Euro-skeptikët kryesojnë në sondazhe
Dy javë nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian, shqetësimi më i madh i unionit mbetet rritja e ndjeshme e rrymës euro-skeptike. Rasti më i fundit vjen nga Britania e Madhe, e detyruar të hyjë në zgjedhje pas dështimit të afatit për Brexit.
Sipas një sondazhi të publikuar nga “The Guardian”, Partia e Brexit e eurodeputetit Farage pritet të marrë në votimet e 26 Majit, 34 vende në PE, më shumë se dy partitë e mëdha britanike të marra së bashku.
Opozitarët laburistë nuk do të fitojnë më shumë se 21 euro-deputetë. Ndërsa pasiguritë që kanë rrethuar Kryeministren May rreth shkëputjes së vendit nga BE, shfaqin pasojat e para. Partia Konservatore pritet të siguroje 11 vende ne Parlamentin Evropian.
Shefja e qeverisë britanike dështoi të përmbyllë Brexitin në afatin e parë dhe mori një shtyrje deri më 31 Tetor nga BE, çka ka ulur ndjeshëm mbështetjen e saj në popull.
Me bisedimet për Brexit në buzë të kolapsit, bashkëpunëtorët e ngushtë kanë këshilluar Mayn të pranojë çdo marrëveshje me laburistët, përfshirë edhe referendumin e dytë, që kryeministrja e konsideron si vijën e saj të kuqe.