Euroactiv: Deri në zgjedhjet e ardhshme në ShBA dhe BE, dialogu pritet të jetë i përgjumur

12 maj 2024 | 19:03

Një vit pas marrëveshjes së Ohrit, perspektivat për përparim midis Beogradit dhe Prishtinës mbeten të bllokuara, me të dyja palët ngurruese për të zbatuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në këtë kontekst, analiza e fundit e Euroactiv me titull “Fillimi i ri Beograd-Prishtinë pas zgjedhjeve?” nënvizon rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme si në Evropë ashtu edhe në ShBA, pasi Prishtina dhe Beogradi i mbështesin shpresat e tyre në ndryshimet e mundshme të lidershipit për të ringjallur dialogun.

Kjo mungesë e progresit, sipas diplomatëve evropianë, citon Euroactiv, është për shkak se Beogradi dhe Prishtina kanë adoptuar një qasje “prit të shohim”.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë konsiderohen tejet të rëndësishme. Sipas mediumit, si Beogradi ashtu edhe Prishtina po angazhohen për ndryshime të mundshme në udhëheqje për të ringjallur dialogun.

Vuçiq, veçanërisht, duket se sheh shpresë në kthimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke kujtuar negociatat e kaluara të lehtësuara nga administrata e tij.

Sipas Euroactiv, me Trumpin të rizgjedhur, shpreson Vuçiq, mund të ketë një zgjidhje tjetër.

“Veçanërisht Vuçiq ka luajtur prej disa kohësh, me Beogradin që shpreson në kthimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në mandatin e tij të parë, ishin të dërguarit e Trumpit ata që mbështetën një shkëmbim toke mes Prishtinës dhe Beogradit në vitin 2018, të cilin Vuçiq dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi e kishin negociuar“, shkruan mediumi.

Megjithatë, me largimin e ndërmjetësve kryesorë, duke përfshirë të dërguarin e posaçëm të ShBA-së Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin e BE-së Miroslav Lajçak, ka të ngjarë që dialogu të jetë “kryesisht i përgjumur”.

“Deri atëherë, diplomatët e BE presin që dialogu të jetë kryesisht i përgjumur, me takime të nivelit të lartë që nuk ka gjasa të ndodhin”, shkruan mediumi.

Pavarësisht sfidave, sipas mediumit ka optimizëm për progres, me thirrjet e forta nga BE që po marrin vrull nëpërmjet stimujve financiar siç është Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Një perspektivë reale e integrimit të ardhshëm në BE dhe avantazhet financiare që vijnë me procesin janë arsye për të besuar se ka “një shans të përmirësuar dinamikën” e dialogut mes vendeve, ka vlerësuar Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit.

“Ndërsa ndërmjetësuesit e rinj kanë një shans për të përmirësuar dinamikën, ka më shumë probleme strukturore, siç është mungesa e një perspektive të besueshme anëtarësimi në [BE],” tha Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit dhe anëtar i Grupit Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG), për Euractiv.

Sipas tij, dialogu mes vendeve ka “nevojë për një qasje të re me angazhime të qëndrueshme dhe transparente dhe një BE më të fuqishme”.

Nga ana tjetër, një zyetar i bllokut i ka thënë mediumit se nëse Komisioni i ardhshëm Evropian do të jetë i përqëndruar në zgjerim, gjasat janë që proceset politike të monitorohen nga afër.

“Nëse Komisioni i ardhshëm Evropian, siç pritet, do të jetë një komision i përqendruar te zgjerimi, ekziston mundësia që ato procese politike të shikohen më nga afër,” tha ai.

“Ne mund të shohim më shumë stimuj – dhe më shumë presion – të aplikuar mbi të gjitha palët,” shtuan ata.

Në përgjithësi, artikulli vlerëson se ngërçi vazhdon, duke përfshirë skepticizmin serb ndaj anëtarësimit në BE, procesin e ngecur të anëtarësimit të Kosovës dhe hezitimin e disa shteteve anëtare të BE-së për të njohur sovranitetin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…