në proceset e vendimmarrjes, përmes zgjedhjes së një gruaje si kryeparlamentare të Kosovës dhe përmes emërimit të pesë grave në krye të ministrive. Kjo rritje e përfaqësimit politik të grave është inkurajuese dhe ne do të dëshironim të shihnim që kjo praktikë të pasqyrohet në të gjitha nivelet e shoqërisë”.
Zëvendës-shefi i EULEX-it, po ashtu e theksoi rëndësinë e qasjes së barabartë të grave në pronë, meqë kjo përfundimisht shpie në fuqizimin ekonomik. “Kjo ndihmon në thyerjen e varësisë që të mbijetuarat e dhunës në familje mund ta kenë prej atyre që ushtrojnë dhunë kundër tyre”, tha Luba.
/Epoka e re/