‘Euractiv’ raporton për sanksionet e mundshme ndaj Kosovës, përmenden edhe vizat
Faqja e njohur evropiane e lajmeve, “Euractiv”, ka raportuar për mundësinë që Kosova së shpejti të ballafaqohet me sanksione nga komuniteti euroatlantik, duke u mbështetur në shumë burime të larta e diplomatike.
Kjo faqe ka raportuar se është informuar nga një burim i lartë prej një vendi të tretë javën e kaluar se BE-ja dhe ShBA-ja ishin duke përgatitur një numër sanksionesh kundër Kosovës. Kjo më vonë është fuqizuar nga komentet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga burimet diplomatike, të cilat konfirmuan se sanksionet janë afër.
Sanksionet e përmendura në një shkresë të brendshme diplomatike, e ofruar nga një burim, i përfshijnë ngrirjen e fondeve të BE-së, ndërprerjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të proceseve për anëtarësim në institucione ndërkombëtare. Aty përfshihen edhe marrja e një qëndrimi pasiv nga aleatët e Kosovës ndaj fushatës së Serbisë për çnjohjen e pavarësisë së vendit tonë, riorganizimi i pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe një pakësim serioz i kontingjentit amerikan.
Sanksionet individuale kundër udhëheqësve kosovarë dhe zyrtarëve të nivelit të lartë përmenden, gjithashtu, por merret vesh se ato do të përdoreshin vetëm në skenarin e rastit më të keq, sepse sanksionet e mundshme do të vendoseshin në faza.
Burimi i “Euractiv”-it i ka bërë thirrje opozitës që t’i përkrahë BE-në dhe ShBA-në në përpjekjet e tyre për ta stabilizuar situatën dhe, gjithashtu, të deklarohet nëse i përkrah detyrimet e Kosovës në dialogun e mbështetur nga BE-ja.
Një burim tjetër diplomatik i tha “Euroactiv”-it se është i vetëdijshëm për një dokument që i paraqet sanksionet e mundshme që po qarkullojnë dhe, ndonëse nuk mund të thoshte nëse dokumenti ishte nënshkruar zyrtarisht, ato ishin vërtet masat që po diskutoheshin nga e diela e kaluar.
Të martën, Radio “Evropa e Lirë” raportoi se sanksionet e BE-së ishin afër, përfshirë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje të nivelit të lartë, vizitat dypalëshe nga BE-ja dhe shtetet anëtare dhe mbajtja e takimeve vetëm kur ato lidhen drejtpërdrejt me krizën në pjesën veriore të vendit.
Petrit Selimi, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se të paktën tri shtete të BE-së janë duke i shqyrtuar ngrirjen e fondeve dhe liberalizimin e vizave për Kosovën dhe një burim i “REL”-it në Bruksel konfirmoi se dështimi për t’i përmbushur detyrimet do “të kishte pasoja për Kosovën në procesin e integrimit në BE dhe në aspektin financiar”.