‘Euroactiv’: Scholzi ‘sfidon’ Macronin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron javën e kaluar ka bërë bujë me një deklaratë të tij ku kishte lënë të kuptohet se Parisi dhe Berlini mund ta rishikojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse kjo e fundit nuk vepron me përgjegjësi sa i përket destabilizimit të situatës në veri.
Megjithatë, mediumi “Euroactiv” merr vesh se Gjermania do t’i përmbahet afatit kohor nga 1 janari 2024, një ndryshim ky në qëndrim me palën franceze.
Një proces i cili është vonuar për vite, mund të marrë fund dhe qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza nëpër vendet e zonës Schengen nga 1 janari i vitit 2024. Kjo pasi shtetet anëtare janë votuar pro një vendimi të tillë.
Pak muaj pas tensioneve në veri të vendit është duke u kërkuar me urgjencë zbatimi i marrëveshjeve të arritura.
Çfarë kërkoi Macroni?
Presidenti francez ka kërkuar nga të dyja palët rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE), sa më parë. Ai madje, ka përmendur edhe pasoja për të dy shtetet nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.
Macroni ka përmendur çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike si zotime që mund të rishikohen.
“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Macroni.
S’përkrahet nga Gjermania?
Kancerlari gjerman, Olaf Scholz nuk ka bërë deklarata publike, si Macroni, të cilat mund të sugjerojnë masa ndaj vendeve, ndonëse, Kosova po përballet me masa ndëshkuese edhe aktualisht.
“Euroactiv” ka raportuar se një burim i afërt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e ka bërë të qartë që qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nga fillimi i vitit të ardhshëm.
“Gjermania i nënshtrohet rregulloreve të nënshkruara nga BE-ja në prill të vitit 2023. Sipas këtyre, qytetarët e Kosovës, në të ardhmen do të përjashtohen nga nevoja për vizë për qëndrime të shkurta në zonën Schengen. Kjo do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024…” citohet të ketë thënë ky burim.
Sidoqoftë, mediumi tutje raporton se “ka marrë vesh” që në Gjermania do të qëndrojë prapa afatit kohor të vendosur tashmë dhe nuk ka plane “për të dalë nga kjo rrugë”.
Madje, tutje është raportuar se: “…nënkuptohet që Macroni kur përmendi Gjermaninë në deklaratën e tij, e bëri pa marrëveshje me Berlinin”.
“Kërcënimi” i presidentes Osmani
Një deklaratë e dhënë të mërkurën e kaluar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, themeluese e partisë “Guxo”, ku Gërvalla tash është kryetare, u konsiderua si “kërcënim” ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron.
Osmani ka bërë një paralajmërim të ashpër dhe kërcënues se nëse merret një masë e tillë do të ketë “vdekje të dialogut” dhe kjo është deklarata e parë zyrtare e Kosovës në raport me ketë çështje.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, është shprehur Osmani.